E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prokuroria palë me PS, hetimet duhet të kishin nisur një vit më parë”

24-01-2012 / Gazeta 55

Reagon Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi reagoi dje ndaj deklaratës së kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve socialistë Doshi, Balla dhe Bare, duke e cilësuar këtë si hap të vonuar nga organi i akuzës. Halimi theksoi se është e pakuptimtë pse Prokuroria u zvarrit 1 vit për të nisur hetimet për organizatorët e demonstratës së dhunshme.
Sipas tij, Prokuroria u konfirmua si palë e Partisë Socialiste dhe e lidershipit të saj Edi Rama. Ndërsa ka shtuar se ky organ duhet ta niste hetimin që në gjenezë të tij me shkakun dhe jo pasojën.
“Ajo që mazhoranca ka kërkuar nga Prokuroria ka qenë një hetim i plotë dhe i gjithanshëm. Ngjarja e 21 janarit ishte një ngjarje e rëndë, e cila tregoi që institucionet shtetërore nuk mund të bien me dhunë. Hetimi duhej filluar nga shkaku, pasoja e 21 janarit është e rëndë,u dhunuan institucionet e vendit, u plagosën me dhjetëra policë, qytetarë dhe humbën jetën 4 qytetarë të këtij vendi. Nuk do kishte ndodhur kjo po të mos kishte ngjarje të dhunshme, apo thirrje te organizatorëve të PS, që dhe mbi viktima do të ecim dhe do ta bëjmë Edi Ramën Kryeministër. Policia u provokua nga protestuesit, nëse ata nuk do të ushtronin dhunë a do të kishte ndodhur ngjarja? Hetimi duhej nisur jo nga pasoja, por nga shkaku. U desh një vit që Prokuroria të nisë hetimin për organizatorët, a janë naivë qytetarët që se kuptojnë këtë gjë, pse nuk u hetua thyerja e derës së Kryeministrisë?”, u shpreh Halimi.
Deklaratat e Kryeprokurores për mosrealizim të detyrës së Policisë në kuadër të hetimit të personave përgjegjës për ushtrimin e dhunës, Halimi i cilësoi si jo realiste pasi sipas tij mbreti i hetimit në Kushtetutë është Prokuroria, ndërsa oficerët e Policisë kanë për të detyrë vetëm të zbatojnë urdhrat e saj, është Prokuroria që udhëheq hetimet.
Sipas Halimit, “një vit më parë Prokuroria urdhëroi arrestimin e gjithë zinxhirit të gardës, ajo tha sot se ndoqëm një procedurë ligjore, kjo tregon se një vit më parë ajo u keqpërdor nga politika, nga kryetari i PS, Edi Rama”.
Në lidhje me arrestimin e komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi ai tha se rrethanat të cilat parashtron Prokuroria duken pak abstrakte, por ka shtuar se është çështje në hetim.
Sa i përket akuzave të PS, Halimi u shpreh se përfundimi fatal nuk do të kishte ardhur asnjëherë nëse nuk do të ishte skenuar dhe nxitur nga organizatorët, ndërsa theksoi se kjo ishte një provë e qartë se institucionet e këtij vendi janë të konsoliduara dhe rotacioni politik ndodh vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
I pyetur rreth Komisionit Hetimor Parlamentar dhe ecurisë së hetimeve lidhur me këtë ngjarje ai tha se detyrë e tij hetimi i institucioneve përkatëse dhe jo ndaj ngjarjes, ndërsa shtoi se sapo ky komision të përmbyllë hetimet rezultatet do ti kalojnë Prokurorisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›