Biznesi i vogël, procedurat se si mund të çregjistrohet nga tatimet
Ervin KOÇi
Subjektet e biznesit të vogël të cilat që pas datës 1 janar 2010 kanë hyrë në procesin e pagesës së TVSH-së në bazë të ligjit “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, kanë të drejtë edhe të çregjistrohen. Kjo procedurë nënkupton daljen nga skema e TVSH-së duke i ndërprerë marrëdhëniet me Administratën Tatimore, pra duke mbyllur aktivitetin. Mbyllja e aktivitetit në bazë të ligjit të ri “Për procedurat tatimore” nënkupton shpalljen e procedurave të falimentit nga ana e subjektit të biznesit dhe likuidimin total të veprimtarisë. Këto procedura të reja Administrata Tatimore i ka sqaruar edhe në procedurat e saj me biznesin, duke i bërë publike edhe në faqen e saj zyrtare. Ndryshimet në ligjin e ri, detyrojnë edhe biznesin me xhiro deri në 5 milionë lekë në vit që të paguajë TVSH-në. Një ndër ligjet që ka ngjallur mjaft debate mes përfaqësuesve të biznesit dhe atyre të qeverisë tashmë do të gjejë zbatim, duke sjellë një sërë procedurash të reja që do të zbatohen nga tatimet, si dhe nga vetë bizneset. Një ndër ndryshimet e para të përcaktuar në ligj, është edhe kufiri minimal i regjistrimit për bizneset. Nëse në ligjin e kaluar ky kufi ishte 2 milionë lekë (për vit kalendarik) ose ndonjë shumë tjetër e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, por tani ai përcaktohet vetëm me VKM-ë.
Çregjistrimi
Duke pasur parasysh se shumë prej bizneseve që mund të kalojnë pragun prej 5 milionë lekësh xhiro në vit mund të deklarojnë falimentimin në ligjin e ndryshuar “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, janë ndryshuar edhe procedurat për çregjistrimin e tyre nga organet tatimore. Kështu sipas pikës 1 të nenit që ka të bëjë me çregjistrimin, personi i tatueshëm detyrohet të kërkojë çregjistrimin jo më vonë se 15 ditë nga dita e fundit kur ai ka kryer furnizime të tatueshme, si pjesë e veprimtarisë ekonomike. Personi i tatueshëm që kërkon të çregjistrohet u nënshtrohet procedurave të parashikuara në ligjin “Për procedurat tatimore”. Personi i tatueshëm detyrohet të çregjistrohet sipas këtij ligji vetëm nëse plotëson kushtet e vendosura në nenin 1. Organet tatimore refuzojnë të regjistrojnë dhe të çregjistrojnë çdo person që nuk është as i detyruar dhe as ka të drejtë për tu regjistruar, me efekt nga data që ky person nuk ka të drejtë të regjistrohet. Në çastin e çregjistrimit, personi i tatueshëm është i detyruar të paraqesë një formular deklarimi, i cili përmban informacionet që kërkohen nga organi tatimor, si dhe të bëjë pagesën përfundimtare.
Pagesa e TVSH-së
Gjithashtu ndryshimet në ligjin e ri kanë përcaktuar edhe rastet kur TVSH-ja do të zbatohet në rastet zero për qind për eksportin dhe transportin ndërkombëtar. Kështu, kjo taksë zbatohet në këtë masë për mallrat që eksportohen nga territori i Shqipërisë. Gjithashtu edhe për transportin ndërkombëtar të mallrave ose të pasagjerëve dhe të furnizimit të mallrave në lidhje me të TVSH-ja paguhet 0 për qind. Ndërkohë në zbatim të këtij neni ministri i Financave dhe ai i Transporteve kanë të drejtë të caktojnë me udhëzim të përbashkët se cilat janë furnizimet e mallrave e të shërbimeve në lidhje me transportin ndërkombëtar të mallrave dhe të pasagjerëve. Megjithatë, ashtu edhe siç është deklaruar gjatë fillimit të diskutimeve me përfaqësuesit e biznesit për aplikimin e këtyre ndryshimeve, procedurat do të jenë më të thjeshtuara. Kështu, në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do tu kërkohet diçka më e thjeshtuar.
Debatet
Diskutimet për aplikimin e këtyre ndryshime sollën reagime të shumta, kryesisht nga pushteti vendor pasi ata prekeshin direkt prej tij. Duke qenë se biznesi i vogël i paguan taksat pranë zyrave të pushtetit vendor, këta të fundit do të kishin një dëm shumë të madh financiar. Në fillimet e diskutimeve për ndryshimet në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar u mendua që Ministria e Financave tua kompensonte diferencën e taksave bashkive, por duke qenë se pragu i biznesit të vogël do të mbetet i pandryshuar ky projekt u rrëzua. TVSH është taksa kryesore me të cilën buxheti i shtetit grumbullon të ardhurat. Pikërisht për këtë qëllim institucionet financiare ndërkombëtare nuk kanë lejuar qeverinë që të aplikoje ulje të kësaj takse në tërësi dhe për sektorë të veçantë.
BOX///////////////////////////////////////////////
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, arsimi privat përjashtohet nga skema
Sektori privat dhe ai shtetëror i arsimit nuk do të paguajë TVSH-në. Tashmë ka hyrë në fuqi ligji i ri, i cili parashikon forcim të rregullave për bizneset që çregjistrohen nga TVSH-ja dhe heqjen e tatimit në fjalë për sektorin e arsimit. Sipas këtij ligji, duke filluar nga 1 tetori i këtij viti, arsimi privat do të përjashtohet nga kjo taksë. Vendimi për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, në arsim dhe shëndetësi ka krijuar debate brenda qeverisë. Ministria e Financave kishte propozuar fillimisht përgjysmimin e TVSH-së për bizneset që ofrojnë produkte dhe shërbime në fushën e arsimit dhe shëndetësisë nga 20 në 10 për qind. Por ky variant i mbështetur nga ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk u pranua nga qeveria, pasi Kryeministri Berisha kërkoi që TVSH-ja në këta dy sektorë të hiqet përfundimisht. Propozimi i Kryeministrit Sali Berisha, për heqjen e TVSH-së për arsimin privat ngjalli debate mes tij dhe ministrit të Financave, Bode, në një nga mbledhjet e qeverisë. Në tre vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i institucioneve arsimore private për të gjitha ciklet. Vetëm për arsimin e lartë sot kemi të licencuara 33 universitete. Nga kjo reformë fiskale në TVSH, buxhetit të shtetit do t’i mungojnë këtë vit rreth 300 milionë lekë.
17 Shkurt 2010