Rezoluta, pensionet e ushtarakëve, në Strasburg
Albert Gjoka
TIRANË – Ushtarakët shqiptarë çojnë dosjen e pensioneve në Strasburg dhe avokati i tyre do të jetë EUROMIL-i, organizata më e madhe europiane në mbrojtje të të drejtave të ushtarakëve. Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë miratoi dje në Aktivin e Tiranës një rezolutë, e cila ka paraqitur edhe një Apel, ku përcaktohen disa kushte. Ushtarakët në lirim, pension të plotë ose të pjesshëm, kërkojnë takim me kryeministrin Berisha ose, në rast të kundërt, anëtarët e kësaj organizate dhe disa sindikata të tjera do të hidhen në protesta.
Gjatë ditës së premte, drejtuesit e Aleancës kanë kundërshtuar edhe Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave që pritet të kalojë në procedurë votimi në Kuvend. Prej disa vitesh ushtarakët kërkojnë nga qeveritë zbatimin e ligjit dhe Statusit të Ushtarakut për skemën e pensioneve, pasi në zbatimin e saj praktik ka paradokse dhe shkelje të rënda financiare në kurriz të ushtarakëve joaktivë.
Rezoluta
“AKUSH-i, në kuadrin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në EUROMIL, me vendimin e BE-së për lëvizjen e lirë të shqiptarëve pa viza në zonën ‘Shengen’, synon bashkëpunimin më të mirë me EUROMIL-in, duke kërkuar edhe mbështetje dhe avokatinë e tij për të drejtat e ushtarakëve deri në Gjykatën e Strasburgut”, - thuhet në rezolutën e miratuar dje. Në dokumentin e miratuar, ushtarakët kanë bërë një apel me disa pika: Ata kërkojnë të vlerësohet roli i ushtarakut si simbol kombëtar, zbatimi i të drejtës së fitues për çdo ushtarak, përshpejtimin e procedurave në rillogaritjen e dhe kërkojnë zyrtarisht një takim me kreun e qeverisë që të diskutohen çështjet që shqetësojnë komunitetin e ushtarakëve.
Gjendja
Ndryshimet e njëpasnjëshme të kuadrit ligjor për ushtarakët kanë përkeqësuar statusin e tyre social dhe ekonomik. Ligji 10142 i vitit 2009, Vendimi Nr. 33 i Gjykatës Kushtetuese dhënë në qershor të këtij viti dhe së fundi Akti Normativ, nuk kanë zgjedhur kërkesat e këtij komuniteti. Aktualisht, ISSH-ja ka nisur një proces për regjistrimin e të gjithë ish-ushtarakëve që duan të bëjnë rillogaritje të pensioneve.
Por, drejtuesit e shoqatave të ushtarakëve thonë se duan zbatimin e ligjit, duke respektuar të drejtën e fituar nga Statusi i Ushtarakut dhe ligjet e tjera për këtë shtresë apo për sigurimet shoqërore.
“Mos prekni të drejtë e fituar të ushtarakëve për rreth 11 300 përfitues ushtarakë, mos krijoni kufizime artificiale dhe absurde që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës demokratike”, - thuhet në rezolutën e AKUSH-it. Sipas të dhënave zyrtare të shoqatave, shumë ushtarakë vuajnë nga sëmundje profesionale, ndërsa rreth 500 veta që jetojnë të vetmuar, pa përkrahje sociale e ndihmë familjare, me mundësi të kufizuara financiare për të jetuar, si dhe mungon një shtëpi e të moshuarve në shkallë vendi”.
EUROMIL, avokati i ushtarakëve
Organizata më e madhe sindikale e ushtarakëve aktivë dhe pasive në Europë, EUROMIL, është angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti në Shqipëri. Një angazhim i tillë vjen vetëm pak ditë pas pranimit të Shqipërisë si vend anëtarë dhe Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë si organizatë vëzhguese. EUROMIL-i ka partneritet me institucione të tilla si Parlamenti Europian, Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE/ODIHR-i etj. dhe lobon për miratimin e konventave apo ushtron presione ndaj vendeve që nuk respektojnë të drejtat themelore të personelit të Forcave të Armatosura.
Vetëm pak ditë më parë u prezantua në Tiranë udhëzuesi i OSBE/ODIHR-it që përfshinë paketën e të drejtave që kanë ushtarakët. Presidenti i kësaj organizate, Emmanuel Jacob ka vizituar Shqipërinë gjatë këtij viti dhe ka nisur procedurat për mbrojtjen e të drejtave të ligjshme të ushtarakëve. Njëra prej tyre është edhe asistenca për depozitimin e padisë në Gjykatën e Strasburgut pas dështimit të rrugëve administrative dhe ligjore të ushtarakëve për përfitimin e të drejtave ligjore dhe financiare.
Tre alternativat për ushtarakët
Ushtarakët debatuan dje për alternativat për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Njëra prej tyre është ulja në bisedime me qeverinë përmes një komunikimi të institucionalizuar. Një tjetër alternativë është radikalizmi i lëvizjeve. Shumë prej ushtarakëve u shprehën të lodhur me zvarritjet dhe mashtrimet 20-vjeçare dhe kërkuan radikalizmin e lëvizjes. Një opsion i tretë është vajtja në Gjykatën e Strasburgut, për të cilën tashmë ka nisur puna, pasi dosja e ushtarakëve po merr konsulencën e ekspertëve europianë në Bruksel para depozitimit të saj në gjykatë. Dje, për herë të parë ka qenë i pranishëm në takimin e AKUSH-it edhe një përfaqësues i Avokatit të Popullit, i cili kërkoi nga Shoqata që të formatojë punën e saj në aspektin e mbrojtjes ligjore për ushtarakët që kërkojnë të ndjekin rrugën gjyqësore për marrjen e sasisë së pensioneve që iu takojnë sipas ligjit.
PIKAT E APELIT
- Vlerësoni ushtarakun si një simbol kombëtar dhe një imazh i mirë i Republikës!
- Zbatoni të drejtën ligjore të fituar nga çdo ushtarak, të cilën ia ka dhënë ligji dhe Statusi i Ushtarakut!
- Të përshpejtohen procedurat në rillogaritjen pensioneve dhe filloi menjëherë pagesat!
- T`i jepet fund diskriminimit me lojën juridike, miratimit pa fund, ligje pas ligjesh, duke shkelur parimin e sigurisë juridike!
AKUSH-i kërkon një takim me kryeministrin, z. Sali Berisha për zbatimin e drejtave të ushtarakëve
27 Nentor 2010