E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis “reforma” në Agjencisë e Kompensimit të Pronave, shkarkohen 11 punonjës

Javën e ardhshme nis puna për mbledhjen e kërkesave të ish-pronarëve për ndarjen e fondit të kompensimit financiar

Ndryshimet në postin e titullarit të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë sjellë dhe ndryshime në stafin e këtij institucioni. Burime zyrtare kanë bërë të ditur se me largimin e ish-drejtorit Maho dhe me emërimin e drejtorit të ri Vatnikaj nga stafi i Agjencisë së Pronave janë larguar 11 specialiste, juristë si dhe drejtorë. Shkarkimet janë bërë për shkak të përfundimit të kontratave 3-mujore të punësimit të këtyre punonjësve pranë Agjencisë së Pronave. Burimet kanë bërë të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur organikën e re të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ana tjetër bëhet e ditur se shumë shpejt, brenda javës së ardhshme, do të nisë puna për pranimin e kërkesave të ish-pronarëve për ndarjen e fondit të parashikuar për kompensimin financiar për vitin 2008. Gjatë mbledhjes së fundit qeveria miratoi procedurat që do ndiqen për ndarjen e fondit prej 5 milionë dollarësh të parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2008. Në vendimin e qeverisë parashikohet që nga kompensimi financiar të përfitojnë ish-pronarët që nuk kanë përfituar asnjëherë kompensim. Edhe këta ish-pronarë do të kompensohen vetëm 200 metra katrorë pronë. Për të përfituar të drejtën për të marrë kompensim financiar nga Agjencia e Pronave, ish-pronarët duhet të plotësojnë kërkesën dhe ta paraqesin atë pranë zyrës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër. Ish-pronarët gjithashtu duhet të dorëzojnë një dosje me dokumentacion që përmban deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës së bashku me plan-vendosjen përkatëse, dëshminë e trashëgimisë, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm. Në këtë rast është e nevojshme që të jetë e përcaktuar dhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të individit, prona e të cilit është shpronësuar. Bashkë me këto dokumente është e nevojshme paraqitja edhe e një fotokopjeje të noterizuar të pasaportës, certifikatës së lindjes, ose letërnjoftimit të personit, që ka prokurën e përfaqësimit, si dhe mandatpagesën. Procesi i regjistrimit të kërkesës për kompensim zgjat 30 ditë nga dita e fillimit të këtij procesi.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›