“Kroacia në BE, garanci për integrimin e Shqipërisë”

Takimi Topalli – Josipoviç
Presidenti kroat, Ivo Josipoviç zhvilloi dje gjithashtu një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kroacia pritet të bëhet së shpejti anëtare e BE-së dhe Kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo vizitë është një nisje shumë e mirë, në fillim të vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në një kohë kur dy vendet tona kanë festuar shumë ngjarje të mëdha bashkë.
Topalli përshëndeti nënshkrimin e traktatit Kroaci-BE dhe rezultatet pozitive të referendumit të një dite më parë.
“Kroacia dhe Shqipëria, tha Kryetarja e Kuvendit, janë partnere në NATO dhe bashkëpunëtore të afërta në procesin e integrimit europian ndaj dhe anëtarësimi i Kroacisë në BE është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e rajonit”. Presidenti Josipovic theksoi se Republika e Kroacisë do të jetë një nga mbështetësit kryesorë brenda Bashkimit Europian, për përshpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se, “marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Si parlamentarë bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, si me mikun Luka Bebiç, ashtu edhe përmes shkëmbimit të vizitave mes delegacioneve parlamentare. Jam e bindur se kjo marrëdhënie do të forcohet edhe më tej”.
Në takim u vlerësua fakti që mes dy vendeve ekziston një kuadër ligjor i plotësuar me rreth 30 marrëveshje të nënshkruara, kryesisht në fushën ekonomike. Megjithatë niveli i bashkëpunimit ekonomik nuk i përgjigjet dialogut politik shumë të mirë dhe intensiv mes dy vendeve.
Rreth 26 kompani kroate janë prezente në Shqipëri, dhe Kryetarja e Kuvendit theksoi se është e domosdoshme intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Kroacisë në fusha si miniera, ndërtim, infrastrukturë detare, turizëm etj. Hapja e linjave direkte ajrore Tiranë-Zagreb apo e linjave detare Durrës-Rijeka do të ishte një hap konkret që do të reflektohej në rritjen e shkëmbimeve ekonomike.
Duke folur për zhvillimet ekonomike, Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria, përmes reformave dhe adaptimit të një modeli shumë të suksesshëm ekonomik është nga të paktat vende që nuk kaloi në recension edhe pse e rrethuar nga vende në krizë të thellë ekonomike.
Biseda u ndal edhe në zhvillimet rajonale dhe rëndësinë që ka bashkëpunimi në shërbim të promovimit të fqinjësisë së mirë, sigurisë, stabiliteti rajonal, si edhe mbështetjen politike për financime të projekteve të rëndësishme.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e Kroacisë për Kosovën dhe theksoi rëndësinë që ka pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në projekte dhe aktivitete rajonale. Kryetarja e Kuvendit dhe Presidenti i Kroacisë nënvizuan faktin se për rritjen e bashkëpunimit rajonal është shumë i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit ekonomik, si një mënyrë shumë efikase në integrimin mes vetë vendeve të rajonit dhe përçimit të stabilitetit dhe imazhit real për vendet e Ballkanit.