PS: “Të zhbllokohet shitblerja e pasurive të paluajtshme”
Nënsekretari për Programin Politik në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, ka denoncuar paaftësinë e disa ministrave të kabinetit “Berisha”, apatia e të cilëve ka shkaktuar bllokimin e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme. “Ministrat përgjegjës dhe stafet e tyre u treguan të pazotë për 9 muaj në nxjerrjen e Udhëzimit, i cili vetëm në 18 janar 2008 u firmos dhe vetëm në 21 janar 2008 u bë publik. Pa u mbështetur në asnjë nen apo paragraf të ndonjë ligji, vendime qeverie të nxjerra në zbatim të ligjit për kthimin e kompensimin e pronave, përdoren në mënyrë abuzive për të taksuar shqiptarët”, - tha Beqja. Nënsekretari për Programin Politik në PS tha se edhe pas firmosjes së udhëzimit ministrat lanë jashtë zbatimit të ligjit pasuri të paluajtshme në rrethe të ndryshme të vendit duke udhëzuar në mënyrën më të papërgjegjshme që “Për zonat e tjera të vendit zyrat vendore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme do të marrin në konsideratë vendimet e tjera të Këshillit të Ministrave, të cilat do të miratojnë çmimet minimale përkatëse në hartat e qarqeve”. Pas akuzave të PS-së, Ministria e Drejtësisë ka reaguar duke shpjeguar se udhëzimi po zbatohet në kohën e duhur dhe se procesi po vijon sipas procedurave që janë përcaktuar.
27 Shkurt 2008