Biznesi i vogël ankohet për taksën e tv publik
Dhjetëra biznese të vogla në Qarkun e Fierit ankohen për taksën e televizionit publik shqiptar, pasi në ambientet ku ushtrojnë aktivitetin e tyre nuk disponojnë aparat televizori. Madje shumë prej tyre nuk kanë denjuar që të paguajnë as faturën e konsumit të energjisë elektrike për muajin shkurt, për faktin e vetëm se në atë faturë figuron e shtuar edhe taksa e TVSH-së. Ky fakt bëhet i ditur për gazetën "Shqip" nga punonjësit e sporteleve të pagesës së faturave të energjisë, por edhe nga mjaft përfaqësues biznesesh. Pranë sporteleve të pagesave të energjisë në qytetin e Fierit dhe atë të Lushnjës, punonjësit deklarojnë se përditë përballen me ankesa të biznesit për taksën e televizionit publik shqiptar. Dy ditët e fundit, me dhjetëra biznese janë ankimuar edhe në filialin e OSSH-së së Fierit, për të kundërshtuar këtë taksë. Burimet zyrtare nga filiali i OSSH-së pohojnë për gazetën "Shqip" se "kemi regjistruar mbi 300 ankesa që kundërshtojnë taksën e televizorit, gjatë dy javëve të fundit të marsit, ndërkohë që ky shqetësim po kthehet në fenomen".