Biznesi industrialist, marrëveshje me KEK-un
Bizneset industriale shqiptare janë të interesuara të kenë një qëndrueshmëri në sistemin rajonal energjetik. Mungesa e kapaciteteve godet pikërisht subjektet e listave të mëdha të prodhimit, duke rënduar kostot. Për këtë shkak, Konfindustria ka firmosur dy ditë më parë një marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për organizimin e Forumit Ndërkombëtar "Kosova-një mundësi energjetike", që do të zhvillohet në Prishtinë në datat 5-6 tetor 2009. "Ngjarja e mësipërme do të jetë një nga ngjarjet e rëndësishme të llojit të tij në rajonin e Europës Juglindore dhe i pari i zhvilluar në Kosovë", deklaroi administratori i përgjithshëm i Konfindustrias, Gjegj Buxhuku. Në forum do të marrin pjesë kompanitë private dhe publike më të rëndësishme europiane dhe botërore të prodhimit, rrjeteve të transmetimit, menaxhimit dhe teknologji të energjisë elektrike, përfshi edhe institucione shtetërore të Ballkanit Perëndimor etj. Forumi synon të shpalosë përpara investitorëve të rëndësishëm mundësitë e shumta natyrore të Kosovës dhe njëkohësisht projektet konkrete për prodhimin e energjisë elektrike jo vetëm nëpërmjet fosileve të ngurta/linjitin rezervat e të cilit janë të rëndësisë ndërkombëtare, por njëkohësisht dhe nëpërmjet burimeve të ujit, erës etj.