Brenda 30 minutash, dy aksidente me dy të plagosur
Dy aksidente rrugore kanë ndodhur gjatë paradites së djeshme në Rrethin e Bulqizës. Ngjarjet rrugore janë regjistruar brenda harkut kohor të 30 minutave dhe mësohet se dy persona kanë mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore. Fillimisht është aksidentuar Gëzim Nika, 55 vjeç, i cili është përplasur nga një makinë tip fuoristradë, me targa të huaja, në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur "Pishat", rreth 2 kilometra larg qytetit të Bulqizës, në dalje të tij drejt Peshkopisë. I aksidentuari është dërguar me urgjencë për në Spitalin e Bulqizës. Mjeku i këtij spitali, Shahin Kaja, tha për "Shqip", se i aksidentuari ka ardhur në gjendje shoku traumatiko-hemorragjik, për shkak të hemorragjisë së brendshme në shpretkë dhe mëlçi. Pas ndihmës së parë, bluzat e bardha kanë vendosur ta dërgojnë me helikopter për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për mjekim të specializuar. Burime nga policia lokale konfirmojnë se shkaku i këtij aksidenti ka qenë pakujdesia e 55-vjeçarit, i cili i ka prerë rrugën automjetit në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës. Ndërkohë, burime nga ky spital konfirmojnë se vetëm pas 30 minutash ka ardhur një tjetër e aksidentuar, Anife Kurti, 49 vjeçe, e cila ishte përplasur edhe kjo nga një makinë. Ngjarja ka ndodhur pikërisht në afërsi të spitalit, ku një autoveturë me targa të Lezhës e ka goditur atë duke i shkaktuar dëmtime të lehta frakture në të dyja këmbët. Burime nga spitali thonë se e plagosura, pasi ka marrë ndihmën e duhur mjekësore, është larguar nga spitali për në shtëpi