E Diel, 1 Nëntor 2026

Divorci, bum padish në Gjykatë, nga janari deri tani, 548 kërkesa

Gjykata vendos: Të divorcuar, por në të njëjtën çati

Laureta Rryçi

Numri i padive për divorc në Gjykatën e Tiranës ka thyer të gjitha rekordet. Nga janari deri në ditët e sotme, në sekretarinë e kësaj gjykate janë depozituar 548 kërkesa për ndarje martesore. Burime nga kjo gjykatë shpjegojnë se përveç rritjes së shifrës së padive për divorc, gjyqtarët po konstatojnë dita-ditës se çiftet që ndahen detyrohen të jetojnë në të njëjtën banesë për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Përveç kësaj, dita-ditës zbehet shpresa se midis çiftit ekziston mundësia e pajtimit. Gjyqtarët tregojnë se pala që ka marrë iniciativën për t’u divorcuar është aq i zhgënjyer nga martesa, sa nuk i duhet shumë kohë për ta menduar nëse do t’i shkojë procesit deri në fund. Problemi thellohet edhe më tej për të gjithë ata që kanë fëmijë dhe duhet vendosur mbi kujdestarinë e tyre. Jo pak raste kthehen problematike për shkak se baballarët nuk paguajnë pensionin ushqimor të vendosur nga Gjykata. Madje gjyqtarët shkojnë edhe më tej, duke thënë se një pjesë e mirë e grave të divorcuara që denoncojnë për dhunë jetojnë në të njëjtën çati me ish-bashkëshortët. Kjo situatë tregon më së miri se për to nuk ka qenë zgjidhje as divorci.
Vendimet
Shifrat e frikshme për divorcet mes çifteve sa vijnë dhe rriten në kryeqytet. Një vit më parë, në të njëjtën periudhë, nuk ishin regjistruar as gjysma e këtyre padive, të cilat tashmë janë shpërndarë të gjitha nëpër zyrat e gjyqtarëve civilë. Një vit më parë shifrat tregonin se në një ditë ndahen dy çifte. Kjo nuk vlen më për muajt e parë të vitit 2010; kjo shifër gati është pesëfishuar më shumë. Avokatët që merren me këto çështje civile tregojnë se pasojat e para bien mbi fëmijët, të cilët shpeshherë janë dëshmitarë të grindjeve të prindërve edhe në sallat e gjykatës. Sipas tyre, duke qenë se faktori ekonomik është një ndër arsyet që i çon çiftet shqiptare drejt ndarjes së ligjshme, për të vendimi i gjykatës vetëm sa shton konfliktet. Ndarja e pasurisë konsiderohet si një ndër pikat më të nxehta të çifteve që s’para gjejnë gjuhën e përbashkët. Për këtë arsye, në lidhje me pasurinë shpeshherë duhet të vendosë gjyqtari që gjykon çështjen. Duke qenë se rezulton se çifti ka vetëm shtëpinë, atëherë iu lihet nga një dhomë dhe banjë me përdorim të përbashkët. Për momentin gjykata i lan duart me konfliktin e ish- bashkëshortëve, por pasojat ndihen në ditët në vazhdim. Kryesisht janë këto gra të cilat duke qenë se nuk i shpëtojnë dot dhunës së ish-bashkëshortit, u drejtohen autoriteteve përkatëse për t’i mbrojtur. Me gjithë këtë dhunë, sërish ato nuk kanë guximin t’i shkojnë deri në fund kërkesës së tyre për shkak se jetojnë në të njëjtën shtëpi. Shumica e padive të tilla pushohen nga gjyqtarët për shkak se asnjë nga gratë që pretendojnë se janë dhunuar nuk paraqiten në seancën e parë.
Përmbarimi
Zbatimin e vendimit Gjykata ua beson përmbaruesve. Me dhjetëra dosje për vite me radhë rezultojnë si të pazbatueshme nga Përmbarimi pikërisht për shkak të konflikteve mes çifteve të divorcuara. Në rastet më të pakta, kur ata bien dakord të shesin banesën, vlera e kësaj të fundit shitet nën koston reale të një apartamenti në kryeqytet. Ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve përmbaruesit tregojnë se shpesh ish-bashkëshortet tregohen të padrejtë duke mos pranuar të shesin pjesën e tyre të apartamentit. Sipas tyre, ata veprojnë në këtë mënyrë për shkak se mendojnë se sërish ish-bashkëshortja e tyre dhe fëmijët do të jenë nën tutelën e tij. Pas divorcit, nënat që kanë në kujdestari edhe fëmijët e kanë shumë të vështirë të sigurojnë paratë e duhura për të mbijetuar apo për t’u krijuar kushte fëmijëve. Për to shteti nuk parashikon asnjë ndihmë konkrete, ndryshe nga ç’ndodh në shtetet e huaja. Shtetet e huaja, në rastet e divorcit i japin prioritet në ndarjen e pasurive nënave, sidomos kur u lihen në kujdestari edhe fëmijët.

