Raporti i BB: Të zbatohen ligjet
“Shqipëria është treguar e zonja në rishikimin e rregullave dhe kuadrit ligjor dhe po e bën këtë edhe duke u këshilluar me bizneset, edhe pse ka vend për përmirësim. Por zbatimi, ashtu si dhe në vendet e tjera në zhvillim, vazhdon të mbetet një problem dhe është diçka nga e cila nuk duhet të hiqni dorë. Kjo natyrisht varet nga natyra dhe menaxhimi i administratës publike”, është shprehur në një intervistë të dhënë për “Zëri i Amerikës” drejtoresha e BB-së në Tiranë, Camilla Nuamah. Sipas saj, “ky duket është elementi më i rëndësishëm. Por varet dhe nga ndërgjegjësimi i publikut, nga ndërgjegjësimi i biznesit me rregullat dhe ligjet, njohjen me informacionin në mënyrë që firmat duan t’i zbatojnë ato të kenë mundësi t’i zbatojnë”. Sipas raportit të Bankës Botërore “Si të bësh biznes në 2010”, Shqipëria ka patur një përmirësim të lehtë, këtë vit nga 183 vende Shqipëria renditet në vend të 82. Renditja e vitit të kaluar është rishikuar dhe Shqipëria ka kaluar nga e 86 në të 82. Kjo e vë Shqipërinë në mes të vendeve të rajonit, pas Maqedonisë dhe Malit të Zi, shumë afër Serbisë dhe përpara Bosnjës dhe Kosovës. Por sipas këtij raporti, përsa i përket pagimit të taksave, Shqipëria renditet e 138-ta. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, Banka Botërore ka krijuar një model llogaritjeje dhe në fund ka vendosur një shënim, ku thuhet se ky rast funksionon vetëm për ndërmarrjet e mëdha dhe vendet e mëdha.