E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi belg: Përmes “Klik Ekspo Group” sjellim risinë



Mbretëria e Belgjikës, vendi që ka presidencën e Bashkimit Evropian, është pagëzuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” me statusin “I ftuari i Nderit” i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, në vijim të traditës së simotrave evropiane në ketë sektor. Forumi Ekonomik “Oportunitete të bashkëpunimit mes Belgjikës dhe Shqipërisë” çeli aktivitetet në kuadër të Panarit. Ky forum është nismë e ambasadorit të Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri dhe AWEX - Agjencisë Shtetërore të Eksporteve të Wallonisë në Belgjikë. Në këtë forum merrnin pjesë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Arben Malaj, zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bimo, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, Philippe Suinen, administrator i Përgjithshëm i AWEX, përfaqësues të institucioneve belge të ruajtjes së mjedisit si dhe sipërmarrës të shumtë belgë e shqiptarë.

Prezantimi
Ndër 12 kompanitë belge, prezantuar nga Agjencia Shtetërore e Eksporteve dhe Tregtisë së Belgjikës, AWEX, me konsulencë në 360 vende nga e gjithë bota, dallohen sidomos fushat e specializuara të farmaceutikës, ndërtimit, sistemeve të ngrohjes dhe transportit. Mbretëria e Belgjikës përfaqësohet edhe me një delegacion politik, nën kujdesin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Eksperienca dhe biznesi belg vjen në Shqipëri duke prekur sferat e materialeve dhe konsulencës në fushën e inxhinierisë së ndërtimit, prodhimit të kimikateve, teknikave të riciklimit të mbetjeve industriale dhe urbane, me një theks të veçantë në prodhimin farmaceutik dhe riciklimit.

Tregu shqiptar
Fjalën e hapjes e mbajti Philippe Suinen, administrator i Përgjithshëm i AWEX, i cili përshëndeti përzemërsisht panairin e “Klik Ekspo Group” duke e përshkruar si porta nëpër të cilën biznesi i huaj ka gjetur udhën e tij në Shqipëri. “Wallonia ka qenë e pranishme në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës së organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” prej katër vitesh. Urat e komunikimit janë ndërtuar për të sjellë kushtet e duhura, që biznesi belg të funksionojë në Shqipëri. Duke parë punën e deritanishme, unë jam optimist për të ardhmen e bashkëpunimit tonë”,- tha zoti Suinen.
Më pas, ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili vlerësoi kontaktin e mundësuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” me biznesin e Wallonisë, rajoni më aktiv në fushën e investimeve nga Belgjika. Duke falënderuar organizuesit për ftesën ai tha: “Sistemi shëndetësor në Shqipëri, aktualisht është duke u transformuar nëpërmjet reformave që do ta ndryshojnë rrënjësisht sistemin e vjetruar të teknologjisë së mjekësisë shqiptare. Në mirëpresim investimet në fushën e infrastrukturës, zhvillimit të teknologjisë, standardit të profesionalizmit dhe rritjen e interesit shkencor në fushën e shëndetësisë. Edhe pse, Shqipëria ka një sistem për t’u pasur zili në Evropën Juglindore lidhur me infrastrukturën e shërbimeve, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kontrollin e sëmundjeve epidemike, Shqipëria ka interes për të zhvilluar kërkimet shkencore në fushën e shëndetësisë dhe përmirësuar shërbimet për publikun.”
Zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit te Ujërave, Taulant Bimo, në fjalën e tij, ndër të tjera, theksoi rëndësinë që i kushton qeveria nxitjes së investitorëve vendas dhe të huaj për futjen e teknologjive të reja që kanë si standarde kryesore mbrojtjen e mjedisit në parametra sa më cilësorë.
Gjatë këtij takimi bizneset belge prezantuan teknologjinë dhe planet e tyre të investimit në Shqipëri, ku përparësi iu dha prodhimit dhe shpërndarjes së amiantit, riciklimit të ujërave dhe mbetjeve industriale e urbane. Një sektor tjetër shumë i rëndësishëm gjatë këtyre prezantimeve ishte ai farmaceutikës dhe kërkimit shkencor.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, në fjalën e tij, u shpreh se Panairi i “Klik Ekspo Group” në suksesin e tij, renditet i pari për rëndësinë dhe shërbimin që i bën biznesit shqiptar. “Ne përshëndesim ofertat që biznesi belg po përcjell përmes këtij panairi, sidomos ato të inxhinierisë së ndërtimit, prodhimit të kimikateve, teknikave të riciklimit të mbetjeve industriale, teknologjive më të fundit të kurimit të sëmundjeve. Nga ana jonë, garantojmë se do të punojmë në të ardhmen e afërt që ky biznes të gjejë partnerë të interesuar shqiptarë nga anëtarët e Dhomës sonë. Do të ftojmë agjencinë shtetërore të Eksporteve dhe të Tregtisë së Belgjikës në maj të vitit të ardhshëm, në një panair shumë të madh që synojmë të organizojmë, për të promovuar investimet ne sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare.”
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Arben Malaj shprehu mirënjohjen për ftesën në këtë Forum, një ngjarje që sipas tij zgjeron mundësitë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, në kuadrin e teknologjive më të reja. “Ky rajon i fuqishëm do të sjellë eksperiencën e vet në Shqipëri. Ndaj e vlerësoj maksimalisht këtë prezantim të kompanive belge në Shqipëri permes platformës së Panairit të Klik Ekspo Group. Besoj se në të ardhmen ky bashkëpunim do të sjellë arritje të vyera dhe progres.”

