E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Prifti letër Berishës për mungesën e investimeve

• Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, i ka dërguar dje një letër Kryeministrit Berisha, përmes së cilës i kërkon më shumë vëmendje për zonën e Libofshës në Fier.

Prifti i kërkon kryeministrit të mbajë premtimet që vetë ai ka bërë për rregullimin e rrugës Libofsh-Fier dhe rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare Libofsh, e cila sivjet ka 100-vjetorin e saj. “Për rrugën e Libofshës ju dhatë një fond në 2007-ën dhe rruga ka mbetur pa përfunduar për rreth 800 m. Shpresoj që kjo pjesë do të përfundojë me buxhetin 2008, pavarësisht se ju nuk e keni parashikuar këtë fond në buxhet”, shprehet Prifti në letrën e tij. Gjithashtu një shqetësim për deputetin e kësaj zone mbetet dhe shkolla 9-vjeçare. Sipas Priftit, edhe pse është vënë në dijeni ministri i Arsimit, Genc Pollo, asnjë fond nuk është parashikuar në buxhet për rikonstruksionin e saj. Prifti i kërkon Kryeministrit Berisha të ndërhyjë që në përvjetorin e 100 të kësaj shkolle, ajo të mos vazhdojë të jetë akoma me plastmase në dritare. “Në festime të 100-vjetorit komuniteti do t’ju ftojë edhe juve, dhe më beso, që do jetë turp të vijë ndonjë qeveritar në këto festime, kur shkolla është me dritare me plastmase dhe pa dyer”, shprehet Prifti në letrën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›