Rama: “Sot, më shumë gra që përfaqësohen në Parlament”
Partia Socialiste po e sheh me seriozitet rritjen e angazhimit të gruas në politikë. Forumi “Ne, gratë e majta dhe vizioni ynë politik” u organizua dje në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ky forum synoi të adresojë politikat arsimore, shëndetësore, sociale dhe ato të drejtësisë, si një vizion politik i drejtpërdrejtë i politikëbërjes e vendimmarrjes lokale e qendrore. Morën pjesë deputetet femra të qarkut të Tiranës dhe të Durrësit, si dhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se sot ka një nivel më të lartë përfaqësimi të gruas në Parlament, ku shifra është dyfishuar në krahasim me legjislaturën e kaluar, por duhet pjesëmarrje edhe më e lartë e gruas në Parlament.
Forumi
Kreu i PS-së nënvizoi se ky takim ka një të ardhme dhe do të sjellë një produkt shumë pozitiv për të gjithë ne. Sipas tij, ky takim është një forum ku do të hapet një diskutim për një vizion, i cili do t’i paraprijë, siç e thashë formësimit apo riformësimit të organizatës të grave socialiste dhe progresiste. Kryesocialisti theksoi se ky është një forum pa kufij partiakë, një forum që do t’u mundësojë grave dhe vajzave në çdo qytet dhe në çdo komunë të vendit pjesëmarrjen në debate të domosdoshme për përmirësimin e kushteve, për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave shqiptare në jetën shoqërore të komunitetit të tyre dhe të vendit tonë të përbashkët.
Rama
“Forumi ka një histori të vetën, e cila pa dyshim është një gur i rëndësishëm themeli. Por, si çdo organizëm i gjallë, si çdo organizatë që duhet domosdoshmërisht të jetojë me kohën, e ka të nevojshme të rivendoset dhe të riformësohet, duke konsideruar të gjitha ato aspekte të jetës së sotme shoqërore që janë të reja, me të cilat përballemi, qoftë në kuptimin pozitiv, qoftë në kuptimin negativ; të gjitha ato dukuri që kanë të bëjnë me hapësirat e reja që janë krijuar për gratë dhe vajzat, por që kanë të bëjnë edhe me pengesat e reja që u janë krijuar grave dhe vajzave në jetën e përditshme shqiptare. Pasi, nga njëra anë është bërë më e lehtë, por, nga ana tjetër, është bërë më e vështirë për ato që kanë kurajë dhe që guxojnë, ka gjithmonë një horizont të mundshëm, por për shumëkënd që nuk e ka kurajën e veçantë dhe që nuk i ka mundësitë për të gëzuar, ai horizont është i mbyllur dhe jeta është vështirësuar tej mase”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “kam parasysh këtu një proces regresit, i cili i ka mbyllur në shtëpi dhe mbyll në shtëpi dita-ditës shumë nëna të reja. I përball shumë vlera me pamundësinë për të gjetur një punë dhe që i detyron të jetojnë brenda mureve të shtëpisë, që iu vendos vajzave barrierë që i konsideronin të shembura qysh në shekullin e shkuar, që në jo pak raste i kthen ato në objekte të një shfrytëzimi të patolerueshëm për një shoqëri të lirë demokratike”. Rama theksoi se kush më shumë sesa gratë që e përfaqësojnë drejtpërdrejt shoqërinë, komunitetin në instancën më të lartë përfaqësuese të vendit në Parlament duhet ta ndiejë të vetin këtë detyrim për të qenë shembull për shumë gra dhe vajza që më shumë se çdo gjë tjetër kanë nevojë për kurajë. “Këtë kurajë mund ta marrin më shumë se nga të gjitha fjalët, nga shembujt realë dhe të prekshëm të atyre që ia dalin të jenë nëna të shkëlqyera, por të jenë edhe aktiviste të spikatura në jetën publike. Unë jam shumë krenar që jam këtu me disa nga këto gra”, - tha Rama. Ai tha se Durrësi ishte qyteti i parë ku shpalosen vizionet politike të deputeteve femra të Partisë Socialiste, për të vazhduar rrugëtimin e për t’u ndalur në qytete të tjera me të tjera imazhe politike dhe me më shumë elektorat femëror.
Ky forum u përqendrua:
1. Të forcojë rolin e gruas së Partisë Socialiste në politikë nëpërmjet promovimit të figurës dhe vizionit të saj në politikëbërjen integruese gjithëpërfshirëse.
