E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Politika e re, zhvillim për fshatin në Shqipëri”



Turi i “Dialogut me Shqipërinë” i kryetarit të PS-së Edi Rama për problemet e fshatit, ka vijuar dje në fshatrat e Veriut të vendit. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka bashkëbiseduar me banorët e fshatit Paçram të komunës Hajmel dhe në fshatin Dajç të rrethit të Shkodrës. Puna e pakët në bujqësi dhe emigracioni si prioritet i të rinjve kanë qenë temat e bashkëbisedimit ku banorët kanë dashur të sugjerojnë edhe rrugëzgjidhje. Kriza e çmimeve dhe produkteve të domosdoshme për të punuar tokën ka qenë problemi më shqetësues për banorët, të cilët ia kanë referuar shefit të selisë rozë në këtë takim. Kryetari i PS-së, Rama, ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet e banorëve të fshatit Paçram, duke u shprehur në këtë takim se është koha për një politikë të re, e cila të trajtojë ndryshe fshatin dhe banorët e tij: “Unë kam shumë besim se ne mund të realizojmë shumë nga ato gjëra që i dëshirojmë prej 17 vjetësh dhe që gjatë gjithë kësaj kohe mbeten vetëm dëshira. Ndërkohë që në këto 17 vjet kemi pasur zhgënjime, pasi kemi dëgjuar shumë premtime. Besoj se është koha për t’i dhënë jetë një politike të re, e cila është politika e jetës së përditshme, është politika e komunikimit të drejtpërdrejtë me njerëzit ku ata jetojnë, është politika e diskutimit dhe e vendimmarrjes së përbashkët për rrugëdaljet nga krizat e jetës tonë të përditshme. Është politika e ringjalljes së shpresës në çdo fshat të Shqipërisë”, - tha Rama.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›