E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i fishekëve, Delijorgji hoqi amerikanët nga Gërdeci

 

Trazhgim Sokolaj

Afaristi i hekurit Mihal Delijorgji ka “përzënë” gjashtë punonjës amerikanë nga fabrika e Gërdecit pak muaj para se të ndodhte tragjedia. Biznesmeni i arrestuar tashmë me akuzën e vrasjes masive të personave, që humbën jetën nga shpërthimi i fabrikës së municioneve, duket se kishte vendosur ndikimin e tij të hekurt mbi gjithçka, që ndodhte në Gërdec. Është ende e paqartë, nëse largimi i amerikanëve ka qenë një akt i arritur në marrëveshje mes palëve apo një vendim i prerë i njërës palë, i cili palës tjetër nuk i ka lënë asnjë mundësi tjetër veçse të tërhiqej. Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar të dhëna sipas të cilave, kontrata e dytë e nënshkruar mes ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë amerikane SAC, ka qenë krejt fiktive. Ajo nuk ka pasur kurrfarë vlere, për shkak se SAC nënshkroi kontratën e çmontimit të predhave në Gërdec, por në fakt e gjitha kjo veprimtari në të vërtetë kryhej nga Mihal Delijorgji, kompanitë dhe punëtorët e tij. Sapo ishte nënkontraktuar nga amerikanët e SAC, të cilit kishin firmosur, ai i ka përzënë ata nga Gërdeci. Sipas hetimeve të Prokurorisë, në qershor 2006, kompania amerikane SAC nënshkroi me ndërmarrjen MEICO, kontratën për çmontim fishekësh në Gërdec. Në zbatim të këtij aktiviteti, kompania amerikane SAC, solli në Gërdec gjashtë specialistë, që punonin në fabrikë në rolin e mbikëqyrësit. Ata madje janë regjistruar dhe flinin në një hotel pranë kësaj zone, ndërsa mbikëqyrnin aktivitetin që ndodhte në fabrikë.
Kontratat fiktive
Por kontrata për çmontimin e fishekëve mbaroi dhe kompania SAC, siç duket e nxitur nga Mihal Delijorgji dhe krerët e ndërmarrjes MEICO, kërkoi nënshkrimin e një kontrate të dytë fiktive. Edhe pse nuk bëri kurrë çmontim predhash, edhe pse nuk ishte e interesuar për këtë aktivitet, kompania SAC nënshkroi me ndërmarrjen MEICO kontratën e çmontimit të predhave dhe dy ditë më pas, në 28 dhjetor 2007, të gjithë këtë aktivitet ia kaloi Mihal Delijorgjit. I cili menjëherë i ka detyruar mbikëqyrësit amerikanë të fabrikës së Gërdecit që të largohen, siç dyshon Prokuroria për të mos pasur pengesa në rritjen e volumit të punës dhe sasisë së predhave, që çmontoheshin çdo ditë në fabrikë për të pasur edhe fitim të shpejtë. Largimi i specialistëve amerikanë mendohet se ka dhënë pasoja, për shkak se në fabrikë është rritur ndjeshëm intensiteti i çmontimit të municioneve çka është bërë shkak edhe për grumbullimin e sasive të mëdha të barutit, që shpërthyen ditën e tragjedisë, por edhe për shkeljen e rregullave të nevojshme të sigurisë. Hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme kanë konfirmuar se tragjedia ka ndodhur si pasojë e çmontimit të municioneve të rënda në kushtet kur nuk zbatohej asnjë normë apo rregull i sigurisë ushtarake për shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme në këtë proces.
Biznesmeni misterioz
Një biznesmen i njohur kohët e fundit për lidhjet e tij me Gërdecin, është marrë në pyetje së fundi në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipërmarrësi me veprimtari në aktivitetin e bareve në kryeqytet, është pyetur pasi kompanitë në emër të tij kishin nënshkruar një kontratë me firmën amerikane SAC, për ndërtimin e rrethimit me hekur të fabrikës së Gërdecit. Edhe kjo kontratë në fakt, ka rezultuar fiktive. Së pari, biznesmeni i pyetur së fundmi në Prokurori, ka mohuar të kishte dijeni për një fakt të tillë. Së dyti, Prokuroria ka konfirmuar se ndërtimi i rrethimit të fabrikës së çmontimit në Gërdec, është bërë nga kompanitë e Mihal Delijorgjit. Ky i fundit, duket se ka vepruar posaçërisht me dokumentet dhe kontratat në mënyrë, që të binte sa më pak në sy angazhimi i tij në Gërdec.

Tre gjeneralë pranuan dhe zbatuan Gërdecin
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme është duke hetuar edhe pozicionin e ushtarakëve në vendimarrjen që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit. Bëhet fjalë për gjeneralët që mbanin detyra e funskione komandimi në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ata janë marrë në pyetje ndërsa pritet të kërkohen përsëri për të dëshmuar në Prokurorinë e Përgjithshme lidhur me dijeninë e tyre për rrezikun që paraqiste rajoni i Gërdecit si dhe sasinë e lartë, madje tejkalimin e ngarkesave që kërkohej të dërgoheshin çdo ditë nga depot e ushtrisë në ndërmarrjen e çmontimit në Gërdec. Prokuroria ka prova e dokumente që implikojnë së paku tre gjeneralë që kanë pasur dijeni në vendimarrjen lidhur me rajonin e Gërdecit, llojin e municioneve dhe sasinë ditore të predhave që dërgoheshin për çmontim.

Hetimet në pritje të letërporosive

TIRANE – Hetimet e Prokurorisë shqiptare për tragjedinë e Gërdecit janë në pritje të letërporosive, që pritet të mbërrijnë nga jashtë vendit. Organi qendror i akuzës, i është drejtuar Prokurorisë amerikane me një kërkesë për të marrë në pyetje Efraim Diverolin, për rolin që kanë pasur Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe zyrtarë shtetërorë, në tregtinë e fishekëve dhe mënyrën si është kryer kjo veprimtari. Përgjigjet nga SHBA nuk kanë mbërritur ende, ndërsa Prokuroria shqiptare ka dërguar një tjetër letërporosi në Qipro, ku kërkon hetime nga autoritetet vendase mbi firmën “Evdin l.t.d”, e cila ka qenë e implikuar si ndërmjetëse në tregtinë e fishekëve nga Shqipëria në Afganistan, madje ka shkaktuar dyfishimin e çmimit të tyre për njësi (1 mijë fishekë). Një tjetër letërporosi është dërguar në Zvicër. Organi shqiptar i akuzës kërkon nga Prokuroria dhe Gjykata zvicerane marrjen në pyetje të shtetasit Henry Tomei, president i kompanisë “Evdin l.t.d”, ndërmjetëse në procedurat e shitjes së fishekëve shqiptarë nga ndërmarrja MEICO e Ministrisë së Mbrojtjes tek kompania e dyshuar AEY, në pronësi të Efraim Diverolit. Pak ditë më parë afati i hetimeve të dosjes “Gërdeci” u shty edhe me gjashtë muaj të tjerë, ndërsa Prokuroria pret përgjigjet e letërporosive nga jashtë vendit për të kompletuar hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë, që u mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›