E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sauditët, 110 milionë euro për Kuvendin e ri

Mbretëria e Arabisë Saudite është gati të paguajë 600 milionë rial saudit për ndërtimin e Parlamentit të ri shqiptar. Gazetat arabe shkruanin dje se gjithçka do të konkretizohet gjatë vizitës së shpejtë të kryetares së Kuvendit në Arabinë Saudite. Gazeta arabe i referohet një prononcimi të deputetit Shrefedin Shehu, i cili theksonte se “detajet e planit për financimin e projektit të Parlamentit do të shpallen gjatë vizitës së kryetares së Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, në Riadh brenda disa muajve”. Shehu gjithashtu kërkoi nga Arabia Saudite rreth 400 milionë euro, financime dhe për rrugët rurale. Ai e justifikoi këtë, sipas medias arabe, me nevojën që ka buxheti i shtetit në këtë periudhë të vitit. “Buxheti i shtetit të Shqipërisë është tashmë shumë i kufizuar për shkak të nevojës masive të fondeve në mbështetje të planeve dhe projekteve të nevojshme.” Arabia Saudite, nëpërmjet Bankës Islamike, financoi rreth 157 milionë euro për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Portali i internetit, “Arab News”, theksoi se ndihma po i jepet Shqipërisë, “një komb me shumicën dërrmuese të popullsisë myslimanë, në Europën juglindore”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›