Maxhoranca miraton 20 shkurtin si Ditën e Kujtesës
Komisioni i Ligjeve miratoi dje me unanimitet votash propozimin e qeverisë që përcakton datën 20 shkurt si Ditën e Kujtesës për viktimat e regjimit komunist. Kjo datë është zgjedhur për shkak të simbolit që ajo mbart me rrëzimin në vitin ‘91 të bustit të diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbe”. “Dita i plotëson kushtet për të përkujtuar krimet e regjimit të Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Duhet një përkujtim dinjitoz i krimeve dhe viktimave të komunizmit. Kjo ditë do të shërbejë si një vendosje e një pike referimi jo vetëm për të krijuar një marrëdhënie direkt me të shkuarën, por edhe me të ardhmen tonë”, - u shpreh deputeti Gent Strazimiri. Këtë iniciativë të qeverisë, që përcakton edhe ngritjen e një obelisku dhe të një muzeu për krimet dhe viktimat e regjimit komunist, e mbrojti deputeti Gent Strazimiri, i cili pak ditë më parë hodhi idenë e përkujtimit të krimeve të regjimit më 29 nëntor, ditë në të cilën e majta përkujton çlirimin e vendit, por që sipas zotit Strazimiri, është dita e parë e pushtetit komunist që vrau, ekzekutoi, dënoi dhe internoi, me gjyq dhe pa gjyq, me mijëra shqiptarë. “Do ta kisha gjetur shume më me vend vendosjen e datës 29 nëntor si ditë të përkujtimit, jo si një datë që i ndan shqiptarët, por për t’i bashkuar ata”, - theksoi Strazimiri.
17 Shkurt 2010