Profil Kompanie
Një nga kompanitë, e cila tashmë ka nënshkruar kontratën dhe do të nisë aktivitetin e saj në tregun shqiptar është edhe Mithra, kompania farmaceutike që kujdeset ekskluzivisht për shëndetin e grave. Kjo kompani ofron një sërë medikamentesh dhe shërbimesh që janë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit tek femrat, në fushat e Kontraceptivëve dhe pjellorisë; menopausës dhe osteoporoses, sfera uterus-vaginale, kanceri i femrave, etj.
Kjo kompani organizoi në tetor 2010 edhe konferencën e parë ndërkombëtare në Shqipëri për gjinekologjinë, duke përfshirë kështu sferën e zhvillimit eksperimental e shëndetësor në vend e rajon. Për më shumë mbi këtë kompani, ju lutem konsultoni faqen e internetit http://ëëë.mithra.be

Biznesi serb, shkëlqim shpërthyes në Panairin e Tiranës

Pjesëmarrje masive e biznesmenëve serbë në “Dita e Biznesit të Serbisë” në edicionin e 17- të

Asnjëherë nuk është parë në një panair një pjesëmarrje kaq e madhe e biznesit serb në Tiranë. Në ditën e dytë të Edicionit të 17 të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, të organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group”, Dhoma e Tregtisë së Serbisë dhe Velexpo, në partneritet me projektin për zhvillimin e konkurrencës të USAID-it në Serbi organizuan një ceremoni festive për prezantimin e “Dita e Biznesit të Serbisë”. Në praninë e ambasadorit të Republikës së Serbisë në Shqipëri, Mirolub Zariq dhe nënkryetarit të Dhomës serbe së Tregtisë, Mihailo Vesoviq, u zhvillua një takim mes përfaqësuesve zyrtarë dhe komunitetit të biznesit dypalësh në prezantimin e ditëve biznesit serb në Shqipëri. Atmosfera e kësaj pritjeje shfaqi prirje drejt rivitalizimit të lidhjeve kulturore e urbane ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori i Republikës së Serbisë në Shqipëri, Mirolub Zariq pasi falënderoi shoqërinë “Klik Ekspo Group” për organizimin e mrekullueshëm të këtij edicioni tha: “Një nga prioritetet kryesore të qeverisë së Serbisë është zhvillimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht me vendet fqinje, ku Shqipëria zë një vend të veçantë. Ky zgjerim i bashkëpunimit rajonal i shërben dhe objektivit tonë të përbashkët integrimit dhe anëtarësimit të vendeve tona në Bashkimin Europian. Kemi nënshkruar së bashku shumë marrëveshje bashkëpunimi dhe së shpejti priten dhe të tjera që do t’i japin një hov të mëtejshëm bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Shfrytëzoj rastin për të uruar vendin tuaj për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Evropian në dhjetor të këtij viti. Besoj se, qytetarët shqiptarë para kësaj date do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza edhe drejt Republikës së Serbisë. Ky vendim i qeverisë sonë do t’i japë një shtytje të mëtejshëm zhvillimit të ekonomive të dy vendeve tona. Kjo pjesëmarrja kaq e madhe e biznesmenëve serbë në Tiranë në Edicionin e 17 të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, të organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” është një dëshmi e rritjes së këtij bashkëpunimi”. Më pas e mori fjalën zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta. Ai u shpreh se Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal dhe për integrimin europian të gjithë rajonit. Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, tha Meta, po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të qartë, pasi integrimi evropian i dy vendeve dhe i gjithë rajonit është një objektiv i përbashkët. Kjo frymë, theksoi zoti Meta është dhe pritshmëria e biznesit. “Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme për bashkëpunimin rajon dhe për integrimin evropian të gjithë rajonit. Marrëdhëniet midis dy vendeve në të kaluarën kanë qenë tepër të vështira, por sot ato jo vetëm që janë mëse të normalizuara, por edhe po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të lartë, pasi ne kemi vendosur një objektiv të përbashkët që është integrimi evropian i vendeve tona dhe i vendeve të rajonit tonë. Kjo frymë konstruktive dhe pro evropiane është më shumë se e dëshiruar, në radhë të parë, nga biznesi, sepse biznesi kërkon më shumë se kushdo tjetër stabilitet dhe bashkëpunim, si kusht për një zhvillim të shpejtë dhe të suksesshëm të sipërmarrjeve”, u shpreh z. Meta. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vlerësoi faktin se sipërmarrjet serbe dallohen për eksperiencën dhe ambicien e tyre dhe theksoi se, sipërmarrësit shqiptarë janë po kaq vitalë dhe do të jenë partnerë shumë të mirë lokalë për sipërmarrësit e shtetit serb. Zëvendëskryeministri Meta shprehu dëshirën që marrëveshjet në proces mes Shqipërisë dhe Serbisë të nënshkruhen sa më shpejt, në mënyrë që të krijohet i gjithë kuadri i plotë ligjor për të operuar në fushën e sipërmarrjeve dhe investimeve. “Ne duam që sa më shpejt të nënshkruhen të gjitha marrëveshjet që janë në proces midis Shqipërisë dhe Serbisë, në të gjitha fushat, dhe në këtë mënyrë të krijojmë të gjithë kuadrin e plotë ligjor për të operuar në fushën e sipërmarrjeve dhe investimeve. Që nga prilli i këtij viti Shqipëria hoqi vizat për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe besojmë që, edhe pse me vonesë heqja e vizave nga Serbia për shqiptarët, përsëri kjo t’i japë një impuls marrëdhënieve bilaterale. Unë do të shpresoja dhe besoja se një lidhje e drejtpërdrejtë ajrore Tiranë-Beograd do të jetë e shpejtë”, tha z. Meta.
Duke u ndalur te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, zëvendëskryeministri Meta shprehu besimin se brenda pak vitesh ato do të jenë të shkëlqyera, ashtu sikurse janë sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. “Unë kam besim në marrëdhëniet midis dy vendeve. Në përfundim të fjalës së tij, zëvendëskryeministri Meta garantoi biznesmenët serbë për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, duke shprehu bindjen se e ardhmja e Ballkanit është bashkëpunimi, gjë që më mirë se kushdo e kupton biznesi.
