Minxhozi: “Indiferenca e qeverisë vret jetë njerëzish në miniera”
Deputeti i Partisë Socialiste në zonën e Matit, Qemal Minxhozi, ka akuzuar drejtpërsëdrejti qeverinë si përgjegjëse të tragjedive pa fund në minierat e Bulqizës. Deputeti socialist theksoi se si rezultat i indiferencës së qeverisë po shtohen edhe më shumë rastet e vdekjeve tragjike të minatorëve. “Përgjegjëse për këtë tragjedi janë të gjitha strukturat e shtetit, të cilat me heshtjen e tyre po marrin në mënyrë të vazhdueshme jetë njerëzish”, - tha ai. Minxhozi tha se ka kërkuar zhvillimin e një interpelance në Parlament për këtë çështje me kryeministrin Berisha. “Si është e mundur që kryeministri nuk shkon për të promovuar nismën e tij në Bulqizë dhe të japë shpjegime se sa e sigurt është jeta atje, si po luftohet atje, si po lëvizin ryshfetet politike dhe ekonomike për të marrë një licencë, se si më mungesë të shtetit është kryekanuni dhe jo rrallëherë dhe kallashi? Për sa më sipër, që sot kam depozituar kërkesën time për interpelancë urgjence me kryeministrin Berisha, për t’i kërkuar atij shpjegime që t’i thotë Kuvendit dhe popullit arsyet të neglizhencës plotësisht të verifikueshme të tij dhe të qeverisë që ai drejton lidhur me situatën mesjetare të punës në Bulqizë dhe në minierat e tjera të vendit”, - deklaroi deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi.
7 Qershor 2008