E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, protestë para Kushtetueses për rrëzimin e vendimit



Laureta Rryçi

Një orë pasi Komisioni i Ligjeve miratoi në unanimitet 20 shkurtin si Ditën e Përkujtimit të Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit, ish-të përndjekurit politikë të mbetur ende gjallë dhe pasardhësit e tyre protestuan përpara Gjykatës Kushtetuese. Protestuesit hodhën akuza ndaj gjyqtarëve që rrëzuan pak kohë më parë si antikushtetues ligjin e lustracionit, duke kërkuar largimin e të gjithë gjykatësve dhe zyrtarëve, të çdo niveli, që kanë dënuar njerëz për motive politike, hapjen e dosjeve, si dhe rishikimin e ligjit të lustracionit për miratimin përfundimtar të tij. Ish-të përndjekurit politikë thanë se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Të përndjekurit u shprehën të pakënaqur edhe me vendimin e disa ditëve më parë ku rrëzoheshin të gjitha pretendimet e tyre për të ndryshuar ligjin për dëmshpërblim. Ata u shprehën se kjo gjykatë, me këtë vendim, tregoi edhe njëherë fuqinë që kishte ndaj këtyre personave që ishin persekutuar për dekada me radhë.
Protesta
Pas shumë kohësh, ish-të përndjekurit zhvilluan dje protestë para Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, ky institucion u ka detyrime të mëdha dhe prandaj protestat i kanë nisur para kësaj gjykate. “Brenda kësaj godine gjykojnë njerëz që kanë dënuar dhe persekutuar për dekada me radhë. Si mund të lejohet kjo poshtërsi?! Është njëlloj sikur të na dënonin për së dyti”. Këto ishin disa nga akuzat që hodhën dje protestuesit. Në radhët e protestuesve, përveç ish-të përndjekurve, ishin edhe trashëgimtarë të tyre, të cilët ende nuk kanë gjetur vendin ku janë ekzekutuar të afërmit e tyre. Më tej ata u shprehën të irrituar për vendimin e disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese. Ish-të përndjekurit u shprehën se këtë vendim i prisnin me kohë, pasi nuk mund t’i mbrojnë të drejtat e tyre të njëjtët njerëz që i persekutuan për vite me radhë. Të përndjekurit nuk harruan edhe vendimin mbi ligjin e lustracionit, të cilin kjo gjykatë e rrëzoi pavarësish miratimit nga qeveria “Berisha”.
Pretendimet
Të përndjekurit e kanë humbur betejën e parë ligjore me qeverinë “Berisha”. Gjykata Kushtetuese tashmë e ka dhënë verdiktin e saj duke hedhur poshtë pretendimet e Shoqatës së ish-të Përndjekurve dhe duke lënë në fuqi ligjet e miratuara nga kjo qeveri për dëmshpërblimin e kësaj kategorie. Kjo çështje u gjykua nga Vladimir Kristo, kryetar, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi, Sokol Sadushi, Sokol Berberi, Vitore Tusha, anëtarë, me sekretare Blerina Çinari. Kërkesa u mor në shqyrtim që në datë¬n¬¬¬¬¬¬¬¬ 24.12.2008. Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë përfaqësohej nga Abdyrrahman Çekiçi. Ndërsa Shoqata Kombëtare e Dëbim Internimeve Politike të Shqipërisë në këtë proces civil është përfaqësuar nga Tanush Kaso. Si subjekte të interesuara ka qenë Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave. Padia ka pasur si objekt shfuqizimin si antikushtetues të Ligjit Nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist”.

