E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parqet industriale, 6 zonat bregdetare me koncesion për 35 vjet



Ervin Koçi

Qeveria ka vendosur përfundimisht të ndërtojë gjashtë parqe industriale, të cilat do të shërbejnë për ngritjen e industrive të mëdha përpunuese dhe aktivitete të tjera të biznesit. Miratimi për ngritjen e tyre i hap rrugë rritjes së investimeve dhe numrit të të punësuarve, ecuria e të cilave varet nga strategjia që do të ndjekin shoqëritë e mëdha tregtare. Këto të fundit, nëpërmjet tenderit të hapur ndërkombëtar, do të marrin me koncesion për 35 vjet sipërfaqet e lira që qeveria do t‘u lërë në dispozicion. Me vendimin e fundit qeveria i ka hapur rrugë zhvillimit industrial të vendit, pasi ndërtimi i këtyre parqeve kërkon qindra milionë lekë investime, të cilat duhen kryer fillimisht nga pala jonë. Por në lidhje me dhënien e lejeve për ndërtimin e këtyre zonave, ekspertët e ekonomisë i cilësojnë si veprime boshe, pasi ata mendojnë se për aq kohë sa nuk është zgjidhur çështja e pronësisë, ndërtimi i parqeve do të jetë i vështirë. “Mbi të gjitha, ndërtimi i tyre në zonat bregdetare nuk bën gjë tjetër veçse shkatërron sistemin turistik të vendit, por edhe tokat bujqësore”,- thotë eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi.

Zonat industriale

Të gjashta parqet (ose zona ekonomike) industriale do të ngrihen pranë zonave bregdetare, si në Shëngjin, Koplik, Shkodër, Spitallë (Durrës) dhe në Vlorë, ndërsa njëri park është menduar të shtrihet në zonën e Elbasanit. Vendimi është marrë pas një studimi të gjerë disavjeçar, me konsulentë të huaj. Vendimet përcaktojnë si autoritet kontraktues Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për ngritjen e parqeve industriale në Shëngjin, Koplik, Shkodër, Spitallë (Durrës), Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Kryeministri Berisha tha se këto parqe do të menaxhohen mbi baza private, e provuar si forma më e suksesshme e administrimit. Në zonën ekonomike të Shkodrës, me sipërfaqe prej 137 ha, parashikohet ngritja e një aktiviteti industrial të përgjithshëm, me veprimtari ekonomike të ndryshme si prodhime industriale dhe ushqimore, shërbime, njësi tregtare, import-eksporte etj. Projekti për Parkun Industrial në Koplik, me sipërfaqe 61 ha, parashikohet të ketë aktivitet industrial të përgjithshëm, me një investim prej 17 milionë euro, ndërsa pritet të punësohen deri në 19 000 punonjës. Për ngritjen e parkut të tretë Industrial në Shëngjin, me sipërfaqe 4 ha, parashikohet aktiviteti agropërpunues, me një investim prej 17 milionë eurosh dhe punësimin e 3000 punëtorëve. Në Vlorë parashikohet një sipërfaqe prej 125 ha për zonë ekonomike me aktivitet industrial të përgjithshëm. Në këtë zonë ekonomike do të zhvillohen veprimtari prodhuese industriale, tregtare, import-eksport dhe shërbime. Gjithashtu, edhe në Elbasan parashikohet ngritja e një Parku Industrial, me sipërfaqe 254.7 ha, ku do të zhvillohen veprimtari prodhuese, industriale, shërbime tregtare dhe import-eksport.

Kriteret dhe kushtet

Ministria e Ekonomisë do të drejtojë procesin për dhënien e statusit të zhvilluesit të 6 zonave ekonomike përmes koncesionit për 35 vjet, me garë të hapur dhe konkurruese, në bazë të Ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006, "Për koncesionet". Brenda zonave dhe parqeve industriale, pushteti lokal, në bashkëpunim me atë qendror, do të garantojë paraprakisht të gjitha infrastrukturat bazë, sikurse janë energjia, rrugët, telekomunikacionet etj., me qëllim që zonat industriale të kthehen në "oaze" të dobishme për investime private, vendase dhe të huaja. Zonat ekonomike zhvillohen me një kuadër të plotë ligjor, ku përcaktohen të gjitha rregullat, ku zhvillohen aktivitetet prodhuese në format e parkut industrial apo zonave të lira, si zona të kompletuara ekonomike. Objektivat kryesore lidhen me procedurat e krijimit dhe administrimit të zonave ekonomike si dhe procedurat për mbikëqyrjen dhe kontrollin e këtyre zonave ekonomike, ku luajnë rol pushtetet vendore, si elementi i parë që vendos për sipërfaqen ku do të ndërtohet një zonë e lirë ekonomike. Kjo zonë miratohet në KRRT-të e qarqeve dhe më tej, është ministria e Ekonomisë, e cila përgatit propozimin për të. Më pas ajo miratohet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Procedurat në përzgjedhjen e një zone ekonomike janë të tilla që garantojnë siguri për investimet, pa asnjë lloj konflikti pronësor.

Dokumentet e aplikimit

Të gjithë personat juridikë, shqiptarë ose të huaj, të cilët dëshirojnë të aplikojnë për licencë zhvilluesi, do të duhet të paraqesin një grup dokumentesh, të hartuar nga Ministria e Ekonomisë, si: 1) Akti i themelimit të shoqërisë; 2) vendimi për regjistrimin si person juridik; 3) Statuti e shoqërisë; 4) NIPT-i; 5) kopje e licencës së aktivitetit; 6) bilancet e tre viteve të fundit të vërtetuara nga eksperti kontabël kur ka pasur aktivitet; 7) profili tekniko-ekonomik i shoqërisë; 8) dokumentet e pronësisë ose akt-marrëveshjen për truallin ose pasurinë e paluajtshme të zonës ekonomike; 9) biznes-planin e aktivitetit të shoqërisë si kandidat zhvillues; 10) projektin e plotë ndërtimor për infrastrukturën e brendshme dhe mënyrën e lidhjes së saj me infrastrukturën e jashtme; 11) burimet e financimit të projektit; 13) vërtetimin se shoqëria nuk është në procedura likuidimi; 14) për drejtuesit kryesorë edhe dëshmitë e penalitetit. Në garat për pjesëmarrje si zhvillues për krijimin e zonave të lira ekonomike, nuk përjashtohen as të huajt, që duhet të paraqesin të gjitha dokumentet edhe në vartësi të legjislacionit të vendit ku personi i huaj është i regjistruar.

Licencimi i zhvilluesit

Ministria e Ekonomisë, në rolin e mbikëqyrëses së zhvillimit të zonave ekonomike, bën përzgjedhjet e zhvilluesit të zonave të lira përmes procedurave të përcaktuara me afate kohore dhe me procedurat e garës. Kriteret kryesore lidhen me rëndësinë, prioritetin ekonomik, vlerën e investimit, futjen e teknologjisë së përparuar, nivelin e punësimit, shpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe kapitaleve dhe të tjerë tregues specifikë etj. Çdo propozim shqyrtohet nga një komision për vlerësimin e ofertave, që miratohet nga ministri i Ekonomisë, i cili ka në përbërje, përfaqësues të ministrisë së Ekonomisë, të Financave, nga ministri të tjera të linjës etj. Zhvilluesi i zonës ekonomike pajiset me licencë nga Ministria e Ekonomisë dhe ndjek procedurat për miratimin e projektit të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›