Nënkryetari i Dhomës serbe së Tregtisë, Mihailo Vesoviq, në fjalën e tij të përshëndetjes, theksoi ndër të tjera se, “shprehem me kënaqësi për faktin që bashkëpunimi ekonomik midis sipërmarrjeve të Shqipërisë dhe Serbisë ka shënuar rritje. Para 5 vjetësh, volumi i shkëmbimeve tregtare mes Serbisë dhe Shqipërisë ishte 6.5 milionë USD, ndërsa sot ka kapur shifrën e 100 milionë USD. Ky është rekord. Në duhet të falënderojmë në mënyrë të veçantë edicionet e këtij Panairi, për këmbënguljen e organizatorëve të tij për të siguruar një pjesëmarrje kaq të gjerë të biznesit serb në Tiranë”. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka theksoi se, shpreh një falënderim të veçantë për shoqërinë “Klik Ekspo Group” që, me standarde europiane organizon panairin më të madh të biznesit në Shqipëri. Më tej Jaka theksoi se, “marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit. Që në gusht të vitit 2004, ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes dy vendeve tona. Për vitin 2009, vëllimi i transaksioneve Shqipëri-Serbi ishte në nivelin e 50 milionë eurove. Kompanitë serbe kanë eksportuar në Shqipëri: materiale metalike, pompa të ndryshme, misër, energji elektrike dhe pije freskuese. Kompanitë shqiptare kanë eksportuar: Energji elektrike, metale gjysmë të përpunuara, mobilie për dhoma gjumi, vajra ushqimorë të papërpunuar dhe shalqinj. Më lejoni gjithashtu të kujtoj se Serbia dhe Shqipëria nënshkruan në vitin 2006 një marrëveshje që shënoi themelimin e Komunitetit të Energjisë në Europën Juglindore. Kjo marrëveshje solli krijimin e një tregu të vetëm të energjisë elektrike dhe të gazit natyror në Europën Juglindore dhe në Bashkimin Europian. Zbatimi i saj po ndërlidh sektorët energjetikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, para se këto vende të bëhen anëtare me të drejta të plota të BE-së. Ka, gjithashtu, mundësi të rëndësishme për transferimin e eksperiencës dhe bashkëpunimit në zhvillim, ndërtim dhe rehabilitimin e rrjeteve të energjisë elektrike. Së dyti, Dhoma e Tregtisë e Serbisë dhe Dhome e Tregtisë dhe Industrisë së qarkut Tiranë kanë marrëdhënie shumë të zhvilluara institucionale. Të dyja Dhomat kemi rënë dakord që shumë shpejt të realizojmë një takim, mision biznesi në Tiranë. Kjo mund të kryhet me rastin e Panairit të madh në maj 2011, që do të organizojë Dhoma jonë, ku do të prezantohen sektorët strategjike të investimeve të huaja në Shqipëri. Se treti, Shqipëria ofron trajtimin më të favorshëm fiskal në kontinent, me taksën për fitimin në nivelin 10 %, nëpërmjet aplikimit të taksës së sheshtë. Ftoj të gjitha bizneset serbe të bashkëpunojnë me bizneset shqiptare, pse e ardhmja e dy vendeve tona dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit Jugperëndimor është integrimi në BE dhe sa më të bashkuar të jemi si treg rajonal, aq më konkurrues do të paraqitemi edhe në tregun e madh të Bashkimit Evropian”. Në mbyllje përshëndeti dhe Përfaqësuesi I USAID në Serbi. Një numër marramendës firmash janë prezente në Pavionin shtetëror të Serbisë, me një larmi produktesh si: ushqimore, veshje, biçikleta, dyer, dritare e pajisje elektronike, mobilie, fertilizuesa kimik e qeramike, prodhim gëlqereje e prodhimesh plastike për paketim, prodhim panele çatish, kozmetikë, çajëra, kafe e fruta të ngrira e të thata. Serbia është organizatore e disa eventeve brenda ditëve të Panairit si “Dita e Ekonomisë të Serbisë” dhe një sfilatë mode me “Veshje e stile për të rinj dhe fëmijë”.

27 Nentor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›