KLD-ja shpall 19 vende bosh në Inspektorat dhe nëpër gjykata
Laureta Rryçi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shpallur 19 vende bosh nëpër gjykata të ndryshme të vendit dhe në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas burimeve zyrtare pranë këtij këshilli, vendet bosh janë hapur në disa gjykata dhe pasi të kalohet procedura e parë e filtrimit të kandidatëve, do të jetë vetë Këshilli që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm vendet bosh sipas gjykatave dhe dokumentet që duhet të kenë kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë për këto vende bosh. Burime pranë Këshillit shpjeguan se pritet të ketë një numër të madh kandidatësh për shkak se vendet bosh janë kryesisht në gjykatat më të mëdha të vendit.
Kandidaturat
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka publikuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që u duhet kandidatëve dhe procedurat që do të ndiqen për të mbërritur deri në fazën finale të përzgjedhjes. Bashkë me dokumentet, gjyqtarët që preferojnë këto vende pune duhet të plotësojnë gjithashtu edhe një formular. Për postin e gjyqtarit duhet të dorëzosh një dosje me disa dokumente që kanë të bëjnë me karrierën dhe kontributin e gjithsecilit në gjyqësor. Ndërkohë, të gjithë ata që kanë marrë masa ndëshkimore do të jenë në dizavantazh me kolegët e tyre për të njëjtin vend vakant. Në të njëjtën kohë, rëndësi ka koha kur është dhënë masa disiplinore. Do të ishte më mirë për kandidatët që të kishte kaluar periudhën 3–vjeçare, pasi ajo nuk mbetet më në fuqi, por fshihet nga dosja personale e gjyqtarit.
Inspektorët
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e fundit përcaktoi edhe katër vende bosh për inspektorë në këtë dikaster. Sipas vendimit, bazuar në Ligjin Nr. 9877, datë 12.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 14 me titull “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, si dhe në Vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 195/2/a, datë 05.07.2006, i ndryshuar, “Rregullore për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, njoftohen gjyqtarët që përmbushin kushtet për t'u emëruar gjyqtarë në Gjykatat e Apelit dhe në mungesë të tyre, juristët që kanë shërbyer si gjyqtarë jo më pak se 5 vjet, të cilët dëshirojnë të konkurrojnë për funksionin e inspektorit në këto vende vakante, të paraqesin dokumentacionin përkatës brenda datës 07 maj 2010, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Procedura e konkurrimit për përzgjedhjen e dy inspektorëve pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të vijojë sipas dispozitave respektive të parashikuara në legjislacionin dhe aktet nënligjore të kësaj fushe.
Të shpallë publikisht vendet vakante për gjyqtarë në gjykatat:
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër;
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën Shkallës së Parë për Krime të Rënda;
2 vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë;
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë;
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës;
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë;
1 vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec;
2 vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër;
2 vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë;
2 vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Dokumentet që duhen dorëzuar për vende bosh nëpër gjykata:
Dekreti i Presidentit të Republikës ose ekstrakt nga akti i emërimit si gjyqtar;
kopje e diplomës të Fakultetit te Drejtësisë / Shkolla e Magjistraturës;
kopje e listës së notave;
certifikatë e gjendjes familjare;
fotografi (format 9x12, 2 copë);
dëshmi e gjendjes gjyqësore;
karakteristikë nga Shkolla e Magjistraturës (vetëm për Magjistratët);
vendime për transferim, dhënie funksione drejtuese, lirim nga detyra;
certifikata për pjesëmarrje në trajnime të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës;
dokumente vërtetuese të titujve të studimit, të fituara pas emërimit në detyrë, gjatë kurseve të trajnimit, arsimimit nga veprimtari shkencore, mësimdhënieje dhe në përgjithësi çdo dokument tjetër lidhur me përgatitjen teknike dhe profesionale të gjyqtarit, mes të cilëve dhe dëshmitë për pjesëmarrje në vizita studimore të organizuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë;
vlerësimi vjetor i punës i bërë nga kryetari i gjykatës ku ushtron aktivitetin gjyqtari, dokument i cili duhet të dorëzohet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, brenda muajit janar të vitit pasardhës;
të gjitha vlerësimet e aftësive profesionale dhe të çështjeve të etikës në vite;
vendime për masa disiplinore;
dokumente lidhur me gjendjen shëndetësore (invaliditeti ose sëmundjeje);
akte të tjera të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Presidentit të Republikës, të Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë;
procesverbalet e kontrolleve të bëra nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Bazuar në Ligjin Nr. 9877, datë 12.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, ftohen kandidatët, të cilët plotësojnë kërkesat ligjore, të paraqesin kërkesat dhe dokumentacionin përkatës pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, brenda datës 07 maj 2010.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me Vendimin Nr. 260/6.b, datë 01.04.2010, vendosi të shpallë publikisht
4 (katër) vende vakante për inspektorë pranë këtij institucioni.
