Kaos pas ndeshjes, danezët bëjnë dush me ujë të ftohtë
Leonard Karaj
Dushe pa ujë të ngrohtë dhe në disa edhe pa ujë fare; fëmijë dhe njerëz të paautorizuar që "pushtuan" fushën e blertë të stadiumit kombëtar "Qemal Stafa"; në pak fjalë, një çorganizim i organizuar.
Të gjitha këto janë marrë parasysh nga vëzhguesi i UEFA-s për ndeshjen Shqipëri-Danimarkë dhe, sipas të gjitha gjasave Federata Shqiptare e Futbollit do të marrë një gjobë të majme. Flitet për 30 mijë euro, vendim ky që mund të merret në mbledhjen e radhës të Komisionit të Disiplinës të qeverisë së futbollit evropian, ku do të diskutohen të gjitha rastet problematike gjatë ndeshjeve të fundit për kualifikimet e Botërorit 2010. Problemet në fakt në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" patën filluar që para ndeshjes, ku një tub vaditës i stadiumit shpërtheu duke lagur një pjesë të mirë të fushës dhe duke vështirësuar terrenin. Përplasjet mes drejtorisë së këtij stadiumi dhe drejtuesve të Federatës së Futbollit kanë shkuar deri në atë pikë sa vëzhguesi i UEFA-s, Danilo Filakione, ka bërtitur në dhomat e zhveshjes për kushtet jo optimale si për skuadrën e Danimarkës, por dhe për gjyqtarët që arbitruan këtë takim. Filakione ka replikuar ashpër me punonjësit e stadiumit, për faktin se arbitrat e takimit ishin detyruar të bënin dush me ujë të ftohtë. Madje, arbitri kryesor Cunejt Çakir pati dalë me peshqir në korridorin e dhomave të zhveshjes duke u ankuar për ujin e ftohtë në dushe. Gjithashtu, i dërguari i FIFA-s nuk pranoi që mediat t'i intervistonin lojtarët afër dhomave të zhveshjeve të futbollistëve.