E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jam më i miri në 150 vjet histori”

 

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni ka dhënë spektakël para gazetarëve në Spanjë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin spanjoll, Jose Luis Zapatero, duke sulmuar shtypin për dezinformim. Gazetari i “El Pais” e ka pyetur kryeministrin në konferencën për shtyp: “President, meqë ju doli edhe skandali i shoqërueseve, nuk e keni menduar kurrë të jepni dorëheqjen?”. Pa matur fjalët kryeministri i Italisë u përgjigj me sulm: “Nuk ka prostitucion, janë gënjeshtra, unë kam qenë viktimë e një sulmi nga një person që kërkonte të krijonte një skandal (Patrizia d’Addario). Edhe në atë rast doli se nuk kam paguar asnjë grua. Sepse nuk më pëlqen t’i paguaj, preferoj t’i fitoj femrat”. Deklaratën e sipërmarrësit Tarantini, se ka çuar 30 vajza te kryeministri, Berluskoni e komentoi se “Ka ardhur në disa darka i shoqëruar me gra të bukura, duke i paraqitur ato si miket e tij”. Ai ka hedhur menjëherë edhe kërcënime për D’Addarion. “”Me katër krimet për të cilat ajo është përgjegjëse, rrezikon 18 vjet burg. Unë nuk kam vendosur nëse do ta padis”, u shpreh Berluskoni. Menjëherë më pas sulmoi edhe shtypin. “Ka keqinformim, shoh se citohen nëpër gazeta gjëra që unë nuk i kam thënë kurrë, prandaj pas katër muajsh kam hedhur në gjyq “La Repubblica” dhe “L’Unita”. Kryeministri italian nuk ka kursyer as spanjollen “El pais” e cila publikoi e para fotot në vilën e Berluskonit pas festave, të cilat në Itali ishin censuruar. “Nuk duhet të tregoheni të njëanshëm. Duket që ju lexoni vetëm “L’Unita” dhe “La Repubblica” dhe mund të shtoj edhe shumë gjëra për gazetën tuaj por po i evitoj. Siç e keni nisur do t’ju bien shitjet dhe reklamat. Kështu shkohet drejt falimentimit”, tha ai.  Më pas erdhi vetëvlerësimi: “Jam presidenti më i mirë i Këshillit në 150 vite histori”. Dhe reagon opozita në Itali. Sekretari i Pd, Dario Franceschini, tha se: “Berluskoni thotë shumë gjëra të pakuptimta, e fundit është se ai ishte kryeministri më i mirë në 150 vjet të historisë italiane. Por ka edhe një që ka bërë më shumë se ai: Benito Mussolini”. Berluskoni i është rikthyer tensionit që kishte krijuar një batutë e tij në vitin 2008 mbi gratë në qeverinë Zapatero; “Ajo qeveri është shumë rozë-rozë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›