E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami: “Nuk ka Ballkan të sigurt pa një Kosovë të sigurt”



Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, u prit dje në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ministri Fehmi Mujota. Kjo ishte vizita e parë e një ministri Mbrojtjeje të Shqipërisë në Kosovën e pavarur, vizitë e cila u zhvillua vetëm një ditë para festimit të dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ministri Imami u prit me nderime të posaçme, me rreshtim e Njësisë Ceremoniale, si dhe me ekzekutimin e himneve shtetërore nga trupa e FSK-së. Në fillim të dy ministrat patën një takim kokë me kokë, pastaj u mbajt takimi në formacion të gjerë i dy delegacioneve. Nga MFSK-ja ishte i pranishëm komandanti i FSK-së, gjeneral Sylejman Selimi dhe zyrtarë të lartë të MFSK-së. Ministri Mujota e informoi ministrin Imami mbi procesin e ngritjes së strukturës së FSK-së, me përpjekje të vazhdueshme për të arritur kapacitetet e plota operacionale. Për fushatën aktuale të rekrutimit, me mundësi që të përfshihen edhe komunitetet pakicë, bashkëpunimin e mirë me KFOR-in dhe NATO-n, nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me disa vende mike, anëtare të NATO-s, me angazhimin për të zgjeruar sa më shumë bashkëpunimin ndërkombëtarë si dhe pjesëmarrjen në nismat rajonale të sigurisë. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi se Kosova trajtohet edhe nga NATO si një histori suksesi, pasi progresi i shënuar në këtë vend është i dukshëm. Ai theksoi faktin se stabiliteti dhe siguria në Kosovë janë premisa për një Ballkan të sigurt. Në këtë kuadër, ministri Imami dënoi sponsorizimin nga Beogradi të strukturave paralele në Veri të Kosovës, ndërkohë që vlerësoi strategjinë e re të përpiluar nga qeveria e Kosovës për të integruar vendin. Ministri Arben Imami akordoi edhe medaljen “Për Shërbime të Shquara” për kontributin e Njësisë së Kërkim-Shpëtimit gjatë misionit humanitar në Shkodër, po ashtu ministri Imami i dha medaljen “Për Shërbime të Shquara” komandantit të Njësisë së Kërkim-Shpëtimit, kapiten Ejup Maqedoncit, i cili drejtoi njësinë në operacionin humanitar në Shkodër.

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›