E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumentet që kërkojnë vendet e BE-së për marrjen e vizave

Kohëzgjatja, tarifat e vizave dhe kategoritë e përzgjedhura. Procedura e marrjes së vizave për në BE për qëndrim deri në pesë vjet
Erald Kapri

Vendet e Shengenit po firmosin në mënyrë të pavarur me shtetin shqiptar për të ratifikuar marrëveshjen e lehtësimit të vizave, por procedurat mbeten të njëjta. Kategoritë, tarifat si dhe kushtet janë të gjitha njësoj që kërkohen nga ambasadat e Shengenit për të marrë një vizë. Përgjithësisht, marrëveshjet kanë si qëllim reduktimin e dokumentacionit për kategori të përzgjedhura që kontribuojnë më shumë në shkëmbimet mes Shqipërisë dhe vendit Shengen të Bashkimit Europian. Marrëveshjet kanë përcaktuar edhe kohëzgjatjen e vizave dhe kanë vendosur të ketë edhe viza me afat të gjatë, me shumë hyrje-dalje, me afat njëvjeçar e deri në 5 vite. Personat, të cilët kanë respektuar ligjet e migracionit me vendet Shengen, do të jenë të favorizuar. Ndërkohë, tarifa prej 35 euro do të paguhet për të gjitha kërkesat me përjashtim të kategorive të përzgjedhura, të cilat përjashtohen nga kjo taksë. Nga ana tjetër, do të ketë edhe reduktime të afateve pritëse.
Kategoritë e përzgjedhura
Marrëveshjet me vendet Shengen kanë përfshirë edhe një grup kategorish, të cilat jo vetëm që përjashtohen nga taksa prej 35 eurosh, por kanë lehtësi në marrjen e vizës. Këto kategori nuk kanë nevojë për dokumentacion mbështetës, por vetëm një ftesë që duhet të vijë nga personi apo institucioni që do ta presë në vendin e BE-së. Ftesa duhet të ketë elementët minimalë të identifikimit. Disa nga përfaqësuesit që përfitojnë lehtësi në marrjen e vizës janë funksionarë, pjesëtarë të delegacioneve shtetërore, biznesmenët, gazetarët, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, pjesëtarët e programeve shkencore, kulturore, artistike dhe universitare, nxënësit, studentët në udhëtimet e organizuara për qëllime studimore, sportistët dhe shoqëruesit e tyre, përfaqësuesit e zejeve dhe profesioneve, përfaqësuesit e qyteteve të binjakëzuara për programe zyrtare si dhe familjarët e afërt të qytetarëve që banojnë në vendin përkatës si prindërit, bashkëshortja dhe nipërit në linjë të drejtpërdrejtë jo nga motra apo vëllai.
Vizat afatgjata
Viza me afat 5-vjeçar mund të përfitojnë vetëm ministrat, deputetët, gjyqtarët, funksionarët që janë pjesë e delegacioneve zyrtare si dhe bashkëshortët dhe fëmijët e shtetasve me qëndrim të përhershëm në vendin e BE-së. Viza me afat njëvjeçar mund të përfitojnë të gjitha kategoritë e përzgjedhura nëse ato do të justifikojnë nevojën për udhëtime të shpeshta. Taksa e vizës është përcaktuar 35 euro. Pothuajse për të gjitha kategoritë e përzgjedhura do të mënjanohet taksa e vizës, po ashtu edhe për rastet humanitare, fëmijët nën 6 vjeç dhe pensionistët. Sipas marrëveshjeve është përcaktuar që pasaportat diplomatike nuk kanë viza. Vizat normale mund të kenë një afat prej 90 ditësh, por për një periudhë prej 180 ditësh.
Afatet e vizës
Afatet pritëse për marrjen e vizës do të jetë fikse dhe me praktikë normale, e cila zgjat deri në 10 ditë, ndërsa për praktikat që kërkojnë verifikim do të ketë afat deri në 30 ditë ndërsa për praktikat urgjente nuk ka afat. Në rast se brenda këtij afati jepet përgjigjja negative, atëhere viza nuk jepet por shoqërohet me justifikimin e ambasadës. Në rast se përgjigjja nuk vjen brenda afatit, procedura e vizës konsiderohet si e rregullt dhe mund të paraqitesh pranë ambasadës për të tërhequr vizën. Aktualisht, vetëm me disa vende të BE-së janë firmosur marrëveshjet kryesisht me vendet nordike.

