Biznesi dhe konsumatori, pesimistë për ekonominë
Biznesi dhe konsumatori shqiptar janë tepër pesimistë për të ardhmen e ekonomisë. Në një vëzhgim të bërë nga Banka e Shqipërisë në 3-mujorin e katërt të vitit 2008, rezulton se biznesi ka më pabesim se aktiviteti i tij do të ecë përpara dhe konsumatorët kanë më pak besim se gjendja ekonomike e tyre do të jetë më e mirë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në një konferencë për shtyp bëri publike të dhënat e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë. Sipas vrojtimit, bizneset e sektorit të shërbimit dhe industrisë janë pesimiste dhe presin që aktiviteti i tyre të tkurret gjatë muajve në vazhdim. Jo vetëm biznesi, por edhe konsumatorët duken më pesimiste. Sipas vrojtimit, vlera e treguesit të besimit tek konsumatorët aktualisht qëndron poshtë mesatares së tij afatgjatë. Kjo rënie, sipas Bankës, është përcaktuar nga pritjet pesimiste të konsumatorëve për situatën e tyre financiare dhe ekonomike për tremujorin e parë të 2009-s, si dhe vlerësimin negativ të situatës së blerjeve në shuma të mëdha dhe situatës së kursimit. "Publikimi i treguesve të besimit të biznesit dhe të konsumatorit përbën një moment të rëndësishëm në drejtim të rritjes së transparencës së Bankës së Shqipërisë", - cilësoi Fullani. Sipas tij, rezultatet e përftuara nga përpunimi i përgjigjeve të bizneseve dhe konsumatorëve janë plotësisht të pavarura dhe të pandikuara nga Banka e Shqipërisë, nga koniunktura ekonomike, financiare dhe politike brenda apo jashtë vendit. "Finalizimi i projektit disavjeçar të Bankës së Shqipërisë, përgjatë të cilit u konsoliduan Treguesit e Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, përbën realizimin e njërës prej pikave të strategjisë së zhvillimit afatmesëm të institucionit". Këta tregues ndërtohen në bazë të informacionit që merret nga proceset e vrojtimeve, që në terminologjinë teknike njihen si Vrojtimet e Tendencës/Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit. Banka e Shqipërisë i realizon këto vrojtime në bashkëpunim me INSTAT-in. "Banka e Shqipërisë ka punuar për disa vite në ndërtimin e këtyre treguesve, duke u mbështetur në rezultatet e vrojtimeve në shkallë të gjerë pranë rreth 720 bizneseve dhe 1200 konsumatorëve", - theksoi Guvernatori Fullani. Ai vlerësoi dhe bashkëpunimin me liderë botërorë në këtë fushë, që sipas tij, ka qenë më se eficient. "Ekspertë të Institutit gjerman të Studimeve Ekonomike Ifo, kanë mbështetur procesin metodologjik dhe të analizës ekonomike mbi bazën e treguesve të besimit të biznesit. Në këtë punë disavjeçare, ekspertë të Bankës së Shqipërisë kanë studiuar dhe aplikuar aspekte të rëndësishme të metodologjive bashkëkohore të ndjekura nga vende të OECD-së dhe nga ato të zbatuara nga Komisioni Evropian", - tha Guvernatori i BSH-së, Adrian Fullani. Guvernatori tha se prej më se katër vitesh, rezultatet e sjella nga këta tregues, janë marrë gjithnjë e më shumë në konsideratë nga vendimmarrja në Bankën e Shqipërisë. Me anë të tyre është mundësuar ndërtimi i treguesit të rëndësishëm të pritjeve të inflacionit. Me anë të tyre merret informacion paraprak në lidhje me ecurinë e pritshme të çmimeve të prodhimit, një hallkë e rëndësishme e procesit çmim-formues në ekonomi.
