E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet supermashtruesi Kejdi Kotte

 

Fatos Mahmutaj

Ora 08:40. Pas zhurmës kërkëllitëse të derës së burgut të Vaqarit dallohet silueta e një djali që sapo kishte prekur lirinë. I hutuar sheh rreth e rrotull për të gjetur njeriun që do e dërgonte në shtëpi. Drejtohet andej nga e thirrën në emër dhe pa kaluar as dy sekonda, gjendet brenda një autoveture tip “Golf III”, i cili largohet me të shpejtë për t’iu shmangur gazetarëve duke lënë pas një vragë pluhuri. Ishte Kejdi Kotte, 35-vjeçari kryeqytetas, personazhi i njohur i botës së mashtrimeve, që i zhduku ish-bankës së Kursimeve si me magji 250 milionë lekë të vjetra, i cili i kthehej lirisë pas 9 viteve të kaluara në qeli. Nga burgu nuk ka ndryshuar shumë. Është po ai që ka qenë 9 vite më parë kur ra në pranga. Të vetmet ndryshime që vërehen në fizikun e tij, janë ca kilogramë më tepër dhe ca thinja në kokë. Mbetet po ai njeri që del shpejt nga situata dhe nga të paktët persona, që nuk e merr për krenari kohën e kaluar pas hekurave të qelisë, siç ndodh rëndom me të burgosurit e sapo liruar. Kjo vihet re që nga fraza e parë që nxjerr nga goja: “Nuk bëhet shaka me ligjet. Aventura që bëra u shpagua”. I pyetur për kohën e kaluar në qeli, Kotte përgjigjet shkurt: “Mbaroi. Tashmë do mundohem të kap sa më shumë nga koha e humbur”. I pyetur për planet për ardhmen, përgjigja është e shpejtë. “Do marr një ambient me qira dhe do hap një kafe internet sa për të ushqyer familjen”. Siç duket këtë plan e ka krijuar gjatë kohës që ndodhej në qeli, ndërsa e ka përpunuar gjatë kohës që dilte me leje herë pas here, duke e parë si mundësinë më të mirë për të bërë diçka të vlefshme, ndryshe nga ato çfarë kishte punuar para së të përfundonte në burg. Tashmë pas lirimit Kejdi është më i lirë në të rrëfyer. Nëse e takoje më parë gjatë kohës që dilte me leje shpërblyese ai rezervohej përsa i përket jetës brenda mureve të burgut. Në fakt Kotte është nga të paktët të dënuar që një pjesë të mirë të ditës e kalonte jashtë qelisë, në mjaft raste edhe jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit. Kjo falë dhuntive të tij, në këtë rast jo dhuntive të mashtruesit, por të informaticienit dhe inxhinierit elektronik. Nëpër disa burgje ka qenë punësuar si profesor i lëndës së kompjuterit, duke u dhënë bashkëvuajtësve njohuri elementare mbi kompjuterin dhe përdorimin e tij, ndërsa në mjaft raste të tjera Kotte do të shihej nëpër zyrat e krerëve të institucioneve të vuajtjes së dënimit, ku programonte kompjuterët apo rregullonte sistemin kompjuterik të burgut. Po kështu Kotte për shumë kohë nëpër disa burgje i ishte besuar puna nga sekretari, edukatorët apo në mjaft raste edhe nga juristi i institucionit për të përgatitur dokumentacionin e duhur. Kjo kohë e artë do të përfundonte dy vite më parë, kur Kotte për t’u argëtuar herë pas here bënte edhe ndonjë shaka pa kripë, si fotomontazhi në krah të ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, apo një nga pikat e planit të punës: “Trajtimi dhe edukimi i të burgosurve sipas Kartës së Honolulusë për të Drejtat e të Dënuarve”. Por këto shaka do i kushtonin shtrenjtë, pasi do të rikthehej sërish në qeli, duke iu ndaluar në mënyrë kategorike çdo lloj argëtimi për disa muaj derisa do u rikthehej sërish punëve në burg, pasi stafi i institucioneve nuk i kishte të gjitha aftësitë, sidomos ato në fushën e elektronikës. Pavarësisht shakave pa kripë dhe lojës me administratën e burgjeve, ku ndodhej dhe stafin policor Kotte ka pasur një sjellje shembullore në qeli. Është ndër të paktit të burgosur që nuk ka pasur asnjë masë disiplinore gjatë vuajtjes së dënimit. Nuk ka pasur asnjë grindje me bashkëvuajtësit, si dhe asnjë tentative për t’u arratisur. I vetmi mjet i paligjshëm që është gjetur në qelinë e tij ka qenë një lap-top, të cilin e kishte futur sipas ligjeve, por me marifetet e tij kishte sajuar internet dhe komunikonte në mënyrë komode me njerëzit jashtë burgut për vite me radhë. U zbulua vetëm kur mediat botuan dokumente nga burgjet që konsiderohen sekret, të cilat Kotte i përpilonte në kompjuterin e tij për të ndihmuar ata persona që paguheshin për të bërë atë punë. 

Kejdi Kotte,9 vjet burg për 4 akuza
TIRANE - Kejdi Kotte është vënë në pranga më 11 prill 2000 nën akuzat: “Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”, “falsifikim dokumentesh”, “falsifikim të letërnjoftimeve apo vizave” dhe “falsifikim të akteve të gjendjes civile”. Një vit më vonë Kotte do të dënohej nga Gjykata e Tiranës me 12 vjet burg, ndërsa Apeli do i jepte maksimumin e dënimit 17 vite burg. E vetmja lehtësi për të ishte aplikimi i gjykimit të shkurtuar në proces, çka i uli një të tretën e dënimit, duke lënë për të vuajtur në qeli 11.5 vjet burg. Uljet e herë pas hershme të dënimit për shkak të sjelljes së mirë në qeli dhe llogaritja e kohës së paraburgimit i falën Kottes rreth dy vjet burg, duke bërë që ai të lirohej dje, pas 9 vjetësh e 5 muajsh burg. Si gjatë gjykimit, por edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit Kotte ka mbajtur qëndrim pohues ndaj akuzës, duke pretenduar se ishte penduar për ato veprime që kishte kryer, duke i quajtur aventura të moshës.      f.m.

Të dënuarit: Kishte pasion kompjuterin
Kejdi Kotte nuk identifikohej ndryshe në qeli veçse njeriu-kompjuter. Kjo jo për faktin se ai dispononte njohuritë e duhura në fushën e elektronikës, por se në qelinë e tij mbante një kompjuter portativ, laptop, të cilin e kishte lidhur me një sistem interneti valor dhe komunikonte më njerëzit jashtë burgut. Bashkëvuajtësit si dhe administrata e burgjeve ku ka qëndruar Kotte pohojnë se ky i burgosur e kalonte gjithë kohën mbi kompjuterin e tij, duke qenë një nga të dënuarit model përsa i përket zbatimit të rregullave në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›