E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Të ngrihet Enti i Karburanteve

16/02/2009  Privatizimi i ARMO-s dhe nxjerrja nga tregu i naftës diktojnë nevojën e rregullatorit

Sipas Gjergj Buxhukut, kërkohen ndërhyrjet e nevojshme në ligj

Një prej grupimeve më serioze të bizneseve në vend, Konfindustria i kërkon zyrtarisht Qeverisë ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve. Kjo kërkesë i është bërë edhe vetë Kryeministrit Sali Berisha për marrjen e iniciativës ligjvënëse për themelimin dhe funksionimin sa më parë të këtij institucioni, si i veçantë i pavarur nga ekzekutivi ose krijimin e një departamenti të veçantë për karburantet pranë Entit Rregullator të Energjisë, duke kryer dhe përmirësimet e nevojshme ligjore. “Konfindustria, pas vlerësimit të Autoritetit të Konkurrencës për problematikën në tregun e karburanteve dhe sidomos pas vendimit të Këshillit të Ministrave për tregtimin e kufizuar të naftës së standardit D2, i kërkon vendimmarrjes politike të ndërmarrë hapin e domosdoshëm të radhës: krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve”, - theksoi administratori i Konfindustrisë. Ky është i vetmi mjet rregullator në duart e shtetit, që mund të ndikojë pozitivisht, sipas Konfindustrisë, pas shitjes së kompanisë publike të karburanteve “ARMO”. “Me anë e tij mund të ndikohet në uljen e pjesës së kostos shtesë së karburanteve të krijuara nga mungesa e elasticitetit të çmimeve të tregut vendor në krahasim me tregjet ndërkombëtare dhe rajonale si dhe moslejimin e mbartjes së kostos së kufizimit të tregtimit të naftës së standardit D2 në konsumatorët fundore: qytetar dhe biznese”, - theksoi Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë. Në fillim të janarit Autoriteti i Konkurrencës bëri me dije rezultatet e hetimit të tij mbi aktivitetin e kompanive importuese të karburanteve, hetim që zbuloi situata monopol. “Domosdoshmëria e krijimit të Entit Rregullator të Karburanteve shtohet më tepër, nëse vlerësojmë se Këshilli i Ministrave ka përcaktuar disa elemente rregullatore të shtetit në tregtimin e naftës së standardit D2, si mjet zbutës i pasojave të ardhura nga kufizimi i subjekteve tregtuese të karburantit të standardit në fjalë”, - tha Buxhuku. Ndërkohë, sipas tij, është e këshillueshme, që një funksion të tillë tashmë “de jure” të shtetit mbi tregun e karburanteve duhet ta kryej një institucion i pavarur nga ekzekutivi, sikurse janë entet rregullatore të energjisë, ujit e telekomunikacionit në varësi të drejtpërdrejtë të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo institucione qeveritare. Pas një analize të detajuar, Konfindustria vlerësoi se kostot e plota nga abuzimi me cilësinë dhe abuzimi me vëllim/matjen arrin të paktën në 150 milionë euro në vit. “Vlera e mësipërme shkon në përfitim të operatorëve të tregut. Vlerësojmë se kostot e mësipërme janë shprehur në minimumin e tyre. Janë afërsisht 30 milionë euro të paguara nga konsumatorët për operatorët e karburanteve dhe të ardhura fiskale shtesë buxhetore në periudhën shtator –dhjetor 2008, si pasojë e mungesës së elasticitetit të çmimeve të tregut të karburanteve në Shqipëri”, - thuhet në analizën e Konfindustrisë.

Institucionet

Konfindustria kërkon gjithashtu që ekzekutivi të vërë në punë sa më shpejt Inspektoratin Qendror të Cilësisë për të luftuar realisht abuzimin e vazhdueshëm me cilësinë e karburanteve. Kjo, sipas Buxhukut, është mënyra kryesore e abuzimit në tregun e karburanteve me kosto të pallogaritshme prej qindra milionë eurosh për ekonominë kombëtare, biznesin dhe qytetarët shqiptare, përveç abuzimit me vëllimin në shitje.

Abuzimet

Tregu i karburanteve përballet jo vetëm me abuzimet me çmimin, por edhe me peshën dhe cilësinë. “Tregtimi i karburanteve me cilësi të ulët dhe abuzime në peshë e volum, janë përgjegjësi e institucioneve shtetërore për kontrollin e tregut. Gjendja e krijuar, si pasojë edhe e mosveprimit të institucioneve shtetërore të kontrollit të tregut, të financuara nga taksapaguesit shqiptarë, është krejt e papranueshme”, - ka deklaruar Buxhuku.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›