2. Të rrisë solidaritetin e grave të majta në promovimin dhe mbështetjen e njëra-tjetrës në zgjedhjet e ardhshme.
3. Të fuqizojë bashkëpunimin e grave të majta në njohjen dhe identifikimin e vlerave të përbashkëta.
Berisha, Bode dhe Olldashi, vizitë zyrtare në Kuvajt
Kryeministri Berisha është nisur dje për një vizitë zyrtare në Kuvajt, me ftesë të kryeministrit të Kuvajtit, sheikut Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.
Në këtë vizitë zyrtare kryeministri Berisha shoqërohet nga ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, nga ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, zoti Sokol Olldashi, si dhe nga një përfaqësi e komunitetit të biznesit shqiptar. Kryeministri Berisha, gjatë kësaj vizite do të pritet në një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Kuvajtit, sheiku Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, me të cilin do të zhvillojë dhe një takim që do të pasohet edhe nga nënshkrimi i një marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Berisha do të takohet me Emirin e Kuvajtit, sheikun Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah si dhe me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi. Një pjesë e gjerë e axhendës së kryeministrit Berisha do të jetë e fokusuar në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe me interesin e investitorëve kuvajtianë për të investuar në Shqipëri. Gjithashtu, gjatë këtyre takimeve pritet të nënshkruhet një seri marrëveshjesh të rëndësishme, si: nënshkrimi i konventës mes Shqipërisë dhe Kuvajtit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin; nënshkrimi i programit ekzekutiv për turizmin etj. Kështu, kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me zotin Khalid Abdullah Al-Sager, drejtues pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, si dhe me zotin Abdulwahab Al-Bader, drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab.
Të hënën në Komisionin e Ligjeve diskutohet raporti i Komisionit të Shërbimit Civil
Në mbledhjen e ditës së hënë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve është parashikuar diskutimi i raportit vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil. Në këtë raport hidhen akuza ndaj nëpunësve të administratës shtetërore për miliona lekë të shpërdorura për reklama. Në 51 faqe raport dokumentohen problemet e thella të administratës shqiptare, e cila, sipas progres-raportit të fundit të Komisionit Europian, mbetet ende e politizuar dhe jashtë standardeve ndërkombëtare. Në dokumentin që do të duhet të miratohet nga deputetët, theksohet se “ashtu si edhe një vit më parë, vazhdon të jetë një problem i përbashkët i institucioneve të administratës qendrore dhe vendore emërimi në kundërshtim me ligjin, në pozicione pune që bëjnë pjesë në shërbimin civil nëpërmjet kontratave apo akteve të emërimit”. Sipas raportit të KSHC-së, në institucionet e administratës qendrore të kontrolluara një vit më parë kanë qenë 46 pozicione pune të plotësuara nëpërmjet emërimeve me kontrate, ndërsa në vitin 2009, në institucionet e kontrolluara gjatë vitit që raportohet janë plotësuar në këtë mënyrë 56 pozicione pune që bëjnë pjesë në shërbimin civil. Në krye të listës së emërimit të nëpunësve në kundërshtim me ligjin qëndron Ministria e Brendshme me 24 raste të tilla, më pas vjen dikasteri i Arsimit dhe i Shkencës me 18 raste dhe në vend të tretë renditet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me 14 raste. Sipas institucionit që mbikëqyr qeverinë dhe institucionet e tjera të shtetit, shqetësues është fakti se në pjesën më të madhe të institucioneve të administratës qendrore të mbikëqyrura nuk është ndeshur asnjë rast i procedimit të procedurave të ngritjes në detyrë. Pozicionet e mesme dhe të larta janë plotësuar në të gjitha rastet ose nëpërmjet konkurrimit të hapur ose nëpërmjet emërimit me kontratë të punonjësve të institucionit apo edhe të personave të ardhur nga sektori privat. Si raste tipike përmenden në dokumentin e KSHC-së ato që janë evidentuar në Ministrinë e Brendshme, ku janë gjetur 6 raste dhe 9 në Ministrinë e Arsimit. Për të njëjtin problem, më keq se administrata qendrore paraqitet ajo vendore, e cila nuk e ka përfillur ligjin në pjesën më të madhe të ngritjes në detyrë apo
lëvizjeve paralele.
5 Prill 2010