Tendenca ekonomike sipas treguesve të vrojtimit të BSH-së
Sipas vrojtimit, në tremujorin e katërt të vitit 2008 Treguesi i Tendencës Ekonomike (TTE) ra me 10 pikë përqindjeje duke shënuar vlerën 105.3. Treguesi i tendencës, i cili shënoi rritje në tremujorin e dytë dhe atë të tretë të vitit të kaluar, respektivisht me 2 dhe 9 pikë përqindjeje, aktualisht qëndron 4 pikë përqindjeje më lart sesa mesatarja afatgjatë e tij. Ulja në treguesin e tendencës së ekonomisë në tremujorin e fundit të vitit 2008 është përcaktuar nga rënia në tre nga katër sektorët, balancat e të cilëve formojnë TTE. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008 u regjistrua rënie e besimit në sektorin e shërbimeve, në atë të industrisë dhe rënie e besimit të konsumatorëve. Në kontrast me sektorët e tjerë, treguesi i besimit të ndërtimit shënoi rritje, duke dhënë kontribut pozitiv në ecurinë e treguesit të përgjithshëm të ekonomisë. Aktualisht, treguesit e besimit të industrisë dhe të konsumatorëve qëndrojnë poshtë mesatares së tyre afatgjatë. Treguesi i besimit të industrisë (TBI) në 3-mujorin e katërt 2008 vijoi prirjen e lehtë rënëse që nga tremujori i kaluar. Treguesi i besimit, i cili kishte shënuar rënie me 1.2 pikë përqindjeje në T3-08, ra me 0.3 pikë përqindjeje në tremujorin e fundit të vitit, i ndikuar kryesisht nga përkeqësimi në situatën e punësimit. Ndërkohë, përmirësimi i vlerësimeve të bizneseve për prodhimin industrial dhe pakësimi i inventarëve në T4-08, kontribuuan pozitivisht në TBI. Vlerësimet e bizneseve për kërkesën e brendshme dhe për kërkesën për eksporte në T4-08 janë ulur krahasuar me një tremujor më parë. Gjendja e përgjithshme e biznesit dhe ecuria e ekonomisë në vend janë gjykuar në rënie nga bizneset e industrisë, në krahasim me vrojtimin e kaluar. Faktorët që kanë ndikuar negativisht në aktivitetin e bizneseve janë kryesisht problemet që lidhen me praninë e ekonomisë informale dhe problemet me energjinë elektrike. Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese në T4-08 vlerësohet në ulje në krahasim me tremujorin e tretë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve për industrinë në T4-08 është 72.4%, më e lartë për degën e industrisë së mallrave të konsumit dhe degën e industrisë përpunuese dhe më e ulët për degën e industrisë së mallrave kapitalë (përkatësisht, 73.8%, 73.1% dhe 70.3%). Çmimet e prodhimit në sektorin e industrisë vijojnë prirjen rënëse të nisur që nga T2-08.
Pritjet e bizneseve për T1-09, në linjë me vlerësimet e bizneseve për situatën korente, janë në rënie; pritjet për situatën ekonomike dhe kërkesën për eksporte janë negative dhe në rënie. Kërkesa e brendshme e pritur, prodhimi dhe aktiviteti i pritshëm i biznesit, megjithëse në nivele pozitive, janë në rënie nga vrojtimi i kaluar.
Treguesi i Besimit të Ndërtimit (TBN) u rrit me 4 pikë përqindjeje në T4-08 dhe aktualisht, qëndron sipër mesatares së tij afatgjatë. Vlerësimet pozitive dhe në rritje të bizneseve ndërtuese për kërkesën dhe për prodhimin në T4-08, përcaktuan rritjen e treguesit të besimit. Për sa u përket vlerësimeve të bizneseve për situatën e punësimit, balanca përkatëse vijon të jetë negative që nga tremujori i kaluar. Treguesi i besimit të shërbimeve (TBSH) shënoi një rënie prej 7 pikësh përqindjeje në T4-08. Megjithatë, ky tregues qëndron dukshëm mbi mesataren e tij afatgjatë. Rënia në treguesin e besimit u shkaktua nga një vlerësim më pak optimist për të tre treguesit përbërës; ecuria e përgjithshme ekonomike, situata e punësimit dhe situata financiare. Kërkesa është vlerësuar në rënie në T4-08. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në T4-08 ka rënë në 73.6% nga 80% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Pjesa më e madhe e bizneseve (64%) e vlerësojnë të mjaftueshëm kapacitetin aktual, ndërsa 19% e tyre e vlerësojnë të tepërt, duke marrë parasysh kërkesën aktuale dhe pritjet për vitin në vijim.