E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i ilaçeve, 17 miliardë lekë vetëm në vitin 2007



Shqiptarët renditen ndër konsumatorët më të mëdhenj të ilaçeve dhe të alternativave më të rënda të tyre në Europë. Sasia e të ardhurave që shqiptarët shpenzojnë për shëndetësinë po rritet me ritme mjaft të shpejta, duke na paraqitur në sytë e botës si një popull “i sëmurë”. Sipas një studimi të Qendrës Shqiptare për Tregti me Jashtë, “ACIT”, gjatë vitit të kaluar (2007), Shqipëria importoi më shumë se 11 miliardë lekë ilaçe. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo shifër është 22 për qind më e lartë. “Nëse bëhet një krahasim me vendet europiane, një recete përmban një deri në dy barna për një diagnozë të caktuar, ndërsa në Shqipëri ky numër shumëfishohet”, - thotë studimi i “ACIT”. Për vitin 2006 norma e rritjes së importeve të barnave, krahasuar me një vit më parë, ishte 20 për qind. Por këto janë të dhënat e tregtisë me shumicë. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësinë thonë se tregu me pakicë i barnave në vend llogaritet në rreth 17 miliardë lekë, ose afro 140 milionë euro. Një shqiptar shpenzon mesatarisht 5 mijë lekë në vit për ilaçe. Rritje po shënon edhe pjesa e fondeve që shëndetësia merr nga buxheti. Qeveria përcaktoi në buxhetin e këtij viti 24.5 miliardë lekë për shëndetësinë. Një vit më parë shifra ishte 22.5 miliardë lekë dhe në 2006-n shpenzimet publike për shëndetësinë ishin 19.4 miliardë lekë. Më shumë nga të gjithë Banka Botërore thotë se shqiptarët janë nga konsumuesit më të mëdhenj të barnave në Europë. “Shpenzimet farmaceutike përllogariten në 23-32 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për kujdesin shëndetësor në Shqipëri”, - thuhet në një studim të Bankës Botërore, ku shtohet se mesatarja e vendeve të BE-së për barna është 14 për qind e totalit të fondit për shëndetësinë. Amerikanët shpenzojnë po kaq, 14 për qind për medikamente. Tregu i rimbursuar në vend zë vetëm 24 për qind përmes Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, ndërsa një pjesë e mirë e shpenzimeve për ilaçe mbulohen privatisht nga vetë qytetarët. Gjatë vitit të kaluar shuma totale që qeveria pagoi për rimbursimin e barnave ishte rreth 4 miliardë lekë. Edhe për këtë vit shifra e parashikuar për rimbursimet pritet të jetë në nivele pak a shumë të njëjta, me një rritje të vogël. Por sipas të dhënave të ISSH-së, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti shqiptarët kanë konsumuar 1.38 miliardë lekë barna. Në muajin janar janë shpenzuar 337 milionë lekë, në shkurt 346 milionë lekë dhe në mars 354 milionë lekë për barna. Tendenca është në rritje, çka do të thotë se shpenzimet e rimbursimit janë në nivelet e tyre limit, madje mund t‘i kapërcejnë ato.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›