Kërkesat e të përndjekurve që u rrëzuan nga Kushtetuesja
Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë (SHBPSH) dhe Shoqata Kombëtare e Dëbim Internimeve Politike në Shqipëri (SHKDISH) i janë drejtuar veçmas Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e Ligjit Nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” (në vijim Ligji Nr. 9831). Kërkuesit kanë pretenduar se ligji, objekt kundërshtimi, cenon parimet kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe të sigurisë juridike, duke argumentuar se:
- Janë përjashtuar pa të drejtë nga përfitimi i dëmshpërblimit: familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq; një pjesë e madhe e të internuarve dhe të dëbuarve, për shkak të kërkesave të ligjit për të vërtetuar statusin me dokument të krijuar si burim arkivor para datës 01.11.1991 kur dihet që ky burim mungon; një pjesë e familjarëve të viktimave të ekzekutuara apo pushkatuara me vendime penale të gjykatave, pasi ligji ka ngushtuar rrethin e trashëgimtarëve ligjorë të tyre; kategoria e personave që janë të sëmurë psikikë për shkak të përndjekjes; kategoria e të përndjekurve, në periudhën nga 08.11.1941 deri në 30.11.1944, pasi ligji rregullon dëmshpërblimin e kategorisë së të përndjekurve nga regjimi komunist për periudhën 30.11.1944 deri më 01.10.1991;
- Ligji bën diferencime në mënyrën e trajtimit financiar të kategorisë së të internuarve dhe të dëbuarve, pasi personat që kanë vuajtur internimin në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954 përfitojnë dëmshpërblim 1000 (një mijë) lekë në ditë, ndërsa për personat e internuar ose të dëbuar pas vitit 1954 parashikohet një skemë pensioni që do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Kushtet dhe kriteret e përcaktuara për përfitimin e dëmshpërblimit financiar sjellin si pasojë mospërfitimin e kësaj të drejte, pasi: (a) kriteret e përcaktuara në shkronjën “a” të nenit 4 vijnë në kundërshtim me ato të parashikuara në shkronjën “ç“ të po këtij neni, sepse mohojnë efektet e Ligjit Nr. 7514, 30.09.1991 “Për pafajësinë...”; (b) neni 4, pika “d” është dispozitë evazive dhe lë vend për interpretime të ndryshme, pasi nuk përcaktohet qartë se cilat duhet të jenë pasojat për jetën e shtetasve të tjerë; (c) në veprat penale politike, sipas nenit 5 të ligjit, nuk përfshihen dekretligjet për dënimet administrative, për dëbim internimet, nenet 21-22 të Kodit Penal të vitit 1952 dhe nenet 26-27 të Kodit Penal të vitit 1977; (ç) neni 6 paragrafi i fundit është gjithashtu dispozitë evazive që lë vend për interpretime të ndryshme, pasi nuk parashikon metodologjinë me të cilën do të përcaktohet ndikimi i dëmshpërblimit të mëparshëm në dëmshpërblimin financiar në zbatim të ligjit objekt shqyrtimi; (d) masa e dëmshpërblimit për familjarët e të dënuarve me dënim kapital, e përcaktuar në nenin 7, është diskriminuese, pasi vlerësimi i jetës së humbur nuk bëhet mbi baza ligjore; (dh) kriteret për ndarjen e fondit, të sanksionuara në nenin 12, nuk janë të qarta; (e) afati një vjeçar për paraqitjen e kërkesës për përfitimin e dëmshpërblimit, i përcaktuar në nenin 19, është i shkurtër dhe privon nga kjo e drejtë një numër të konsiderueshëm ish të dënuarish politikë dhe të përndjekurish; (ë) plotësimi i dokumenteve shoqëruese të kërkesës për përfitimin e dëmshpërblimit, sipas përcaktimit të nenit 20, është i parealizueshëm dhe abstrakt; (f) neni 24 pika “a”, që parashikon mënyrën dhe afatin e plotësimit të dokumenteve që mungojnë, është përjashtues, pasi nuk merr në konsideratë dokumentet e vuajtjes së dënimit, të dhëna nga komisioni i krijuar për vërtetimin e kohës së dënimit administrativ me VKM Nr.445, datë 13.12.1991;

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›