E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leterme: “Mbështesim liberalizimin e vizave, Shqipëria të plotësojë kushtet”



Eljona Ballhysa
Kryeministri i Belgjikës, Yves Laterme, premtoi dje në Tiranë mbështetje për liberalizimin e vizave për shqiptarët, por më parë vendi ynë duhet të plotësojë kushtet e BE-së. Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Berisha, Laterme nënvizoi se Belgjika, si vendi që merr Presidencën e radhës së BE-së në korrik të këtij viti, mbështet liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe shpreh bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në BE në të ardhmen do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Lamerte gjithashtu ka shprehur gatishmërinë që Belgjika t’i japë Shqipërisë ekspertizën e nevojshme për plotësimin e Pyetësorit të BE-së. Kjo vizitë përkon në kulmin e negociatave që po zhvillohen mes maxhorancës dhe opozitës për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Plotësimi i kriterit politik është kusht parësor si për liberalizimin e vizave, ashtu dhe për shqyrtimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE.
Qëndrimi
“Këtu erdha edhe si kryeministri i një vendi që do të marrë kryesimin e radhës së Bashkimit Europian nga 1 korriku e në vazhdim. Ju e dini se ne kemi kryesinë e përhershme të Këshillit të Europës dhe në përgatitje sa më mirë të marrjes se kryesisë se radhës së BE-së, unë i ndërmora këto bisedime bilaterale në të gjithë rajonin e Ballkanit, sot dhe nesër. Do të dëshiroja të nënvizoja në emër të qeverisë federale të Mbretërisë së Belgjikës se ne jemi të angazhuar si vend anëtar i BE-së ndaj destinacionit të ardhshëm europian të Shqipërisë. Unë mendoj se në të ardhmen anëtarësimi i plotë Shqipërisë në BE mund të jetë një ndër faktorët kryesorë të stabilitetit në rajon”, - është shprehur kryeministri i Belgjikës. Lamerte bëri të ditur se i ka ofruar kryeministrit Berisha ekspertizën e zyrtarëve belgë për të ndihmuar dhe çuar përpara përpjekjet e qeverisë shqiptare për t’iu përgjigjur më shumë se 2 mijë pyetjeve që janë parashtruar nga Komisioni Europian në Pyetësorin drejtuar Shqipërisë. Lamerte gjithashtu bëri të ditur se Belgjika do të mbështesë liberalizimin e vizave për shqiptarët. “Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave unë mendoj se kjo dosje është shumë e rëndësishme lidhur me kredibilitetin e BE-së në sytë e opinionit publik dhe të qytetarëve të Shqipërisë. Unë e përgëzova kolegun tim lidhur me rezultatet e mira, progresin e bërë lidhur me procedurën e liberalizimit të vizave. Unë e inkurajove kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare të vazhdojnë dhe të arrijnë në angazhime në drejtim të kërkesave dhe kushteve të autoriteteve europiane të fushës. Unë e konsideroj procesin e liberalizmit të vizave teknik dhe jo politik. Është shumë e rëndësishme të plotësohen të gjitha kushtet dhe mendoj se të gjithë qytetarët europianë dhe qytetarët shqiptarë, qytetarë të ardhshëm europianë, e meritojnë këtë lloj trajtimi”, - është shprehur Lamerte.
Bashkëpunimi
Ndërsa kryeministri Berisha bëri të ditur se është duke finalizuar marrëveshja e pranimit të të burgosurve shqiptarë në burgjet e Belgjikës, dhe të dy kryeministrat kanë rënë dakord për të nxitur investimet belge në Shqipëri. “Gjithashtu, diskutuam për mundësitë e mëdha të investimeve belge në Shqipëri. Kryeministri Leterme më siguroi se do t’i inkurajojë investitorët belgë t’i konsiderojnë seriozisht investimet në Shqipëri, në fushat më të leverdishme për ta. Një fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi është lufta kundër krimit të organizuar. Agjencitë tona të zbatimit të ligjit kanë një bashkëpunim të shkëlqyer. Po finalizohet marrëveshja për kthimin e të burgosurve në Shqipëri. Unë e sigurova kryeministrin Leterme që do të firmosim çdo marrëveshje me Mbretërinë e Belgjikës dhe me çdo vend tjetër anëtar të Bashkimit Europian, në interes të luftës më efikase dhe me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”, - është shprehur Berisha. Ai shtoi se të dyja vendet do të bashkëpunojë edhe në fushën e sigurimeve shoqërore, arsimit dhe turizmit. “Po punohet për një marrëveshje tjetër të rëndësishme në fushën e sigurimeve shoqërore. Shpresoj se së shpejti do të procedojmë me një marrëveshje në fushën e arsimit, fushë që përbën një përparësi të madhe për qeverinë time”, - është shprehur Berisha.

Leterme i dha sihariqin Berishës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp Berisha bëri të ditur se kryeministri belg kishte qenë i pari që e kishte njoftuar atë për anëtarësimin e Shqipëri në NATO. “Kryeministri Yves Leterme është kryeministri i parë që më ka dhënë lajmin në Bukuresht për miratimin e ftesës për Shqipërinë”, - është shprehur Berisha.

Leterme dhe Berisha bien dakord për ekstradimet

Një tjetër çështje për të cilën dy kryeministrat kanë rënë dakord ka qenë ajo e kthimit në Shqipëri e të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet e Belgjikës. Kryeministri Berisha u shpreh në konferencën e përbashkët për shtyp se marrëveshja e ekstradimit me Belgjikën do të finalizohet së shpejti.

Topi takon Leterme, vlerësohet nisma për zgjidhjen e krizës politike

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje kryeministrin e Belgjikës, Yves Leterme, vizitën e të cilit Topi e vlerësoi si një tjetër tregues i marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe mes vendeve dhe popujve tanë, po ashtu dhe të interesit të ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në aspekte të ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe tregtar, ku mirëpritet rritja e numrit të investitorëve belgë, në arsim, kulturë, turizëm etj.
Gjatë bisedës, kryetari i shtetit e njohu kryeministrin belg me disa prej arritjeve më të rëndësishme të vendit tonë në realizimin e reformave integruese në Bashkimin Europian. Presidenti Topi vuri në dukje angazhimin serioz të Shqipërisë në NATO, si dhe bashkëpunimin me BE-në, sidomos sa u përket hapave të ndërmarrë për liberalizimin e vizave. “Trojka presidenciale e BE-së, Spanjë-Belgjikë-Hungari, është e një rëndësie të veçantë për ne, pasi përkon me dy momente shumë të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit europian. Në mënyrë të veçantë gjatë presidencës belge pritet hartimi i Opinionit të Komisionit Europian dhe vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe përmbyllja me sukses e procesit të liberalizimit të vizave”, - theksoi kryetari i shtetit. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme të Belgjikës për vendin tonë rrugëtimin e tij euroatlantik. Temë bisede në këtë takim ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes maxhorancës dhe opozitës, e cila filloi më 13 shkurt 2010 nën drejtimin e Presidentit të Republikës, ku dy personalitet e larta theksuan rëndësinë e fillimit të rivendosjes së dialogut. Kryeministri belg e përgëzoi presidentin Topi për rolin e ndërmjetësuesit dhe përpjekjet e tij konstruktive në këtë dialog mes pozitës dhe opozitës duke shpresuar për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë e të suksesshme.

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›