E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi Lombard, një listë me kushte për të investuar në Shqipëri

Bizneset e fuqishme nga Veriu i Italisë kanë ardhur në Shqipëri kësaj radhe me ide të qarta. Ata kanë kërkuar nga qeveria shqiptare një numër kushtesh tepër të domosdoshme për t’u plotësuar përpara se të vijnë për të investuar kapitalet e tyre në Shqipëri. Përfaqësuesit e biznesit Lombard, të kryesuar nga Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni, si dhe një grup biznesmenësh lombardë që e shoqëronin, kanë vënë një listë me kushte në tryezën e ministrit të Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli, gjatë takimit të djeshëm me të. Në listë përfshihen kërkesa si përcaktimi i kushteve të qarta për të zhvilluar biznes, ligji që mbron konkurrencën e lirë, një sistem i pakorruptueshëm gjyqësor për të mbrojtur të drejtat e biznesit, infrastrukturë optimale për zhvillimin e biznesit, si dhe stabilizim të dokumentacionit mbi pronat ku do të investohet. Gjithashtu, në qendër të takimit ishte bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Rajonit të Lombardisë, rritja e aktiviteteve të përbashkëta të dhomave të tregtisë, agjencive publike lombarde dhe shqiptare për ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve. Ministri Ruli dhe Formigoni folën gjithashtu edhe për hartimin e një programi aktivitetesh të përbashkëta ndërmjet "Promos" Milano apo agjenci të tjera të Rajonit të Lombardisë dhe "Albinvest", Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve lombarde dhe atyre shqiptare në sektorët me interes të përbashkët. Kreu i METE-s, Ruli, e shfrytëzoi këtë takim edhe për t’i bërë ftesë komunitetit të biznesit lombard që të marrë pjesë në tenderat që do të zhvillohen për zhvillimin e zonave ekonomike (parqeve industriale), tashmë të përcaktuara dhe të miratuara nga qeveria shqiptare si dhe në tenderat për koncesionet dhe privatizimet e ardhshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›