E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet nafta, por jo çmimet e biletave

Ulja me 50 % e çmimit të karburanteve, nuk pasqyrohet në tarifat e biletave të transportit në vend

Pronarët e mjeteve të transportit publik, vazhdojnë të aplikojnë çmime të njëjta me periudhën kur nafta shitej me 150 lekë për litër


TIRANË - Automjete të amortizuara, ulëse jo të rehatshme dhe ç'është më kryesorja, çmime të larta, pavarësisht luhatjeve që ka pësuar nafta. Kjo është panorama, me të cilën u duhet të përballen çdo ditë udhëtarët e linjave ndërqytetëse në të gjithë vendin. Prej disa javësh çmimi i arit të zi vazhdon të shitet 40 deri 45 lekë më ulët, krahasuar me muajin gusht, kur në tregun vendas ai shënoi kulmin e tij. Ishte kjo periudha kur pronarët e furgonëve dhe të autobusëve, të përballur me çmime të çmendura, u detyruan që të rrisnin me nga 50, 100 apo me 150 lekë çmimet për linjat, të cilat ata frekuentojnë. Tani që nafta, justifikimi kryesor i rritjes së çmimeve nga shoferët, po pëson herë pas here ulje të mëdha, këta të fundit duket se nuk kanë ndërmend t'i rishohin edhe njëherë tarifat e disa muajve më parë. Edhe këtë herë ka një justifikim; janë taksat që, sipas tyre, janë të larta, apo detyrimi që rrugën e kthimit për në vendin e origjinës ta bëjnë pa marrë asnjë pasagjer. Në fakt, detyrimi për t'u kthyer bosh, nuk aplikohet në të gjitha linjat, kjo e bën edhe më të rëndë situatën, pasi çmimet e biletave mbahen të larta abuzivisht. Të gjithë ketë mospasqyrim të drejtë të çmimeve të karburanteve në tarifën e biletave, e vuajnë qytetarët, të cilët gjithmonë duhet të paguajnë njësoj, pavarësisht shërbimit që u ofrohet. Duke u fokusuar tek rregulli që rrugën e kthimit duhet ta bëjnë bosh, shoferët justifikohen se ky detyrim ndaj tyre i bën ata që të mos marrin parasysh asnjë luhatje të çmimeve të karburanteve. "Në qoftë se nuk më lejohet të marrë pasagjer rrugën e kthimit, nuk kam se si ta ul biletën, pasi mund të bëj vetëm dy rrugë në ditë. Të parën e bëj për të paguar taksat e shtetit dhe naftën, ndërsa të dytën e bëj për të ushqyer fëmijët e mi", - shprehet pronari i një furgoni, i cili frekuenton linjën Tiranë-Elbasan. Më tej, ai shpjegon se, një pjesë e madhe e kolegëve të tij, i kanë marrë me qira mjetet që punojnë dhe për pasojë janë të detyruar që të nxjerrin fitimet maksimale brenda një periudhe të shkurtër, duke u bërë ndonjëherë edhe abuzues. Të detyruar të udhëtojnë me çfarëdo tarife, qytetarët që nuk kanë një mjet privat apo që janë të detyruar të udhëtojnë me mjete të transportit publik, për shkak të harxhimeve të mëdha me automjetet e tyre, nuk e fshehin shqetësimin në lidhje me këtë gjendje. "Kur ankoheshim në fillim për rritjen e tarifave, shoferët shpreheshin se është rritur çmimi i naftës, ndërsa tani që po dëgjojmë se ka pësuar rënie, këta nuk kanë ndërmend të ulin tarifat e biletave", - shprehet Erblina, studente nga Elbasani, e cila për arsye familjare është e detyruar të shkojë çdo fundjavë në shtëpi. Ajo nuk ngurron të denoncojë edhe disa abuzime të tjera të disa shoferëve. "Zakonisht, të dielave pasdite, kur studentët kthehen në Tiranë, disa shoferë të papërgjegjshëm nuk hapin dyert e furgonëve, pasi presin të mblidhen sa më shumë njerëz, në mënyrë që të rrisin më tej çmimin e biletës. Ka pasur disa raste kur më është dashur të udhëtoj me 500 lekë biletë nga Elbasani në Tiranë, ndërkohë që çmimi normal është 300 lekë", - shprehet ajo. Për sa i përket institucionit që duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e çmimeve të transportit publik, burime nga Ministria e Transportit shprehen se është pushteti vendor, ai të cilit i takon të merret më këto dukuri. Në këtë situatë, qytetarëve u mbetet ose të minimizojnë udhëtimet, ose t'i bëjnë llogaritë mirë para se të nisen për një të tillë.

---------------------------------------------------------------------------


Transporti, për dhjetorin, vetëm 1.8 për qind ulje

INSTAT-i konfirmon një ulje të pakonsiderueshme të çmimeve të transportit për muajin dhjetor 2008.

TIRANË - Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë një ulje të çmimeve të transportit me 1.8 për qind për muajin dhjetor 2008. kjo është një shifër shumë e ulët e krahasuar me shkallën e uljes së çmimit të karburanteve për këtë muaj. Sipas INSTAT-it, vetëm për muajin dhjetor, karburantet kanë shënuar një ulje 8.9 për qind për naftën dhe 6.4 për qind për benzinën, të cilat nuk janë reflektuar aspak në çmimet e biletave të linjave ndërqytetëse. Që nga vera e vitit të kaluar, kur arriti kulmin në treg, çmimi i naftës në muajt pasardhës ka pësuar një ulje deri në 50 për qind. Pavarësisht kësaj dukurie të tregut të karburanteve, udhëtarët nuk kanë arritur të përfitojnë nga kjo situatë, pasi janë të detyruar të paguajnë tarifat sikur ishin gjatë kohës së krizës që pësoi ari i zi. Ajo që e bën edhe më informate, është edhe mospajisja e udhëtarëve me bileta, në të cilat cilësohet edhe çmimi që duhet të paguajë çdo pasagjer. Referuar ligjit për "Transportet Rrugore", nr. 8308, datë 18.03.1998, neni 10, çdo mbajtës i licencës për transport ndërqytetës të udhëtarëve, është i detyruar që t'i pajisë ata më biletë ose faturë, gjë e cila rrallëherë ndodh. Në fakt, në një krahasim të asaj çka sanksionohet në ligj dhe situatës aktuale në këtë transport, haset një mospërputhje e madhe. Në ligj parashikohet që transporti ndërqytetës kryhet nga persona juridikë të organizuar në shoqëri transporti e të pajisur me licence, ndërsa realiteti tregon që shumica e linjave frekuentohen nga individë që nuk janë të organizuar në një shoqëri transporti. Apo më keq akoma, ka raste që janë edhe të palicencuar, duke prishur konkurrencën në këtë treg. Në mënyrë të vazhdueshme, pronarët e autobusëve, furgonëve dhe të taksive, kanë dalë në protesta, duke parashtruar kërkesa, të cilat fokusohen në rregullimin nga ana e qeverisë e këtij tregu. Zbatimit në mënyrë përpiktë i ligjit për "Transportet Rrugore" nga institucionet përgjegjëse, do të rregullonte njëherë e mirë situatën në transportin ndërqytetës të udhëtarëve.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›