E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrirja e TVSH-së, skenarët pro dhe kundër

Nga një studim i bërë nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi efektin që vjen nga aplikimi i përqindjes së shkallëve të TVSH-së, është vërejtur se mund të grumbullohen mesatarisht rreth 0.4 për qind të PBB-së të ardhura tatimore për çdo 1 për qind shkallë tatimore. Në vendet e industrializuara, pjesa e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar kap 17 për qind-22 për qind të totalit të të ardhurave tatimore apo 6 për qind-8 për qind të PBB-së. Ndërsa në vendet në zhvillim, edhe pse ajo nuk është në këto nivele përqindjeje, zë një peshë të konsiderueshme të të ardhurave tatimore.

Ekspertët bëjnë një analizë rreth efekteve ekonomike që mund të shkaktojë futja e TVSH-së në çdo nivel biznesi. Nga analizat e ndryshme mësohet se, në dallim nga tatimi mbi të ardhurat, TVSH-ja nuk influencon në formën dhe mënyrën e biznesit. "Një TVSH e përshtatur sipas kushteve specifike ekonomike e sociale kombëtare siguron gjithashtu një neutralitet në fushën e tregtisë së jashtme nëpërmjet mostaksimit të eksporteve dhe trajtimit tatimor të importeve mbi një mesatare të prodhimeve brenda vendit", shprehet një ekspert i fushës së tatim-taksave.

Vende të tjera që e kanë nisur zbatimin e TVSH-së si në rastin shqiptar (në vitin 1996) e kanë zgjeruar aplikimin e tij dhe në shitjet me pakicë. Në to u vërejt se aplikimi i TVSH-së vetëm tek tatimpaguesit me aktivitete prodhuese shtrembëronte politikën e neutralitetit tatimor dhe favorizonte aktivitete të tilla si: produktet e luksit dhe akcizës, importuesit dhe furnizuesit e mëdhenj të shërbimeve të ndryshme. Kjo shkaktonte një shpërndarje të pabarabartë të barrës fiskale dhe efekte regresive të TVSH-së në lidhje me konsumin. Si pasojë, krijoheshin dhe probleme të mprehta (kur prodhuesit shisnin direkt te shitësit me pakicë apo të konsumatorët përfundimtarë ose krijonin kanalet direkte të tyre të shpërndarjes). Në dallim nga kjo, kur në skemën e TVSH-së përfshin dhe shitjet me pakicë, probleme si ato të mësipërmet minimizohen.

Për qeverinë shqiptare nuk ka qenë e lehtë taksimi i shërbimeve ndërtimore, shërbimeve financiare, tregtimit të mallrave të akcizës, prodhimeve agroindustriale etj.

Agroindustria është një tjetër fushë problematike për TVSH-në. Në vendin tonë ajo përben aktualisht 50% të PBB-së dhe 50.5% e popullsisë së aftë për punë është e punësuar në këtë sektor. Mbetet për t‘u parë se çfarë efekti do të sjellin në ekonomi taksimi me TVSH i këtyre subjekteve, të cilët me vite janë mbrojtur me fanatizëm nga qeveria shqiptare, por nga ana tjetër kanë qenë burimi kryesor i evazionit fiskal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›