Kategoritë e përzgjedhura

Funksionarë, pjesëtarë të delegacioneve shtetërore
Biznesmenët
Gazetarët
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare
Pjesëtarët e programeve shkencore, kulturore, artistike dhe universitare
Nxënësit e studentët në udhëtimet e organizuara për qëllime studimore
Sportistët dhe shoqëruesit e tyre
Përfaqësuesit e zejeve dhe profesioneve
Përfaqësuesit e qyteteve të binjakëzuara për programe zyrtare
Familjarët e afërt të qytetarëve që banojnë në vendin përkatës, si prindërit, bashkëshortja dhe nipërit në linjë të drejtpërdrejtë, jo nga motra apo vëllai.
Pjesëmarrësit në funerale civile dhe ushtarake
Të përndjekurit politikë
Shoferët dhe trenistët e transporteve ndërkombëtare
Turistët sipas një skeme të vetë vendit të BE-së
Raste humanitare

Si do të jenë vizat me shumë hyrje

Një tjetër mundësi e mirë është edhe pajisja me vizë me afat të gjatë, por që mund të udhëtosh sa herë të kesh nevojë pra të hysh e të dalësh nga vendi tjetër sa herë të duash. Kuptohet që diplomatët dhe funksionarët e lartë të shtetit së bashku me familjarët e tyre e kanë këtë privilegj. Të gjitha kategoritë e përzgjedhura kanë të drejtë që në bazë të vizës që marrin të bëjnë udhëtime të shpeshta pa pasur probleme të karakterit të rinovimit të vizave apo kontrolleve të vazhdueshme. Pra, shtetasit që i përkasin kategorive të përzgjedhura mund të kërkojnë që lëvizshmëria e tyre të mos cenohet.

Dokumenti që kërkohet për t’u pajisur me vizë

Funksionarët shtetërorë
Një shkresë lëshuar nga autoriteti shqiptar që konfirmon që kërkuesi është anëtar i delegacionit shqiptar që udhëton për në territorin e vendit Shengen për të marrë pjesë në ngjarjen përkatëse, të shoqëruar me një kopje të ftesës zyrtare.
Biznesmenët
Një kërkesë me shkrim nga një person juridik ose shoqëri, organizatë pritëse, ose një zyrë apo degë e këtij personi juridik apo shoqërie, shteti ose autoritetet lokale të vendit të BE-së ose komuniteteve organizuese të ekspozitave tregtare dhe industriale, konferencave dhe simpoziumeve të mbajtura në territorin e vendit përkatës të miratuara nga një Dhomë Tregtie e Shqipërisë.
Gazetarët
Një certifikatë apo dokument të lëshuar nga një organizatë profesionale që provon që personi i interesuar është një gazetar i kualifikuar dhe një dokument i lëshuar nga punëdhënësi i tij që deklaron se qëllimi i udhëtimit është ushtrimi i aktivitetit të gazetarisë.
Pjesëtarët e programeve shkencore
Një kërkesë me shkrim nga organizata pritëse për të marrë pjesë në këto aktivitete.
Nxënësit dhe studentët
Një kërkesë me shkrim ose një vërtetim regjistrimi nga universiteti, akademia, instituti, kolegji ose shkolla pritëse ose libreza e studentit ose vërtetimi i lëndëve që do të ndiqen.
Sportistët dhe shoqëruesit e tyre
Një kërkesë me shkrim nga organizata pritëse në vendin e BE-së.
Përfaqësuesit e qyteteve
Një kërkesë me shkrim të Kreut të Administratës ose të Kryetarit të Bashkisë të këtyre qyteteve.
Familjarët
Kërkesë me shkrim nga personi pritës në vendin tjetër.
Pjesëmarrësit në funerale civile dhe ushtarake
Një dokument zyrtar që konfirmon ekzistencën dhe ruajtjen e varrit si dhe të marrëdhënieve familjare ose të tjera ndërmjet kërkuesit dhe të varrosurit.
Të përnjekurit politikë
Një vërtetim i lëshuar nga Instituti për Integrim i Personave të Persekutuar në pajtim me ligjin që tregon statusin e qenies së një personi të përndjekur për motive politike gjatë regjimit komunist në Shqipëri si dhe një ftesë nga një autoritet kompetent, organizatë kombëtare ose ndërkombëtare ose institucion tjetër i vendosur në vendin ku kërkohet viza
Shoferët
Një kërkesë me shkrim nga Shoqata Kombëtare e Transportuesve të Shqipërisë që parashikon transport ndërkombëtar rrugor, që cakton qëllimin, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e udhëtimeve.
Turistët
Një vërtetim ose faturë nga një agjenci udhëtimi ose operator i turit të akredituar nga vendi përkatës dhe anëtarë të tjerë të Shengenit në kuadrin e bashkëpunimit konsullor lokal që konfirmon rezervimin e një udhëtimi të organizuar.
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare
Një kërkesë me shkrim nga një komunitet fetar i regjistruar në Shqipëri që tregon qëllimin, kohëzgjatjen dhe shpeshtinë e udhëtimeve.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›