E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet varka, vdes nëna me foshnjën

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Përfundon në tragjedi tentativa e një grupi klandestinësh për të emigruar në Greqi. Në kanalin e Butrintit, varka ku ndodheshin plot 14 vetë u përmbys, duke shkaktuar vdekjen e një 22-vjeçareje dhe bijës së saj, vetëm 3 muajshe. Babai i foshnjës, Dritan Jaho, nga fshati Lapardha i Beratit ndodhet në gjendje shoku, ndërsa policia shoqëroi të mbijetuarit e tjerë për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Varka po kryente rrugën e dytë të saj, pak minuta pasi kishte zbarkuar në tokë, drejt Xarrës, 10 klandestinë të tjerë. Dy persona u arrestuan, një pronar dhe tjetri timonieri i varkës, por nuk dihet nëse janë këta organizatorët e trafikut.
Tragjedia e radhës u regjistrua rreth orës 19:30, si pasojë e mbingarkesës së varkës që do të kalonte klandestinët drejt bregut tjetër që lidh Butrintin me Konispolin. Destinacioni i fundit ishte Greqia, por nuk është saktësuar nëse ata do të ndiqnin rrugën tokësore deri në Konispol apo do të kalonin në det, për të përfunduar në Korfuz. Për policinë nuk ka dyshime: se gjithçka ka qenë e organizuar nga trafikantë. Varka prej druri, e pajisur me rrema do të kryente dy rrugë për të zhvendosur klandestinët nga njëri breg tek tjetri, në mbi 100 metra. Prej dy ditësh mësohet se klandestinët ishin mbledhur nga qytete të ndryshme të vendit për të udhëtuar drejt Greqisë. Ata janë nga Berati, Fieri, Tepelena, Durrësi, Lushnja, Mati etj., duke udhëtuar në grupe deri në Butrint. Në pjesën kur liqeni i Butrintit ndan dy rripa toke, klandestinët janë ndalur. Për të shmangur kontrollin e policisë ata janë zhvendosur disa metra më larg vendit nga ku niset lundra, që bën transportin e udhëtarëve drejt cepit jugor të vendit. Shumë pranë kalasë së Butrintit, klandestinët kanë hipur në një varkë, duke u bërë herën e parë 10 vetë e më pas 14 vetë. Pavarësisht nga numri i madh, afërsia me bregun tjetër i ka “mashtruar” se asgjë nuk do të ndodhte. Por rreth 60 metra nga nisja, varka ka pësuar luhatje, nuk dihet nëse dhe ndonjë defekt ka provokuar tronditjen e mjetit lundrues. Pasagjerët e saj kanë nisur të bërtasin duke kërkuar ndihmë, ndërsa përfundonin të gjithë në ujë. Më të fuqishmit kanë mundur të dalin në breg, ndërsa peshkatarët e Butrintit kanë dëgjuar zhurmat, duke u shkuar në ndihmë dhe lajmëruar ndërkohë policinë. I pari që ka dhënë alarmin ka qenë 27-vjeçari Dritan Jaho, i cili nuk kishte pranë gruan dhe vajzën e tij vetëm 3 muajsh. Brenda pak minutash u nxor nga uji trupi i pajetë i 22-vjeçares Elvira Jaho. Në vendngjarje u nisën me urgjencë forca të shumta policie dhe 4 autoambulanca nga spitali i Sarandës, pasi ende nuk dihej numri i viktimave. Të mbijetuarit dhe persona të tjerë të pranishëm në vendngjarje u shoqëruan me urgjencë drejt spitalit e më pas komisariatit të Sarandës. Pas rreth 2 orësh u konfirmua se viktimat ishin vetëm 2, nënë e bijë. 
Në orën 21:30 në spitalin e Sarandës në gjendje të traumatizuar ka mbërritur i mbijetuari i parë, Dritan Jaho. Në gjendje të tronditur ai ka mundur të tregojë se ishte nisur nga Fieri, i shoqëruar nga një person i quajtur Bedri. “Ishte rreth 27 vjeç, me flokë të verdhë, i cili pasi na shoqëroi për në Sarandë, u takua atje edhe me persona të tjerë dhe na nisi drejt Butrintit. Ishim gjithsej rreth 23 vetë, mes të cilëve kishte edhe fëmijë dhe gra. Pasi bëri rrugën e parë varka u kthye dhe bëri rrugën e dytë. Në këtë rrugë isha edhe unë me gruan time, Edlirën, 23 vjeçe dhe vajzën time, Klara, 3 muajshe. Në këtë varkë ishim rreth 12 vetë. Papritur u përmbys dhe gruaja e vajza ime nuk dolën më mbi ujë. E njoh personin që na shoqëronte dhe jam i gatshëm që nëse më del përpara ta tregoj”, mundi të flasë Jaho. Por nga policia mbrëmë nuk kishte emra trafikantësh, vetëm pronari dhe drejtuesi i varkës.

familja jaho
Dritan Jaho nga fshati Lapardha 1 në komunën Otllak të Beratit, ishte martuar dy vite më parë me Elvira Jahon. Tre muaj më parë lindi vajza e tyre, Klara. Jaho ishte larguar nga banesa e tij para dy ditësh. Familjarëve u kishte thënë se do të largohej bashkë me gruan e foshnjën për në Greqi, pasi këtu nuk kishte asnjë të ardhur. Ai kishte dokumente të rregullta për në Greqi, por mungesa e tyre për të shoqen dhe vajzën e detyruan të bënte edhe vetë rrugën e klandestinit. Sipas të afërmve të viktimës, pak muaj më parë, në shtëpinë e vajzërisë së Elvirës kishte ndodhur një tjetër tragjedi. Vëllai i saj që jetonte në shtetin helen u soll i masakruar.

Të shoqëruar në polici

Skëndër Ruçi,     43 vjeç,     Fier
Elidon Manaj,     34 vjeç,     Fier
Brunilda Manaj,     27 vjeç,     Fier
Gerti Duraj,      22 vjeç,     Fier
Erion Duraj,     21 vjeç,     Fier
Marsid Mita,     16 vjeç,     Lushnjë
Elton Mehmeti,     28 vjeç,     Cërrik
Taulant Duraj,     20 vjeç,     Fier
Artan Çobaj,     16 vjeç,     Fier
Sajmir Xhekalili,     27 vjeç,     Mat
Qemal Stashkollari,     16 vjeç,     Lushnjë
Valbona Senja,     26 vjeçe,     Elbasan
Agim Shermadhi,     52 vjeç,     Elbasan
Indrit Azisaj,     20 vjeç,     Fier
Fatjon Sene,     18 vjeç,     Elbasan
Ardian Lazaj,     32 vjeç,     Mallakastër
Lavdosh Kuca,     35 vjeç,     Tepelenë
Vambaster Gjinushi,     19 vjeç,     Tepelenë
Klodian Çalliu,     21 vjeç,     Durrës
Sokol Mali,     23 vjeç,     Tiranë
Maringlen Hoxha,     30 vjeç,     Fier
Denis Zema,     17 vjeç,     Lushnjë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›