Ish-deputeti i PS-së, Kosta, bashkohet me PDK-në
Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, Hamit Kosta, ka deklaruar dje kalimin në radhët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokristiane. Kosta ka dalë në një konferencë për shtyp përkrah kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, ku ka deklaruar bashkimin zyrtar me këtë parti dhe grupin parlamentar të saj. “Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe vlerësimi për partinë politike ku kam bërë pjesë dhe ato parti që kanë një program me sjellje të përshtatshme në vizionin tim, për shtetin dhe demokracinë", - tha Kosta. Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Ndoka, mirëpriti vendimin e deputetit të përjashtuar disa muaj më parë nga radhët e PS-së. “Në deklaratën publike të z. Kosta ka një vlerësim dhe bazë reale për të bashkëpunuar pa paragjykime midis deputetit më të ri dhe Grupit Parlamentar demokristian", - tha Ndoka.
27 Shkurt 2008