Biznesi i madh, raportim online te detyrimeve tatimore
TIRANE- Biznesi i madh prej muajit shkurt do të jetë i detyruar të raportojë vetëm në mënyrë elektronike, (on-line) pranë Drejtorisë së Tatim Taksave. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kjo masë vjen për dy arsye: reduktohen kostot administrative të biznesit: si dhe luftohet korrupsioni. Burimet bënë të ditur se deri tani vetëm 30 për qind e deklarimeve nga biznesi janë kryer on-line. Ndërkohë tatimet parashikojnë si hapin tjetër pagesën elektronike të detyrimeve të biznesit dhe për këtë ata shpjegojnë se po negociohet me bankat në vend. Përsa i takon pajisjes së biznesit të madh me kasat regjistruese burimet thanë se momentalisht vetëm 8571 biznese në të gjithë vendin, nga afro 11 mijë të tilla, kanë instaluar kasat regjistruese, të cilat duhet të përcjellin elektronikisht informacion mbi xhiron mujore të realizuar. Afati i fundit për vendosjen e kasava regjistruese për biznesin e madh ishte 31 dhjetori i vitit 2009. Lidhur me këtë, burimet zyrtare shtuan se nga ana e tatimeve do të merren masa për pajisjen e të gjithë biznesit të madh me kasa registruese. "Mosvendosja e kasave do të thotë fshehje e detyrimeve tatimore nga ana e bizneseve", shprehen burimet zyrtare të DPT-së. Pas biznesit të madh edhe biznesi i vogël do t'i duhet të pajiset me kasat fiskale, duke pasur si afat qershorin e këtij viti.(Atsh/BalkanWeb)