box
Studimi i fundit i Ministrisë tregoi shifrat në të gjithë vendin

Studimi më i fundit në Ministrinë e Drejtësisë tregoi shifrat e divorcit në të gjithë vendin. Sipas këtij studimi, harta e divorceve kryesisht është më e theksuar në qytetet më të mëdha. Shifrat tregonin se divorci është fenomen i dukshëm në qytete si Shkodra, Durrësi, Elbasani dhe Vlora. Në të njëjtin listim vinte edhe qyteti i Fierit, ku numri i divorceve i kalonte të pesëqindat. Shkaqet që çojnë drejt ndarjes çiftet janë nga më të ndryshmet. Por arsyeja që shënohet rëndom në vendimet e gjykatës është mospërputhje karakteri, tradhtia, gjendja ekonomike dhe dhuna fizike e psikologjike e vazhdueshme. Kur njëri nga bashkëshortët shkon në emigrim, pala tjetër është e detyruar të presë me vite. Në Gjykatën e Tiranës është një numër i caktuar gjyqtarësh, të cilët merren me çështjet familjare, kryesisht me divorcet. Ajo që lë mbresë te gjyqtarët janë fëmijët, pika më e dobët e secilit çift. Janë këta që vuajnë më shumë pas ndarjes së prindërve. Pas divorcit vjen edhe pjesa më e vështirë. Edhe pse gjykata përcakton dhënien e një pensioni ushqimor për fëmijët, prindërit nuk e zbatojnë vendimin. Babai është ai që detyrohet nga gjykata në të shumtën e rasteve (të paktën sipas përvojës disavjeçare të gjykatave) të paguajë një rrogë mujore për fëmijën, pasi është ndarë nga bashkëshortja. Por shpesh pensioni ushqimor nuk zbatohet, edhe pse në lojë futet zyra e Përmbarimit.

box
Shkaqet që thelluan krizën në familjen shqiptare

Sipas studimeve, edhe në shoqërinë shqiptare, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, është rritur ndjeshëm numri dhe pesha specifike e divorceve. Sipas statistikave zyrtare të publikuara në vitin 1990, numri i divorceve ishte rreth 3,14 herë me i lartë se ai i vitit 1960. Sociologët mendojnë se një faktor i rëndësishëm për rritjen e numrit të divorceve është punësimi i grave. Është një fakt për t'u pranuar se gratë, duke siguruar pavarësinë ekonomike përmes punësimit, e kanë më të lehtë të kërkojnë divorcin dhe të përballojnë problemet ekonomike pa ndikimin e bashkëshortëve të tyre, shprehen sociologët. Ndërsa në Shqipëri, duke qenë se gratë punojnë më shumë brenda ekonomisë shtëpiake, rrjedhimisht nuk mund ta krijojnë një pavarësi të tillë. Një tjetër faktor që ndikon në rritjen e numrit të divorceve është dhe rritja e nivelit të arsimimit dhe personalitetit të grave në shoqëri.

Disa nga arsyet që i çojnë çiftet drejt divorcit

Mungesa e njohjes reciproke të palëve
Mospërputhja e karaktereve të tyre
Vështirësitë ekonomike të familjes, si ato financiare, ashtu edhe ato të banimit
Mendësitë e ndryshme të bashkëshortëve për familjen
Emigracioni

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›