E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi dhe ambasadori amerikan, optimistë për ekonominë

Udhëheqës të rëndësishëm, biznesi u shprehën dje shumë optimistë se kriza ekonomike botërore nuk do të prekë Shqipërinë dhe jashtëzakonisht të bindur se ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës Lindore, vendi ynë nuk do të kalojë në recesion. "Ky është vendi më pak i prekur nga kriza. Është vend konservator, me fondamenta ekonomike të shëndosha dhe me familje të fortë", tha Philip H. Bay. Presidenti i SHBA në Tiranë, John Withers II, e mbështeti këtë konkluzion. "Pavarësisht se FMN deklaron se do të ulë parashikimin për rritjen ekonomike, ne e shohim se ekonomia është në ekspansion", tha ambasadori Withers. Diplomati amerikan theksoi gjithashtu, se për të siguruar rritje ekonomike ka nevojë që mosmarrëveshjet mes bizneseve dhe qeverisë të "shqyrtohen nga gjykatës të pavarur dhe profesionistë" dhe se "regjistrimi i pronave, i cili mbetet ndoshta problemi më i madh në Shqipëri, të kryhet të mënyrës transparente". Ambasadori tha gjithashtu se në tatime dhe dogana duhet të bëhen përmirësime të mëtejshme për të mos penguar biznesin e ndershëm, por që në të njëjtën kohë, të mos lënë pa ndëshkuar atë të pandershmin.

Në një takim tjetër me median, Borislav Kostadinov, drejtor banke në Tiranë, tha se ekonomia shqiptare është e mbrojtur nga kriza për shkak të "normës së ulët të integrimit me sistemin global", si dhe për shkak se disa sektorë kyçë janë në një fazë të tillë zhvillimi që nuk mund të preken nga kriza. "Bujqësia nuk mund të shkojë më poshtë. Ajo thjesht do të rritet", tha Kostandinov. "Besoj se edhe turizmi, i cili është një nga industritë më të dëmtuara nga kriza botërore, në rastin e Shqipërisë nuk do të ketë probleme". Sipas tij, shqiptarët nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia do të vijojnë të vijnë për pushime në Shqipëri edhe këtë vit.

Për Dhomën Amerikane të Tregtisë, situata është aq optimiste sa motoja e këtij viti u propozua të jetë: "Për çfarë recesioni po flisni"?!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›