Skandali, Italia liron shqiptaren e dënuar
E dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e të dashurit të saj disa vite më parë, një 34-vjeçare nga Shqipëria është liruar nga drejtësia italiane. Artine Hyzellari është liruar ditën e sotme nga Gjykata e Riminit, edhe pse ndaj saj ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar nga policia shqiptare. Siç bën të ditur media italiane, shqiptarja është lënë e lirë dhe është kthyer te bashkëshorti italian. Ajo u vu në pranga në momentin që ishte duke bërë muajin e mjaltit me burrin. Sipas policisë së vendit fqinj, ishte po i njëjti prokuror që në Shkallën e Parë e dënoi me 25 vjet burg, i cili tani ka deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme ndaj saj. Kjo ka bërë edhe që ajo të lirohet, pavarësisht nga dënimi i formës së prerë. E arrestuara Artine Hyzellari, asnjëherë nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj saj. Në momentin e arrestimit, ajo ndodhej nën shoqërinë e te shoqit 55-vjeçar, me iniciale R.C. Burri, siç u kishte thënë më pas karabinierëve, nuk dinte asgjë për kushtet e së shoqes. Në momentin e arrestimit ai kishte mbetur i befasuar, ndërsa ajo ishte e qetë, dhe kishte thënë se nuk kishte bërë asgjë të keqe. Të dy ishin martuar prej pak kohësh. Autoritetet shqiptare kanë lëshuar një urdhër-arresti më 18 nëntor 2007 nga Gjykata e Korçës. 34-vjeçarja duhet të vuante dënimin me burg prej 25 vitesh, pasi akuzohet për një vrasje të kryer në vitin 2005. Në gjurmë të saj kishte rënë Interpoli, i cili kishte sinjalizuar me pas karabinierët. Në momentin e arrestimit, ajo kishte më pak se një muaj që ishte martuar në Itali, por "muaji i mjaltit" iu është prishur në mes nga një vizitë që nuk e prisnin. Të paktën dhëndri, se nusja dukej e qetë në pamje të jashtme. Prangosja u bë më 13 gusht 2008 në Saludecio. Karabinierët e repartit të Riminit, në bashkëpunim me Interpolin, arrestuan shqiptaren Artine Hyzellari, e shumëkërkuar, lindur në Pogradec, me rezidencë në Itali. Sipas mediave italiane, ajo u la e lirë dje, "duke përfunduar një periudhë ankthi", siç ka deklaruar 34-vjeçarja.