Kroacia mbështet Shqipërinë për në BE: “E meritoni statusin në 100 vjetorin e Pavarësisë”
Presidenti kroat, Ivo Josipoviç, vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri
Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç deklaroi dje se Shqipëria ka pësuar ndryshime të rëndësishme vitet e fundit dhe se në 100 vjetorin e pavarësisë meriton të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Deklarata e kreut të shtetit kroat është bërë në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare që po zhvillon në vendin tonë.
“Kroacia është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e integrimit në Bashkimit Europian. Rruga jonë ka qenë e vështirë kemi luftuar korrupsionin por në këtë proces Kroacia do ta shohë Shqipërinë si një mik të vërtetë. Shqipëria do të hasë në të gjithë problemet që ka hasur edhe Kroacia por ajo ka rastin që disa gjëra t`i bëjë më mirë dhe Kroacia është e gatshme do ta ndihmojë Shqipërinë në këtë drejtim. Dua të theksoj se ne kemi pasur një rrugë shumë të vështirë, kemi pasur problem korrupsionin por edhe me minoritetet e ndryshme në kohën pas luftës por Shqipëria mund të ketë rrugë më të lehtë. Është me rëndësi që të ruhet dëshira e popullit për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian”, ka theksuar Josipoviç.
Ai gjithashtu ka vlerësuar marrëdhëniet politike mes dy vendeve tona por ka kërkuar rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes Kroacisë dhe Shqipërisë.
“Dy qeveritë tona do të marrin hapat e para që bashkëpunimi ekonomik të jetë më i mirë si në bujqësi, turizëm dhe në energjetik. Edhe pse ka firma kroate që punojnë në Shqipëri numri i tyre duhet të jetë më i madh”, ka shtuar më tej Josipoviç.
Josipoviç ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare dy ditore. Presidenti kroat takoi dje homologun e tij shqiptar, Topi, kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli.
Sot, në dytë të vizitës së tij, Josipoviç do të takohet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, dhe do të vizitojë Durrësin dhe Krujën.