E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i madh, tatimet: Të ulet pragu për skemën e TVSH

 

Fabiola Çela

Administrata tatimore i ka propozuar Ministrisë së Financave që të ulë pragun për futjen e bizneseve në skemën e TVSH-së. Aktualisht bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 8 milionë lekësh klasifikohen si biznes i madh. Ndërsa sipas propozimit të tatimeve, ky prag duhet të jetë 4 milionë lekë. Nëse Ministria e Financave i jep ‘OK’ këtij propozimi, atëherë numri i bizneseve të mëdha do të rritet ndjeshëm, për rrjedhojë edhe të ardhurat në arkën e shtetit. Në deklaratën për mediat, kreu i Tatimeve, Artur Papajani është shprehur se, “ne i kemi propozuar Ministrisë së Financave, e cila është duke marrë ende në shqyrtim uljen e këtij pragu”.
Tatimet
Kush ka kaluar kufirin mbi 8 milionë lekë të xhiros vjetore, do të quhet biznes i madh. Për tatimet, abuzimi i subjekteve në këtë kategori është dhe më i madh. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Artur Papajani, nga investigimi tatimor janë zbuluar rreth 3500 biznese me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë në vit dhe që sigurisht kanë raportuar më pak. Statusi i tyre do të ndryshojë që në fillim të vitit tjetër. “Nga investigimi që kemi bërë del se nuk është reale shifra e deklaruar në deklaratat që biznesi i vogël solli në mars. Rreth 10% e tatimpaguesve të biznesit të vogël në gjithë Shqipërinë doli me xhiro mbi 2 milionë lekë. Pas investigimeve, në gjithë territorin dolën të paktën 3500 subjekte që janë kontingjente gati për të kaluar në biznes të madh, të cilët nga investigimet tona e kanë kaluar atë shifër që kanë deklaruar në pushtetin lokal me 2-3 milionë lekë xhiro”, tha Papajani. Sipas të dhënave zyrtare nga administrata tatimore, deri në fund të shtatë mujorit janë mbledhur 19.6 miliardë lekë, nga 19.2 miliardë lekë të parashikuara për periudhën. Të ardhurat nga TVSH-ja në tatime përbëjnë rreth 31.7 për qind të të ardhurave gjithsej nga TVSH-ja. Në krahasim me të njëjtën periudhë të 2008-ës, ato janë rritur me 1.8 miliardë lekë ose 10.3 për qind. Kjo rritje është në terma neto, pra duke zbritur rimbursimin ndaj bizneseve për këtë tatim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›