E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toga “kushtetuese” e pushkatimit

Nga Nebil Çika

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dje ligjin për pastrimin e figurave zyrtare, duke u dhënë një goditje të rëndë përpjekjeve për dekomunistizimin e politikës dhe institucioneve të shtetit shqiptar. Në fakt, një vendim i tillë nga Gjykata Kushtetuese ishte i pritshëm për shkak të konfliktit të interesit të një pjese të anëtarëve të saj (ndoshta të shtatë ata që votuan kundër ligjit ) që përfliten të jenë të përfshirë në krimet e komunizmit në Shqipëri. Gjykimi në konflikt interesi i një çështjeje përbën pa dyshim një akt që asnjë gjykatë kushtetuese e vendeve demokratike nuk do të kishte guxuar ta merrte përsipër, ndërkohë që ky skandal mund të konsiderohet pa frikë si standardi i vërtetë i drejtësisë shqiptare. Në fakt, një nga synimet e ligjit, ndoshta më parësori, ishte pastrimi i pushtetit gjyqësor nga autorët e gjenocidit komunist, pengesa kryesore e deritanishme e reformimit aq të kërkuar ndërkombëtarisht të drejtësisë shqiptare. Vendimi për pezullimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese është pa dyshim një përpjekje e hapur për mbajtjen peng të demokracisë shqiptare nëpërmjet kontrollit të institucioneve të rëndësishme politike e shtetërore nga tentakulat e diktuarës. Dje, 6 nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i janë bashkëngjitur krimit të deklaruar kolegut të tyre në varjen e një poeti vetëm një vit para rënies së diktaturës. Por jo vetëm kaq. Shtatë anëtarë të forumit më të lartë të drejtësisë shqiptare kanë votuar dje pro krimeve të diktaturës komuniste duke konsumuar një tjetër krim më ipakat tejet negativ për te tashmen dhe të ardhmen shoqërisë shqiptare. Dje, këta të ashtuquajtur gjykatës, jashtë çdo parimi e logjike juridike, kanë votuar pro vrasjeve, burgimeve, internimeve e dhjetëra formave të tjera kriminale që diktatura komuniste përdori për të mbajtur të skllavëruar për 5 dekada këtë popull. Nuk do mend që ishte një vendim politik i marrë me pare ne zyrat e opozitës ish- komuniste që tregon më së miri frymën dhe politikat penale që mbizotërojnë në sistemin tonë gjyqësor, inkriminimi i të cilit është sot i deklaruar publikisht dhe zyrtarisht . Sigurisht që dëmi është shumë i madh, ndërkohë që qëllimi i vendimit shumë i qartë: Bllokimi i përpjekjes madhore te shtetit shqiptar për tu ndarë ligjërisht nga e kaluara kriminale . Mbrojtja e mijëra krimeve dhe autorëve të tyre nga Gjykata Kushtetuese ka kompromentuar rëndë ekzistencën e demokracisë në Shqipëri si dhe ka tronditur fort besimin e qytetarëve më të persekutuar të Evropës tek vlerat e shtetit juridik. Shtatë gjyqtarë kanë marrë sot përsipër t’i bashkohen bandës së madhe të autorëve të krimeve të diktaturës, duke humbur çdo vlerë reale, profesionale e njerëzore të institucionit që ata fatkeqësisht përfaqësojnë. Ata zgjodhën përdhosjen e “të drejtës” ligjore dhe hyjnore në vend që të hynin në histori duke i hapur rrugën përpjekjes më serioze pas revoltave të studenteve në vitin 1990 për t’u ndarë nga diktuara. Ata vendosën dje shtatë firma për rivarjen e poetëve, ripushkatuan pa gjyqe intelektualët dhe qytetarët e pafajshëm të këtij vendi, ridënuan, riinternuan çdo shqiptar që inspiroi lirinë, demokracinë dhe shtetin ligjor. Ata janë pa dyshim firmosësit më të fundit të krimit komunist.

Duket se situata nuk ka ku të shkojë më keq. Sot, 19 vjet mbas rënies së pretenduar të diktaturës, miliona shqiptarë përballen me një nga sfidat më të forta të krimit komunist, rreshtimin në krah të gjenocidit të një prej institucioneve më të rëndësishme të garantimit të demokracisë dhe shtetit ligjor, Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht që ky vendim i kapërcen kufijtë e 7 votave kushtetuese. Ai është derivat i asaj rezistence që zgjatimet e diktaturës organizuan duke aktivizuar çdo qelizë të tyre në politikë, institucione shtetërore, media e madje edhe jashtë Shqipërisë. Në këto vite të pluralizmit politik s’besoj se mund të gjendet një bashkim e solidaritet i të implikuarve në krimet e komunizmit si ky kundër ligjit të lustracionit. “Dosjet bashkojnë të majtët” ishte titulli domethënës i një të përditshmeje opozitare. Deklaratë publike më e sinqertë e më e guximshme nuk besoj se mund të gjendet. Mirëpo na duhet të pranojmë me dëshpërim se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është pa dyshim një dështim i forcave antikomunistëve, demokratike e properëndimore shqiptare. Është një “lak” në qafën e demokracisë dhe shtetit ligjor po aq i përgjakur sa ai në qafën e Avzi Nelës, një plumb po aq kriminal sa ata në trupat e Gencit dhe Vilsonit, një masakër po aq makabër sa ajo e Tivarit, Postribës, Ambasadës Sovjetike, po aq terroriste sa vrasjet në kufi dhe zvarritjet e trupave rrugëve të qyteteve të vendit e mijëra krime të tjera të komunizmit. Sot, demokracia shqiptare është seriozisht e plagosur, ndërgjegjja jonë kombëtare e lënduar dhe e provokuar poshtërsisht, e ardhmja jonë evropiane më e kërcënuar se kurrë. Sot, fatkeqësisht shqiptarët kanë të gjithë të drejtën të jenë të zemëruar edhe me partnerët tanë perëndimorë, prononcimet e përfaqësuesve të të cilëve u përdorën si “suport ndërkombëtar” për mbrojtjen kushtetuese të krimeve kundër njerëzimit. Pyes veten: Si do të ndiheshin qytetarët perëndimorë nëse sot, pas 60 vjetësh, gjykatat e tyre të dilnin në mbrojtje të krimeve naziste?

Por ata janë të qetë se kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë kurrë. Jo vetëm për shkak të standardeve të demokracisë dhe shtetit ligjor, por edhe për faktin se në trupat e gjykatave të tyre kushtetuese dhe të asnjë qelizë e shtetit nuk mund të gjesh asnjë autor të krimeve naziste apo lidhje politike e gjenetike të tyre.

Mirëpo ky moment ka edhe anën e tij pozitive. Tani gjithkush mund ta kuptojë se përmbysja përfundimtare e pretenduar e komunizmit është ende një iluzion. Mjaftoi vetëm një përpjekje serioze për dekomunistizim të shtetit shqiptar për të parë publikisht se mbas “lëkurave demokratike” qëndrojnë po ata kthetra që janë të gatshëm ta përgjakin Shqipërinë sa herë pushteti i tyre kërcënohet realisht.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›