E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet kontrolli ndaj pasqyrave financiare

Kontrolli ndaj bilanceve dhe pasqyrave financiare të kompanive do të rritet ndjeshëm, sipas rregullave të reja të BE-së, duke shmangur çdo keqkuptim mbi situatën ekonomike të firmës. Edhe pse kufiri që lejon certifikimin e bilancit do të pësojë rritje me miratimin e ligjit e ri, ekspertët e Ministrisë së Financave kanë rritur numrin e audituesve, si dhe kanë futur në skemën e kontrollit të gjitha shoqëritë tregtare, pavarësisht nga forma e tyre, të cilat zbatojnë për raportimin financiar Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, si dhe të gjitha shoqëritë aksionare, të cilat zbatojnë për raportimin financiar Standardet Kombëtare të Kontabilitetit.

Zanafilla e krizës ekonomike rezultoi se ishte bilanci financiar, i shtrembëruar, që nuk paraqiste të vërtetën mbi gjendjen reale të kompanisë. Kjo situatë vazhdoi për vite të tëra, me bilance të hartuara në atë formë që krijonte idenë se shoqëria private po ecte pozitivisht, derisa një ditë mashtrimi nuk mund të mbulohej më. Sikundër hartohen bilance pozitive (kjo ndodh kur kompania është listuar në bursë), në vendin tonë rezulton e kundërta, me bilance financiare që paraqesin humbje për kompaninë, me qëllim që të mos paguhen detyrimet ndaj shtetit. Nisur nga të dyja këto fenomene, e nxitur më së shumti edhe nga direktiva e BE-së (më 3 mars Parlamenti Evropian do të vendosë rregulla të reja për ekspertët kontabël), qeveria shqiptare i propozoi Kuvendit projektligjin "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar". Në thelb, ndryshimet e miratuara nga qeveria prekin më së shumti ekspertin kontabël, si faktori kyç në certifikimin e bilancit financiar të një kompanie. Lidhur me kontabilistin, tepër i rëndësishëm për nga procedura që ndiqet drejt e në ballafaqimin e fakteve, projektligji nuk merret shumë me këtë profesionin. "Për ne e rëndësishme është roli që luan eksperti kontabël, i cili ka në dorë vulën për të aprovuar ose jo atë bilanc të përgatitur nga kontabilisti. Kështu është parashikuar edhe në direktivën 8 të BE-së", sqaron për "Shqip", Linda Rusmaili, drejtoreshë e Legjislacionit në Ministrinë e Financave.

Rastet

Raportimi financiar i kompanive private nuk do të jetë thjesht një procedurë rutinë, ku pas një vule nga eksperti kontabël, ligjëron para organeve të fiskut fuqinë e saj ekonomiko-financiare. Me ligjin e ri, përveç dy rasteve të përmendura më sipër, shoqëritë që do të jenë të detyruara të kenë ekspertë kontabël, janë ato me përgjegjësi të kufizuar, të cilat zbatojnë për raportimin financiar, Standardet Kombëtare të Kontabilitetit, kur në mbyllje të periudhës kontabël tejkalojnë dy prej tre treguesve, si: totali i aktiveve të bilancit në mbyllje të periudhës kontabël përkatëse arrin ose e kalon shumën prej 40 milionë lekë; shuma e të ardhurave nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) në atë periudhë kontabël arrin ose e kalon shumën prej 30 milionë lekësh dhe ka mesatarisht 30 të punësuar gjatë periudhës kontabël.

Kontrolli

Një debat i fortë mes institucioneve financiare në vend lidhet me rotacionin e shoqërive audituese dhe ekspertit kontabël. Palët kërkonin një afat të limituar për shoqëritë audituese, në mënyrë që të mos krijoheshin keqkuptime me kompaninë që ato kontrollonin. Banka e Shqipërisë kërkonte një kompani audituese të mos kontrollonte bilancet e një kompanie më shumë sesa tre vjet rresht, kurse Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare propozonte një afat prej 2 vjetësh, e gjitha kjo për të shmangur çdo "lidhje të ngushtë" mes audituesit dhe kompanisë private. Por meqë në treg operojnë 4 shoqëri auditimi (vetëm dy janë aktive), Ministria e Financave vendosi një afat rotacioni 7 vjet, me të drejt rikthimi pas dy vjetësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›