E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PS-së: Brenda javës, vendimi për bojkotin e Kuvendit



Shaban Sulçe

Kryesia e Partisë Socialiste do të mblidhet brenda kësaj jave për të marrë vendimin përfundimtar nëse Partia Socialiste do të jetë prezente në Kuvendin e ardhshëm, apo do ta bojkotojë atë. Kongresi i Jashtëzakonshëm i 29 gushtit ka mandatuar Kryesinë si organin dhe forumin politik që do të marrë vendimin në lidhje me këtë çështje. Këtij mandatimi i është bashkëngjitur gjithashtu edhe qëndrimi i Kongresit, i cili e quan të papranueshëm rezultatin e 28 qershorit për shkak të manipulimit të zgjedhjeve nga qeveria dhe Partia Demokratike. Kryesia e PS-së pritet ta analizojë thellësisht këtë çështje dhe të marrë vendimin për bojkotin ose prezencën e PS-së në Kuvend brenda datës 7 shtator, datë në të cilën është dekretuar edhe thirrja e seancës së parë të Kuvendit të ri. Mbledhja e Kryesisë së PS-së pritet të ketë përplasje të ashpra pasi një grup anëtarësh të përfaqësuar nga Ben Blushi janë shprehur kategorikisht kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste.

Kryesia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi disa ditë më parë se vendimi për bojkotin e Kuvendit nga ana e PS-së do t’u lihet në dorë forumeve të larta drejtuese të partisë. Njëkohësisht Rama tha se Kongresi i PS-së ka mandatuar Kryesinë për marrjen e këtij vendimi. “Kongresi, i cili e ka përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve si të papranueshëm, e ka përcaktuar Parlamentin si një institucion me një legjitimitet të cunguar rëndë dhe duke i dhënë miratim rezolutës së Asamblesë, ka përcaktuar njëkohësisht edhe një qëndrim politik refuzues ndaj procesit zgjedhor dhe refuzues ndaj institucioneve që prodhon ky proces, e ka lënë në dorën e institucioneve të tjera të partisë që të konsiderojnë raportin me Parlamentin dhe momentin kur PS-ja duhet të kthehet dhe nëse do të kthehet në Parlament”, - ka deklaruar kryetari i PS-së, Edi Rama.
I sigurt është fakti se Kryesia e PS-së nuk do të jetë në gjendje të marrë një vendim unanim. Në Kryesi, disa prej anëtarëve janë të mendimit se PS-ja duhet të heqë dorë nga çdo ide bojkotuese e Kuvendit, ndërkohë që pjesa më e madhe, të njohur si mbështetës të Ramës, inkurajojnë idenë e bojkotit.

Propozimi
Një nga idetë kryesore që është hedhur në Partinë Socialiste ka të bëjë me bojkotimin e Grupit Parlamentar socialist të seancës së parë të Kuvendit. Gjithashtu, propozimi parashikon që bojkoti të ndodhë edhe në seancën e miratimit të qeverisë së re, ndërkohë që rikthimi i Grupit Parlamentar në Kuvend është parashikuar vetëm pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri. Ky vendim është shprehje e shenjës së protestës së Partisë Socialiste ndaj manipulimeve të ndodhura. Megjithatë, sipas këtij propozimi, bojkoti i Grupit Parlamentar do të zgjasë deri në momentin kur ndërkombëtarët do të japin vlerësimin për zgjedhjet. Në rast se vlerësimi i tyre do të jetë pozitiv, Grupi Parlamentar socialist do të rikthehet në Kuvend, ndërkohë që një vlerësim negativ për zgjedhjet mund të bëjë që bojkoti i Kuvendit nga ana e PS-së të zgjasë edhe më tej.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›