Bazuar në Ligjin Nr. 9877, datë 12.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 14 me titull “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, si dhe në Vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 195/2/a, datë 05.07.2006, i ndryshuar, “Rregullore për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, njoftohen gjyqtarët që përmbushin kushtet për t'u emëruar gjyqtarë në Gjykatat e Apelit dhe në mungesë të tyre, juristët që kanë shërbyer si gjyqtarë jo më pak se 5 vjet, të cilët dëshirojnë të konkurrojnë për funksionin e inspektorit në këto vende vakante, të paraqesin dokumentacionin përkatës brenda datës 07 maj 2010, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Procedura e konkurrimit për përzgjedhjen e dy inspektorëve pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do të vijojë sipas dispozitave respektive të parashikuara në legjislacionin dhe aktet nënligjore të kësaj fushe.
Gërdeci, Ylli Pinari paraqitet për herë të parë në Gjykatë
Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, i arrestuar si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit, u paraqit dje për herë të parë në Gjykatën e Tiranës. Pinari kishte ardhur për të dhënë deklarimet e tij në procesin që po zhvillohet prej disa muajsh. Mirëpo ai nuk ka mundur dot të shqiptojë qoftë edhe një germë para trupit gjykues për shkak se seanca gjyqësore u pezullua nga kryetari i trupit gjykues, Ridvan Hado. Ky i fundit ishte i detyruar të merrte këtë vendim për shkak të mungesës së katër avokatëve të të pandehurve që janë në këtë proces. Ndërkohë që ky vendim solli debate mes kryesuesit Hado dhe avokatit Maksim Haxhia. Avokati, në cilësinë e kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, protestoi ndaj këtij vendimi, duke i kërkuar trupit gjykues që të bënte zëvendësimin e avokatëve për të vijuar procesin gjyqësor. Mirëpo kjo kërkesë nuk është mirëpritur duke vendosur përfundimisht shtyrjen e seancës për të premten e kësaj jave. Ndërsa të pandehurit që janë në gjendje arresti janë shoqëruar sërish nëpër qelitë e paraburgimit për t’u rikthyer sërish në seancën e ardhshme.
65 përmbarues, në test për të marrë licencë private
Dje u janë nënshtruar provimit 65 përmbarues për të marrë për herë të parë një licencë private për një aktivitet të tillë. Provimi, ashtu siç e parashikonte dhe urdhri i posaçëm i ministrit të Drejtësisë, u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Kandidatët, pjesa më e madhe e të cilëve ishin përmbarues me eksperiencë të gjatë në shtet, i janë nënshtruar një testi që është hartuar nga specialistë të këtij dikasteri. Ndërsa ligji ka përcaktuar kriteret e përzgjedhjes, filtrimi i plotë i përmbaruesve privatë do të bëhet nëpërmjet konkursit. Specialistët e Ministrisë së Drejtësisë mësohet se do të ndjekin të njëjtën procedurë si për licencat e noterëve. Konkursi do të jetë i vlefshëm për personat që duan licenca individuale dhe licenca për persona që do të operojnë si studio me disa persona.
6 Prill 2010