Hetimet për organizatorët e dhunës nisin pas një viti – Prokuroria kërkon heqjen e imunitetit për 3 deputetët socialistë
Titullarja e organit të akuzës, Ina Rama pranoi dje se ka kërkuar heqjen e imunitetit të 3 deputetëve të grupit parlamentar socialist Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare, të dyshuar si organizatorët e dhunës më 21 janar. Gjatë konferencës për shtyp kryeprokurorja Ina Rama ka folur gjerë e gjatë për personelin e Gardës, duke kritikuar vendimin e gjykatës për “arrest shtëpiak” në kuadër të hetimeve, ndërsa lidhur me organizatorët e të “premtes së zezë”, u mjaftua vetëm me një fjali: “kemi kërkuar imunitetin për 3 deputetë të PS”.
Ndoshta për drejtuesen e institucionit të akuzës, hallka kyçe në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes, revolta e 300 dhunuesve përpara mureve mbrojtëse të Kryeministrisë vazhdon të mbetet “ngjarje bulevardi”, duke hequr dorë kështu vullnetarisht nga akuza ndaj organizatorëve, për rrëzimin e pushtetit me mjete jo demokratike. Edi Rama bëri thirrje prej më shumë se 2 javësh për shfryrjen e një “zemërimi popullor” të premten e 21 janarit 2011. Për këtë ekzistojnë dhjetëra kronika televizive; qindra shkrime dhe artikuj në gazeta. Prokuroria s’bëri asgjë në drejtim të hetimit të organizatorëve të dhunës. Një nga eksponentët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Edvinit, Spartak Ngjela, jo vetëm kërkoi rrëzimin e qeverisë si dhe u bëri thirrje protestuesve të mos tërhiqeshin më 21 janar, por pas protestës bëri deklaratën shokuese se opozita dhe PS s’do tërhiqen nga aksioni për rrëzimin e pushtetit as me 13 mijë të vrarë.
Prokuroria s’ka nisur asnjë procedim penal.
Gjithashtu, pamjet filmike të asaj dite identifikuan një grup deputetësh të PS që nxisnin turmën të kapërcente murin rrethues të Kryeministrisë. Edhe ndaj tyre organi i akuzës ka mbyllur sytë, duke u zhytur në verbërinë e komplotistit.
Çudia që ndeshet në hetimet e kësaj prokurorie, është tendenca jo vetëm për të zvarritur hetimet (pasi vicklat e tipit jo imuniteti, jo ky e jo ai, thjesht sa kanë vonuar nxjerrjen para drejtësisë të eksponentëve të veshur me imunitet), por edhe për të shmangur me çdo kusht ata që organizuan kontingjentin kriminal, të cilët paguan shuma marramendëse për reaksionin e revoltës që kishte në krye të dhunës 200-300 eksponentë ish të burgosur dhe persona me precedentë penal nga më të ndryshmet si grabitje, gjobë vënie, apo dhe të arrestuar për armëmbajtje pa leje. I gjithë ky formacion me CV të pasur në shkeljen e ligjit jo vetëm përbën rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve, por njëherazi mund të rezultojë një pengesë e madhe në avancimin e hetimeve, pasi ai prokuror që do ngarkohet nga organi i akuzës për hetimin e organizatorëve të dhunës, do vihet përballë faktit të mbrojtjes politike për secilin prej 200-300 shkelësve të ligjit. E njëjta gjë vlen edhe për 3 deputetët të cilët pritet të hetohen pas heqjes së imunitetit nga Kuvendi i Shqipërisë. Presioni politik mbi Prokurorinë, specifikisht mbi Ina Ramën, është përtej limiteve, pasi titullarja e organit të akuzës është një prej organizatorëve të dhunës për rrëzimin e qeverisë një vit më parë.
Këtë e tregon fare mirë rrjedha e ngjarjeve që prej pasdites së asaj dite të rrezikshme për institucionet dhe që në thelb synonte degradimin e shtetit, sfidimin e shtetit ligjor dhe rrëzimin e rendit demokratik. Dhe sigurisht që çdo hap i Ina Ramës për t’i treguar shqiptarëve se do hetojë organizatorët, është autogol për të, pasi i bie të hetojë edhe vetveten, gjë që s’është e mundur, të paktën sipas treguesit logjik.
Nga këtu duket qartë “serioziteti” dhe “paanshmëria” e hetimeve që pretendon titullarja e organit të akuzës, pavarësisht se shpresa e shqiptarëve është të hidhet dritë mbi 21 janarin e kaluar, pasi detyrimisht drejtësia e vonuar s’është gjë jetë veçse një drejtësi e mohuar.
Shteti ka ligje, institucionet janë demokratike dhe mbrohen nga Kushtetuta e vendit e cila garanton lirinë e fjalës, të shprehjes dhe sigurisht legjitimon edhe protestën. Por në asnjë rast nuk thotë se, protestën, të shprehur si indinjatë për një apo shumë arsye, ta konvertosh në përplasje konfliktuale, duke tentuar shembjen e rendit ligjor dhe kthimin e anarkisë civile.