E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishikohet buxheti, shkurtohen 140 milionë euro shpenzimet

SHKRUAN: Blerina Hoxha 07-06-2011 11:48

Rishikimi i buxhetit të këtij viti do të rezultojë me një shkurtim të shpenzimeve në masën e 16 miliardë lekëve. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, shkurtimet do të bëhen në zërat që nuk kanë ecur sipas parashikimeve, por duke ruajtur të paprekur fondin e rritjes së pagave dhe pensioneve. Projekti i rishikimit të buxhetit, që parashikon rrudhjen e arkës së shtetit të këtij viti, me 140 milionë euro, pritet që shumë shpejt të kalojë për miratim në qeveri dhe më pas në Kuvend, me qëllim që ndryshimet të aktivizohen që nga fillimi i korrikut. Kështu, është planifikuar ulje e të ardhurave dhe e shpenzimeve, kryesisht ato korrente, që kanë dhe vlerën më të lartë të shkurtimeve. Por këto shkurtime nuk kanë prekur strukturën e pagave, sqarojnë burimet. Ndërsa shkurtimet që prekin zërin e investimeve janë shqyrtuar me specialistë të ministrive të linjës për projektet e mundshme ku do të ndërhyhet. Nga niveli jo i mirë i të ardhurave, si dhe rritja e shpenzimeve gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti, pritet që buxheti i rishikuar të rezultojë me shkurtime fondesh për disa sektorë. Sipas të dhënave paraprake, të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave për katër muajt e parë të vitit ishte 103.7 miliardë lekë, me një rënie prej 0.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Shpenzimet arritën vlerën e 119.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 13%, krahasuar me një vit më parë. Kjo tendencë e të ardhurave dhe shpenzimeve solli një rritje të fortë të deficitit buxhetor, që për katër muajt e parë të vitit preku vlerën e 15.8 miliardë lekëve, ose 13 herë më shumë, krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2010. Ndërkohë që në rishikimin që është duke ju bërë buxhetit, ekspertët janë duke marrë në konsideratë shkurtime në pjesën e projekteve dhe zërave që nuk i kanë konsumuar fondet sipas programit fillestar të buxhetit. Është bërë traditë tashmë që në mes të vitit, buxheti i shtetit të rishikohet me qëllim riorientimin e fondeve në strukturimin e tyre, në raport me realizimin. Përvoja ka treguar se, kur ka të ardhura më tepër se programi, miratohet buxheti shtesë në korrik, por kur të ardhurat janë më të ulëta se plani i fillim vitit, bëhen disa shkurtime, me qëllim mbajtjen e deficitit buxhetor nën kontroll. Mirëpo, duke marrë në konsideratë zhvillimet buxhetore të katërmujorit të parë të këtij viti, duket se, rishikimi i buxhetit do të vijojë me ristrukturim fondesh, pasi ritmet e rritjes së shpenzimeve janë shumë më të larta se ritmet e rritjes së të ardhurave. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, kontributin më të madh në rritjen e shpenzimeve totale, me rreth 13.1 pikë përqindjeje, e mbartin shpenzimet korente. Në raport ndaj PBB-së, shpenzimet totale në tremujorin e parë të vitit vlerësohen të jenë rreth nivelit 30.6 %, kundrejt normës 28.6 %, të vlerësuar për të njëjtin tremujor një vit më parë. Politika e shpenzimeve publike për këtë vit buxhetor parashikon sjellje të ndryshme, krahasuar me një vit më parë. Kjo politikë parashikon një rritje më të përshpejtuar të shpenzimeve korente, nga ajo e shënuar në vitin 2010, si edhe rritje të shpenzimeve kapitale kundrejt reduktimit të tyre një vit më parë. Më konkretisht, shpenzimet korente në tremujorin e parë 2011, kanë njohur një rritje vjetore prej 11.6 %, kundrejt normës 7.9 % të shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›