E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet e emigrantëve,ISSH marrëveshje me Greqinë

 

Marko Caka/ ATHINE

Gati 30 për qind e popullsisë shqiptare është në emigracion. Në një situatë të tillë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur bashkëpunimin me homologët e tij në Greqi. Në sajë të këtij bashkëpunimi, ISSH-ja synon t’u ofrojë mbrojtje sociale shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në shtetin helen.
Bashkëpunimi
Dy ditë më parë një grup specialistësh i kryesuar nga drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi, zhvilluan një takim me drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Greqi (IKA-s). Në takimin me drejtorin e IKA-s, Dimitris Avellas, u ra dakord për nisjen e procedurave për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes ISSH-së dhe IKA-s. Propozimi në fjalë u mirëprit nga pala greke u ra dakord për ngritjen e një grupi teknik pune për hartimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, i cili pritet që të konkretizohet pas një muaji në Tiranë. Në rast se do të arrihet nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, do të bëhet i mundur ofrimi i mbrojtjes sociale si për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi, ashtu dhe për ata grekë që jetojnë në Shqipëri. Gjithashtu, në kuadër të kësaj çështjeje, përfaqësuesit e ISSH-së zhvilluan një takim me sindikatat e shqiptarëve, shoqatat e emigrantëve si dhe përfaqësuesit e mediave shqiptare në vendin fqinj. Në këtë takim që u zhvillua në ambasadën shqiptare në Athinë u dha informacion për përfitimet që u lindin shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi nga ligji për sigurimet shoqërore.
Sigurimet
Drejtoresha e ISSH-së, Evelina Koldashi, ka theksuar faktin se skema e sigurimeve shoqërore në Shqipëri ka rol të rëndësishëm në kuadër të mbrojtjes sociale. Në kuadër të menaxhimit të këtij sistemi, por edhe të rëndësisë sociale, ISSH ka një politikë përkujdesjeje për emigrantët, veçanërisht për atë pjesë të emigrantëve që ka një histori kontributive në Shqipëri. “Sipas statistikave, më se 30% e popullsisë shqiptare është në emigracion, çka nënvizon vëmendjen e ‘detyruar’ dhe përgjegjësinë morale dhe institucionale për informimin e emigrantëve në lidhje me përfitimet që rrjedhin nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore shqiptare dhe ‘ruajtja’ e pasurimi i historikut të tyre kontributiv”, ka deklaruar drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së. Kështu, në kuadër të këtyre procedurave, kreu i ISSH-së vuri në dukje se institucioni që ajo drejton “ndjen përgjegjësinë të informojë falas të gjithë të interesuarit, se përmes pagesës vullnetare ata mund të plotësojnë minimumin e nevojshëm të përcaktuar nga ligji për të pasur përfitime nga skema jonë, duke bërë të mundur që asnjë ditë pune e tyre të mos humbasë”. Në kuadër të krijimit të lehtësive për këtë kategori punonjësish, ISSH-ja është në dispozicion të çdo emigranti shqiptar që të verifikojë falas, kundrejt kërkesave të paraqitura nga emigrantët, historikun e tyre kontributiv në skemën tonë dhe të japë informacion për plotësimin e periudhave minimale për të përfituar pension.

Marrëveshja me Italinë
ISSH-ja ka nënshkruar marrëveshje me autoritetet italiane, për të lehtësuar informimin e emigrantëve shqiptarë për përfitimet që kanë në rast se paguajnë për të plotësuar periudhat e munguara. Kjo do të thotë se të gjithë shtetasit shqiptarë mund të marrin informacionin e nevojshëm pranë zyrave të INAS-it në Itali, në mënyrë që të plotësojnë periudhat e mbetura bosh, për të përfituar më pas pension me mbushjen e moshës dhe viteve të sigurimit. Për të përfituar një pension të plotë kushtet kryesore janë një moshë që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe vjetërsi pune 35 vite, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›