“Roma digjet”, Berluskoni, rrezik për aleatët
Gazeta britanike “Times” publikoi dje editorialin “Roma digjet”, një titull që ndalet këtu, por që të nxit të mendosh Neronin që vazhdonte të mburrej, ndërsa gjithçka rreth tij shembej. Gazeta shkruan me habi se si pas gjithë rënies së besimit për të, Berluskoni vazhdon të mbetet në fuqi dhe e argumenton këtë me mungesën e një figure të fortë opozitare që ta sfidojë atë. “Times” përmend presidentin e Dhomës Përfaqësuese, Gianfranco Fini, i cili pas debatit të këtyre ditëve me Berluskonin “me siguri po mendon gjatë dhe përfaqëson më të mirën e së djathtës, vlerat familjare dhe konservatorizmin tradicional”. Tre gjërat që e bëjnë Berluskonin dëmtues janë prishja e imazhit të Italisë jashtë, mentaliteti i mbyllur dëshira për t’u hequr se gjithçka po shkon mirë, që fshehin një tërbim për paaftësinë e botës së tij virtuale për ta mbrojtur dhe e treta, frika e pathënë nga shantazhet. “Times” shkruan se shumica e grave me të cilat shoqërohej Berluskoni ishin të huaja. “Çfarë do të ndodhte nëse një fuqi e huaj të vendoste ta përdorte këtë dobësi të tij. Italia është një partner i rëndësishëm perëndimor për NATO-n, nga Ballkani në Afganistan. Sjellja e kryeministrit është shqetësuese për të gjitha aleatet e vendit të tij”. “Times” e mbyll artikullin me opinionin e një gazetari italian: “Kryeministri të jep përshtypjen e një njeriu të zemëruar, të mundur e depresiv, që grindet me të gjithë”. Emri i Berluskonit është përfolur edhe te “Daily Telegraph”, që paralajmëron fundin e tij, “Guardian”, që komenton gjithashtu se gratë që kanë qenë në shtrat me të mund të kenë shkelur sigurinë kombëtare, “Daily Mail” që komenton galerinë e vajzave të festave, “Il Figaro”, “Le Monde” që komentojnë strategjinë e tensionit të Berluskonit kundër kundërshtarëve, “Il Mundo” që shkruan “Prostitucion e kokainë, çelësi i suksesit”, duke komentuar rrëfimin e sipërmarrësit Tarantini, “La Voz de Galicia”, “El Pais”. Në Irlandë, “Irish Times”, dhe “Irish Independent” i komentojnë thëniet e Tarantinit si “deklaratat shpërthyese”. Në Australi, “Mx”, shkruan mbi zinxhirin e prostitutave të kryeministrit. Ndërsa në Argjentinë, shkruhet: “30 prostituta në 18 festa për ‘shefin”.