S’ndalet euro, fiton sërish terren ndaj lekut
Monedha evropiane ka fituar sërish terren ndaj lekut. Në agjencitë e këmbimit valutor një euro blihet me 133.3 lekë dhe shitet me 133.9 lekë. Ndërsa dollari këmbehet me 91.6 lekë në blerje dhe me 92.2 lekë në shitje. Gjatë ditëve të fundit, monedha e përbashkët europiane ka vijuar të fitojë terren ndaj lekut. Shkak për këtë forcim të euros është mungesa e saj në treg. Me largimin e emigrantëve euro i ka forcuar sërish pozitat e saj në tregun e këmbimit valutor. Por këtë vit ndryshe nga vitet e kaluara dhe gjatë periudhës së kthimit të emigrantëve, përsëri euro nuk pësoi ndonjë zhvlerësim të lartë. Forcimi i pazakontë i euros ka ndodhur për shkak të mungesës së valutës në treg. Kambistët shprehen se këtë vit, fluksi i shkëmbimeve valutore ka qenë i ulët. Një efekt ky i krizës ekonomike botërore, duke pasur parasysh se të parët që janë prekur prej saj kanë qenë emigrantët. Forcimi i monedhës së përbashkët europiane rëndon mbi të gjitha ata qytetarët që kanë marrë kredi në euro dhe që të ardhurat i kanë në lekë, pasi duhet të paguajnë më shumë për interesat mujorë. Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e portofolit të kredisë në banka është në monedhë të huaj, çka do të thotë se luhatja e euros në treg ka një efekt të menjëhershëm tek pjesa më e madhe e konsumatorëve që kanë marrë një kredi pranë bankave. Këtë vit ndryshe nga më parë bankat kanë shtrënguar ndjeshëm dhënien e kredive, sidomos për ato në monedhë të huaj. Një tjetër faktor që ka ndikuar është edhe kriza ekonomike globale, e cila ka shkaktuar nënçmimin e monedhës kombëtare në shumë vende të botës. Në mbledhjen e fundit të këshillit mbikëqyrës Banka e Shqipërisë vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 5.75 për qind.
Këmbimi
Euro
133.3 lekë blihet
133.9 lekë shitet
USD
91.6 lekë blihet
92.2 lekë shitet