Ndoka: “Segmente të shtetit bënë fushatë kundër PDK-së”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka mbledhur dje në një takim të zgjedhurit vendorë, anëtarë të kësaj partie. Të pranishëm në këtë takim ishin kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe këshilltarët demokristianë në komuna, bashki dhe qarqe. Në fjalën e tij Ndoka dënoi disa nga të zgjedhurit vendorë të PDK-së, të cilët sipas tij u përfshinë në një fushatë sulmi për të dëmtuar Partinë Demokristiane. Sipas Ndokës, këta individë bënë pazare për interesa të ngushta personale. “Dy- tre prej përfaqësuesve tanë, të cilëve PDK-ja u kishte dhënë një pushtet të pamerituar, shkëputën lidhjet me realitetin, u bënë mospërfillës dhe arrogantë dhe shpallën një fushatë për të dëmtuar PDK-në, duke bërë pazare të pamoralshme për interesa të ngushta personale në shkëmbim të ndonjë posti apo shpërblimi të dyshimtë”, - është shprehur Ndoka. Një deklaratë e tillë e Ndokës i referohet grupit të kundërshtarëve të tij, të kryesuar nga zëvendësministri Anton Gurakuqi, të cilët organizuan Kongresin paralel për shkarkimin e Ndokës nga posti i kryetarit të PDK-së. Duke iu drejtuar të zgjedhurve vendorë, përfaqësues të PDK-së në pushtetin vendor, Ndoka tha se PDK ka një program dhe vizion të qartë politik për qeverisjen vendore. “PDK ka një program dhe vizion politik për qeverisjen vendore dhe bazë e saj janë parimet e njohura të Këshillit të Europës dhe përvoja më e mirë perëndimore. Të zgjedhurit vendorë janë elita e kësaj partie, e cila i dha frymëmarrje dhe një dimension të ri kësaj partie, pasi për herë të parë i siguruan asaj një përfaqësim dinjitoz në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore”, - është shprehur kreu i PDK-së. Ai sugjeroi bashkëpunimin e përfaqësuesve të PDK-së në pushtetin lokal me përfaqësuesit e partive të tjera të koalicionit të djathtë. “Këshilla dhe kërkesa ime për të gjithë të zgjedhurit vendorë demokristianë është që ju të tregoni vullnet të palëkundur për bashkëqeverisje me partitë e koalicionit qeveritar dhe në komunat dhe bashkitë ku ju veproni”, - është shprehur Ndoka, i cili theksoi se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, me sistemin e ri zgjedhor, të zgjedhurit vendorë do të kenë një përgjegjësi politike më direkte dhe më të madhe për t’u përballur me elektoratin, për t’u kërkuar atyre mbështetje për zgjedhjet.
7 Qershor 2008